Berisha akuza të forta ndaj Ballukut dhe qeverisë: Lubia ka disponuar 12 miliardë euro, vetëm 1 miliard janë investuar, të tjerat janë zhdukur

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me Departamentin e Çështjeve Sociale të PD-së, ka hedhur akuza të rënda ndaj qeverisë dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, të cilën e etiketoi si “Lubi Balluku”.

Në fjalën e tij, Berisha pretendoi se gjatë kohës së drejtimit të saj janë administruar rreth 12 miliardë euro fonde publike, nga të cilat, sipas tij, vetëm një pjesë e vogël është përdorur për investime reale. “Nga 12 miliardë euro të disponuara, vetëm rreth 1 miliard janë investuar, ndërsa pjesa tjetër është zhdukur,” deklaroi ai.

Berisha ngriti shqetësimin se Shqipëria mund të jetë ndër rastet e rralla ku, sipas tij, investimet publike zhduken në përmasa të mëdha, duke akuzuar zyrtarë të lartë për përvetësim të fondeve.

Një nga çështjet kryesore që ai përmendi ishte ajo e inceneratorit të Tiranës, të cilin e cilësoi si “gropën më të zezë” në historinë e financave publike të vendit. Sipas tij, rreth 130 milionë euro janë zhdukur pa lënë gjurmë, ndërsa projekti nuk ka avancuar realisht në terren.

Ai akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama për përzgjedhjen e kompanive përfituese dhe për shpërdorim të fondeve publike, duke pretenduar se paratë janë transferuar në llogari offshore.

Berisha deklaroi se fenomeni i abuzimit me fondet nuk kufizohet vetëm te një projekt, por sipas tij përfshin qindra miliona dhe miliarda euro në vepra të tjera publike. Ai shtoi se, ndërkohë që fondet keqpërdoren, qytetarët përballen me vështirësi ekonomike në rritje.

Në fokus të kritikave të tij ishte edhe situata sociale, ku ai theksoi se pensionistët kanë vështirësi në përballimin e kostove të ilaçeve dhe shërbimeve shëndetësore. Sipas Berishës, një pjesë e madhe e qytetarëve paguajnë nga xhepi për kujdesin shëndetësor më shumë se në vendet e tjera të Evropës.

Ai akuzoi qeverinë për përdorim të ndihmave financiare si mjet elektoral, ndërsa pretendoi se pasuritë e zyrtarëve publikë janë rritur ndjeshëm.

Berisha: Shqipëria mund të jetë vendi i vetëm në botë, nuk mund të them me siguri se është, në të cilin investimet publike zhduken nga 90 në 100 përqind të tyre dhe këto janë të dokumentuara.
Pra, plaçkiten nga zyrtarët më të lartë të vendit.
Asgjë nuk mund të mbulojë, nuk mund të mbyllë gropën më të zezë të ekziston në historinë e këtij vendi, në kryeqytetin e vendit, djegësin e Tiranës.
130 milionë euro të zhdukura pa nam dhe nishan.
Të zhdukura nga një kompani e përzgjedhur nga Edi Rama, e cila vetëkuptohet ka marrë vetëm shpërblimin e emrit, se 130 milionë euro i morën ata që i nxorën nga thesari i shtetit dhe i dërguan në bankat offshore.
Për 5 vite, në këtë vepër publike, pavarësisht se nga thesari i vendit disbursoheshin dhjetëra milionë në vit, nuk u hodh një tullë dhe në krye të 6 viteve nuk ka një themel.
Dhe prokuroria nuk ka arritur të gjejë, të rikuperojë as dhe një qindarkë.
Nuk është si shumë në vlerë më i madhi djegësi i Tiranës, por është më i dukshmi, më i qarti.
Shuma kolosale, qindra e qindra milionë janë vjedhur në vepra të tjera publike, miliarda.
Vetëm Lubi Balluku ka disponuar gjatë periudhës së saj si ministre dhe zëvendëskryeministre, 12 miliardë euro.
12 miliardë euro, në mënyrë absolute, në çdo lloj kontrolli, nuk shkojnë kurrë më shumë se 1 miliard investime në publike, të cilat janë shembur njëra pas tjetrës. Janë zhdukur.
Ndërkohë, shqiptarët varfëroheshin dhe varfërohen çdo vit e më shumë.
Shqiptarët sot 760 mijë pensionistë, përveçse një grup i vogël, nuk mund të përballojnë në mënyrë absolute mjekimin me ilaçet e përditshme. Nuk i marrin dot. Me ilaçet, me çmime stratosferike.
60 përqind, shqiptarët janë qytetarët që paguajnë më shumë në Evropë nga xhepi i tyre për shëndetin e tyre.
Kudo paguajnë njerëzit, qytetarët për shëndetin e tyre, por paguajnë një përqindje të caktuar.
Dhe kjo përqindje në Shqipëri iu është rritur dhe është sot më e larta, çka do të thotë se kanë si alternativë pamundësinë e mjekimit, pamundësinë e blerjes së ilaçeve.
Për pensionistët është gjetur një formulë mashtrimi elektoral. 50 euro vota e tyre në zgjedhjet lokale, 100 euro vota e tyre në zgjedhjet e përgjithshme.
Ndërkohë, kontot bankare të qeveritarëve shkojnë qindra milionë dhe miliarda.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×