Ministri Lamallari takon në Bruksel Komisionerin për Punët e Brendshme: Thellojmë bashkëpunimin, Policia e Shtetit më shumë akses në platforma të dhënash të KE

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi një takim në Bruksel me Komisionerin Evropian për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, ku në fokus ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian.

Gjatë takimit, ministri Lamallari vlerësoi rezultatet domethënëse të arritura nga Shqipëria në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese evropiane, veçanërisht në fushat e bashkëpunimit policor, gjyqësor, menaxhimit të kufijve, luftës kundër drogës dhe azilit. Ai theksoi se këto arritje janë dëshmi e angazhimit konkret të institucioneve shqiptare për të garantuar rendin, sigurinë dhe zbatimin e ligjit në përputhje me standardet evropiane.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua progresit të Shqipërisë në kuadër të negociatave për Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, një nga kapitujt kyç në procesin e integrimit evropian. Ministri Lamallari nënvizoi se avancimi në këtë kapitull reflekton jo vetëm reforma të qëndrueshme, por edhe rezultate konkrete në terren.

“’Në emër të qeverisë shqiptare, shpreha vullnetin dhe angazhimin për të thelluar bashkëpunimin dhe për të garantuar qëndrueshmërinë e rezultateve, përmes zgjerimit të pjesëmarrjes së Shqipërisë dhe Policisë së Shtetit në më shumë platforma dhe baza të dhënash të Komisionit Evropian për zbatimin e ligjit, krahas bashkëpunimit në nivel dypalësh me shtetet anëtare”, thotë ministri Lamallari.

Takimi në Bruksel konfirmon rolin aktiv të Shqipërisë si një partner i besueshëm në fushën e sigurisë dhe një vend i përkushtuar në rrugën e integrimit evropian.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×