
Shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë përshëndesin referendumin në Itali: Theksohet rëndësia e pavarësisë së drejtësisë
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë kanë reaguar përmes një deklarate të përbashkët lidhur me referendumin në Itali për ndryshimet kushtetuese në sistemin e drejtësisë, duke vlerësuar rezultatin dhe rolin e magjistraturës italiane.
Në deklaratë, dy shoqatat shqiptare shprehin urimet për Shoqata Kombëtare e Magjistratëve të Republikës së Italisë, duke theksuar se angazhimi i saj kontribuoi në një debat të hapur dhe në mbrojtjen e parimeve kushtetuese. Sipas tyre, rezultati i referendumit dëshmoi mbështetje të qartë për një sistem drejtësie të pavarur dhe funksional, si themel i shtetit të së drejtës.
Deklarata nënvizon se sistemi italian i drejtësisë ka treguar pjekuri në përballjen me sfidat ndër vite dhe se pavarësia e tij është fituar edhe përmes sakrificave të mëdha në emër të ligjshmërisë. Njëkohësisht, vlerësohet roli aktiv i magjistraturës në jetën demokratike dhe në forcimin e besimit të qytetarëve tek institucionet.
Shoqatat shqiptare theksojnë se edhe në Shqipëri mbetet detyrë e institucioneve të drejtësisë dhe e çdo magjistrati që të rrisin besimin e publikut, duke garantuar mbrojtjen e të drejtave dhe lirive kushtetuese. Sipas tyre, drejtësia përbën “oksigjenin” e lirive themelore dhe një element kyç për funksionimin e demokracisë.
Në përfundim, ato shprehin angazhimin për të forcuar më tej shtetin e së drejtës dhe ndarjen e pushteteve, duke u mbështetur edhe në përvojat më të mira të vendeve të tjera evropiane.
and then