
Gazetari Ermal Peçi, i ftuar në studion e News24, komentoi zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike dhe tensionet mes ish-deputetit Ervin Salianji dhe lidershipit të partisë, pasi Salianji ka shprehur ambicien për të kandiduar si kryetar i PD.
Peçi theksoi se çdo individ ka të drejtë të ketë ambicie politike, por mënyra dhe momenti i veprimit janë vendimtarë. “Salianji kërkon të injorojë realitetin dhe situatën në PD, por nuk mund të shmangë pasojat. Deri tani ai quhet i vetëpërjashtuar nga Berisha,” tha gazetari.
Ai vuri në dukje mungesën e racionalitetit në vendimet e Berishës: “Berisha nuk e do Salianjin nëpër këmbë. Salianji tenton të hedhë fajin te Flamur Noka, por Noka është pjesë e Berishës dhe e di rolin që ka brenda partisë.”
Peçi parashikoi se Salianji, në këtë kaos që ka përfshirë PD-në, nuk do të ketë hapësirë për të krijuar një fraksion brenda partisë: “Sa kohë nuk i jepet pushtet politik dhe nuk e pranon si fraksion, i ngelet vetëm mundësia të krijojë një parti tjetër.”
Ai shtoi se ambicia e Salianjit mund të jetë e vlefshme për rritjen e vetbesimit, por është e pamundur që ai të imponohet ndaj Berishës, të cilin Peçi e cilësoi si “pronar i PD-së”.
Gazetari përmendi gjithashtu sfidat e mëdha që PD po përballet, duke përfshirë faktin që kryetari aktual është shpallur non grata në SHBA dhe akuzat ndaj SPAK, që ka arrestuar persona të afërt me kryeministrin Edi Rama.
and then