
Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati është shprehur se Europa tashmë po hyn në një fazë të re të forcimit strategjik, përballë të gjitha krizave globale.
Në një analizë të gjerë në “Public Square”, Ditmir Bushati diskuton me Marc DeVos, themelues i “Itinera” think tenk, studiues, akademik me një eksperiencë të gjerë që mbulon Bashkimin Europian, globalizimin dhe ekonominë si dhe profesor në Universitetin e Ghent-it Belgjikë.
Bushati dhe DeVos analizojnë gjithashtu perspektivën e projektit europian në kushtet e transformimeve të thella gjeopolitike që po ndikojnë kontinentin europian.
Gjatë intervistës, DeVos theksoi se Europa po përballet njëkohësisht me agresionin e Russia në lindje, me konkurrencën ekonomike të Kinës dhe me ndryshimet strategjike në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. DeVos argumenton se këto sfida nuk do ta dobësojnë Bashkimin Europian, por do ta shtyjnë atë drejt një forme të re integrimi më të fortë.
Sipas DeVos, modeli europian i ndërtuar mbi tregun, normat dhe fuqinë e butë nuk është më i mjaftueshëm për realitetin aktual, ndaj Europa duhet të ndërtojë kapacitete reale në siguri, mbrojtje, industri dhe autonomi strategjike. Ai nënvizoi se kontinenti po kalon një tranzicion gradual, ku krizat po prodhojnë mekanizma të rinj bashkëpunimi politik dhe ekonomik, ashtu siç ka ndodhur historikisht në fazat më të rëndësishme të integrimit europian. Në analizën e tij, De Vos theksoi se një Europë më e fortë nuk është kundër SHBA-ve, por synon të jetë më pak e varur nga garancitë amerikane, duke ruajtur partneritetin transatlantik dhe duke forcuar njëkohësisht kapacitetet e veta strategjike.
DeVos vlerëson se edhe pse në afat të shkurtër Europa mund të duket e brishtë përballë krizave të sigurisë dhe tensioneve ekonomike, potenciali i saj i brendshëm mbetet i madh dhe e ardhmja e saj lidhet me një bashkëpunim më të thellë midis vendeve europiane. Sipas tij, kontinenti po hyn në një “revolucion të heshtur”, ku gradualisht po ndërtohen bazat e një Europe më të fuqishme politikisht dhe strategjikisht.
and then