
Rritja e çmimit të karburanteve pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme po jep ndikim të drejtpërdrejtë në transportin publik në vend. Kryetari i transportit qytetas dhe ndërqytetas, Dashnor Memaj, deklaroi se sektori është ndër më të prekurit nga kjo situatë.
I ftuar në emisionin “News24 Fundjavë” me Megi Latifin, Memaj tha se çmimi i naftës është rritur me 60-70 lekë për litër, duke rënduar ndjeshëm kostot e operatorëve.
“Transporti publik ishte më i godituri. Që në javën e parë të nisjes së luftës kemi kërkuar masa nga institucionet dhe bashkitë, por nuk pati asnjë reagim”, u shpreh ai.
Sipas Memajt, situata është e ngjashme me krizën e vitit 2022 gjatë konfliktit Lufta Ukrainë-Rusi, kur qeveria ndërhyri me subvencione për operatorët e transportit.
Për të përballuar krizën, operatorët kanë paraqitur tre kërkesa kryesore:
-Heqjen e taksave të larta mbi karburantin, përfshirë pezullimin e përkohshëm të akcizës dhe taksës së qarkullimit
-Subvencion të drejtpërdrejtë për sektorin
-Dialog institucional për të gjetur zgjidhje konkrete
Megjithatë, sipas tij, këto kërkesa kanë “rënë në vesh të shurdhër”, duke detyruar operatorët të marrin masa drastike.
“Nuk është formë presioni, por si pasojë e pamundësisë ekonomike, pritet që rreth 35% e autobusëve të dalin jashtë qarkullimit”, paralajmëroi Memaj.
Ai shtoi se vetëm Bashkia Tiranë ka reaguar, duke i thirrur në një takim dhe duke premtuar zgjidhje, ndërsa bashkitë e tjera nuk kanë dhënë asnjë përgjigje.
and then