
Emisioni Vetting
Prej më shumë se tre dekadash, bregdeti i jugut të Shqipërisë është përfshirë nga konflikte të shumta pronësie që lidhen me mënyrën si janë trajtuar pronat pas viteve ’90. Sot ish-pronarët përballen me sfida të panumërta, ku gjykatat dhe prokuroria në vend që t’i japin zgjidhje problemit, i zgjasin proceset në pafundësi, shpeshherë duke neglizhuar dhe shpërdorimin e detyrës nga zyrtarët e lartë.
Një nga rastet që tregon përfshirjen e një numri të lartë zyrtarësh dhe ish zyrtarësh që kanë shpërdoruar detyrën duke ju dhënë pronën uzurpueseve lidhet me fshatin e Borshit, e cila nga Bashkia Sarandë tashmë i ka kaluar Bashkisë Himarë.
Diana Bilali, mbesa e Mehdi Hila (Borshi) është trashëgimtare e familjes Hila nga Borshi.
“Unë kam qenë gazetare gjatë gjithë jetës time dhe ndoshta profesioni dhe arsimi më ka ndihmuar që të kuptoj probleme të ndryshme, që shtrohen në televizione. Një nga problemet që më ka bërë që të vi këtu, është emisioni që kam parë te ju për një ndërtim, ku flitej për një vajzë që quhet Erilinda Lala dhe bashkëshorti i saj, Taulant Godrolli më duket. Duke ndjekur me shumë vëmendje emisionin, mund të them që në fund i doli koka e problemit e plotë.
Pas të tëra pyetjeve që ju i kishit bërë gjatë kohës, se nga kishte buruar ideja për ta bërë këtë ndërtim në Kavajë. Ideja e avokates Kola ishte, cili është regjimi juridik i tokës, në rastin e një ndërtimi? Pra, ajo pasi i kapërceu të gjitha ato, ILDKPI-në, kalimin e pasurisë, fondet nga vinin, ishte i rregullt ose jo, në fund tha, pika e parë e cila duhet zgjidhur është regjimi juridik i tokës”, tha për “Vetting” zonja Bilali.
Thelbi i konfliktit lidhet me regjimin juridik të tokës në zonën e ish-Shtëpisë së Pushimit të Fëmijëve në Borsh. Dokumentet tregojnë se kjo sipërfaqe është trajtuar në periudha të ndryshme si truall, tokë turistike dhe tokë bujqësore, duke krijuar mbivendosje të titujve të pronësisë dhe konflikte mes ish-pronarëve dhe përfituesve të mëvonshëm.
Ish-pronarja Bilali, e bija e trashëgimtarës nga familja Hila kërkon të marrë pronat e saj në Borsh, ku sipas saj një pjesë e tyre që i takonte nga privatizimi i është dhënë padrejtësisht për hotelin Take në pronësi të atit të Erilinda Lala, Tajar Lala. Znj. Bilali erdhi në redaksinë e “Vetting” pasi kishte parë episodin ku ekspozohej hotel restoranti “Take” ku punonte i paregjistruar dhe duke fshehur të ardhurat bashkëshorti i Drejtoreshës Lala, Taulant Godroli në kundërshtim me ligjin për Deklarimin e Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave.
“E gjithë ideja e emisionit “Vetting” që ishte ndarë në nënide, ku ideja qendrore ishte se cili ishte regjimi juridik i pronës. Unë kam ndeshur në një problem të tillë, në ish Zyrën e Regjistrimit të Pronave në Sarandë se cili është regjimi i juridik i pronës që është e imja. Aty zonja Erilinda Lala që ka babanë e saj, i cili ka bërë një hotel prej vitesh dhe kur kërkova regjimin juridik të pronës, më thanë “nuk mund ta japin sepse duhet të kesh një vendim të gjykatës, këtë e atë”.
Unë i thashë Zyrës se e kam vendimin e gjykatës, i kam të gjitha, ju i dini këto se nuk është hera e parë. Ju e dini, i thashë që në momentin e parë, përveçse regjistrimeve dhe regjistrave bazë, që në hipotekat e para, ju e dini thashë nga neni 197, i Kodit Civil, që një individ kur i drejtohet gjykatës, padia kërkesë-padia e tij regjistrohet në regjistrin e pasurive të paluajtshme”, u shpreh Diana Bilali.
Historia e Dianës është dramatike, por këmbëngulja e saj për të marrë pronën e të parëve si trashëgimtare ka indiciet e një fundi triumfues pasi Gjykata e Lartë i ka dhënë të drejtë që çeshtja e saj të rigjykohet në themel nga Gjykata e Apelit Tiranë.
Pretendimi i Bilalit, hoteli ‘Take’ u ndërtua mbi tokën e saj/ Policia Ndërtimore nuk zbatoi vendimin për 14 vite
Për “Vetting”, Diana Bilali tregon se ideja për të marrë ish pronat e saj rastisi me periudhën kur humbi shtëpinë te firmat piramidale. Do të ishte jetëshkrimi i gjyshit që do të shërbente për të hapur dokumentet që provonin pronësinë e Bilalit. “Në vitin 1995, unë fillova të kërkoja pronat e nënës time, të gjyshit tim, të gjyshes time dhe të një stërgjyshi që binte nga nëna ime, në fshatin Borsh. Në Delvinë, Sarandë, thonë që ka edhe në vende të tjera, Kavajë, Vlorë, në vende të tjera që ka punuar gjyshi im se ka qenë kryetar gjykatës”, tregon znj. Bilali.
Rruga për të marrë ish-pronat e gjyshit ka qenë e vështirë dhe ka arritur në atë pikë sa i është rrezikuar edhe jeta. Lidhja e pronës së gjyshit me Tajar Lalën është e lidhur ngushtësisht me ish kampin e pushimit të Shtëpisë së Fëmijëve Jetimë të Sarandës. Ish Kampi i Pushimit të Shtëpisë së Fëmijëve në Borsh ka patur një kompleks godinash, të rrethuara nga portokalle dhe ullinj me një sipërfaqe rreth 4 mijë m2. Në çdo sezon veror, fëmijët jetimë të Shtëpisë së Fëmijëve në Sarandës, të shoqëruar nga edukatoret, për gati dy-tre muaj vinin në këtë zonë pranë detit, për pushime.
“Kur mora këtë, shkova drejt në Sarandë, dhe unë u thashë shiko kam në Këshillin e Rrethit, Komuniteti Ekzekutiv të Rrehit, që atëhere pluralist, ishte një grua, atje që punonte, një Jorgji Duka. I thashë që kam një problem të madh, kam humbur shtëpinë në firmat piramidale.
Tani nëse mund të ndihmohem qoftë nga ana njerëzore, qoftë edhe me këtë burim pasurie që kam, më ndihmoni ta gjej i thashë ku kanë qenë prona e paraardhësve të mi.
Gjyshi quhej Mehdi Hila Borshi, ja ku e keni biografinë, stërgjyshi është quajtur Alush Hila”, tregon Diana.
Ish-pronarja më tej tregon se zonja Duka do ta ndihmonte, por disa ditë më pas do të tërhiqej, duke sugjeruar që ajo mund të ishte kërcënuar.
“Atëherë, kur ajo më tha keni tokën tuaj por unë nuk mund të bëj dot gjë, i vinin djersët, i dridheshin duart. Unë i thashë të kanë kërcënuar. Po jo tha nuk është puna atje. Unë vajta në fshat, takova kryeplakun Naim Këlliçi. I thashë unë jam filania, kam tokën time këtu thashë, kam folur me Jorgji Dukën, më ka thënë për një pjesë që është në breg të detit, dikur thonë që ka qenë një shtëpi fëmije atje dhe nuk e di në ç’gjendje është. Thonë që është shkatërruar në vitin 1998”, shprehet Diana duke treguar nga biseda me kryeplakun Naim Këlliçi.
Por kryeplaku Këlliçi do të binte dakord vetëm për t’i kaluar një pjesë të tokës, edhe pse sipas zonjës Bilali ai ka pranuar që ajo është trashëgimtare e pronarëve të këtyre tokave.
“Duke u ngjitur rrugës i them Naim Këlliçit, çfarë ke ndërmend të bësh?
Ai më thotë nuk ta jap Diana, do të jap vetëm 700 metra katrorë… S’të jap firmën!
Po pse? I thashë unë…
Foli me dy nga ata fshatarët dhe ata i thanë ia japin tokën në vend sepse e dimë kush e ka qenë e veja e gjyqtarit, e bija. E lanë për 700 metra katrorë…
Tani do vemi te një grua e vjetër, te Haxho Lala. Po mirë i thashë unë”, tha Diana në vështirësi pasi nuk kishte mundësi të zgjidhte.
Diana rrëfen se Haxho Lala ishte gjyshja e Erilinda Lalas dhe se më pas do t’i merrte 700 metra katrorë. Mirëpo pasi merr një pjesë të pronës së saj Haxho Lala do t’i kërkonte ndihmë që i biri Tajar Lala të ndërtonte një kioskë tek toka e saj për shkak të vështirësive financiare.
Pjesë nga biseda e Diana Bilalit me Haxho Lala:
“Më thotë mua tani (Nëna Axho Lala).
-Ne tani jemi shumë keq nga ana financiare.
– Unë nuk të ndihmoj dot për vete, I thashë.
– Ta bëj një kioskë të vogël djali Tajari!
– Unë e kam provuar vetë, pa shpi dhe pa bukë, mund ta bëj.”
Diana shtanget kur merr vesh se Tajari nga kioskë për të siguruar jetesën kishte bërë hotel mbi pronën e saj. Duke parë ndërtimin pa leje, Diana tregon se me shkresa do ti drejtohej Policisë Ndërtimore Vlorë. Sipas vendimit nr. 122, datë 18.4.2022, asokohe Policia Ndërtimore e Vlorës kishte vendosur prishjen e objektit të ndërtuar nga Tajar Balil Lala mbi ish Shtëpinë e Pushimit të Fëmijës Borsh mbi pronën e saj.
Diana tregon se ia dërgoi në vitin 2014 Drejtorisë së Policisë Ndërtimore Tiranë, por nuk u mor asnjë masë ndaj kësaj godine.
and then