“Shefiti s’fliste me të motrën”/ Burri vrau gruan dhe veten, kryeplaku i fshatit: Policia s’më raportoi për sherrin e 10 ditëve më parë. Askush s’i dëgjoi krismat

Ditën e sotme, në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur”, të moderatores dhe autores Evis Ahmeti, në News24 u trajtua një nga ngjarjet më të rënda dhe tronditëse që ka ndodhur së fundmi në vendin tonë. Në fshatin Kuman, një histori e dhimbshme ka marrë jetën e dy bashkëshortëve të moshuar. 80-vjeçari Shefit Rrapaj dyshohet se ka vrarë me armë zjarri bashkëshorten e tij 75-vjeçare, Dashuri Rrapaj, brenda banesës, përpara se t’i japë fund jetës edhe vetë me të njëjtën armë.

Çifti kishte rreth 20 vite që jetonte në këtë zonë, pasi ishte zhvendosur nga Levan, dhe ishin prindër të 9 fëmijëve, shumica e të cilëve jetojnë në emigracion. Vetëm njëri prej djemve ndodhej pranë tyre dhe është marrë në pyetje nga autoritetet për të ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes. Burime nga fqinjët bëjnë me dije se familja kishte pasur konflikte të vazhdueshme ndër vite.

Madje, vetëm pak ditë para kësaj tragjedie, policia kishte ndërhyrë për të qetësuar një tjetër përplasje mes çiftit. Po ashtu, rezulton se rreth 10 vite më parë, i moshuari kishte tentuar vetëvrasjen.

Kryeplaku i fshatit Tomorr Metani, është bërë sot pjesë e emisionit ku tregoi se nuk kishte dëgjuar kurrë që mes çiftit të kishte konflikte. Ai tha se Shefiti kishte sjellje shumë normale, ndërsa pohoi se viktima, Dashuri Rrapaj ishte zonjë grua. Mes të tjerash ai tha se nuk ishte vënë në dijeni nga policia, të konfliktit të 10 ditëve më parë mes çiftit. Po ashtu kryeplaku tha se Shefiti nuk fliste me të motrën, që banonte shumë pranë banesës së tij.

“Familja Rrapaj ka ardhur para 25 vitesh në fshatin tonë. Kanë qenë shumë të komunikueshëm, nuk kanë pasur probleme. Ata ishin nga Levani i Beratit, dhe u zhvendosën këtu te ne. Shefiti ishte normal, ishte familje e mirë, nuk ka pasur probleme. Ata nuk kanë sjellë ndonjë problem apo shqëtësim. Sidomos Dashuria ishte zonjë grua. Ato gjëra kur i mora vesh dje, u habita. Lajmin e mora vesh nga një shok, që kishte kaluar me makinë. Më tha; ku je? Më tha ka ndodhur një rrëmujë te shtëpia e Shefitit. Më pas mora familjen në telefon, dhe më thanë; po shohim policinë, më duket se ka vrarë veten Shefiti dhe ka vrarë Dashurinë e shkretë. Isha mbrëmë te shtëpia, djali i dajës që e ka përballë, ndan vetëm rruga, tha që; nuk dëgjuam as krisëm, asgjë! Shefiti nuk ka pasur probleme, ka qenë familjar i mirë, i respektuar. Kishte 9 fëmijë. Fëmijët ishin të rregullt, me norma. Ata kanë ikur jashtë. Djali i vogël, ishte nja 1-2 javë nga emigrimi.

Shefiti ishte njeri normal. Nuk e dija që kanë pasur incident. S’më ka marrë kush njeri në telefon. Në muhabetet e brendshme që u bë, po diskutoheshin këto gjëra. Me të vëllanë e Dashurisë që fola mbrëmë, me Enverin, ai nuk dinte gjë. Vëllai i Dashurisë tha se kishte folur 2-3 ditë më parë në telefon me të motrën. Takimi im me Shefitin ka qenë normal. Unë kam një dyqan të vogël te shtëpia. Ai erdhi mori një bidon vaji për motorsharrën. Ishte bisedë shumë normale, si gjithmonë. Në shtëpi ishin vetëm njerëzit e Dashurisë, nuk kishte asnjë nga njerëzit e Shefitit. Motra e Shefitit nuk ishte në shtëpi. Ata nuk komunikonin motër e vëlla. Që kur ka ardhur në Kuman ajo, nuk flasin. Mendoj se ka qenë e papritur. Nuk ngrihej dora ndaj Dashurisë. Sot ika në orën 5:00 nga shtëpia. Fëmijët kishin marrë të ëmën dhe e çuan në fshatin e saj të lindjes. E kanë marr vëllezërit e saj.”, tha ai.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×