
Historia e Noelias 25 vjeçare (vajza në foto), e cila vdiq duke kryer eutanazinë për t’iu shpëtuar vuajtjeve disa vjeçare, nuk është thjesht një tragjedi personale. Është aktakuzë ndaj një shteti që duhej ta mbronte dhe nuk e bëri. Një sistemi që jo vetëm dështoi, por në fund e la pa rrugëdalje. Një sistem që e kishte më të lehtë ta ndihmonte të vdiste, sesa të jetonte.
E futur në një qendër shtetërore, aty ku siguria duhet të ishte e garantuar nga shteti, ajo u përball me dhunë çnjerëzore. Në tentativë për t’u vetëvrarë u hodh nga dritarja, por mbeti e paralizuar. Në këto kushte, e braktisur nga një realitet që nuk i ofroi as shpëtim, as dinjitet, as shpresë, ajo zgjodhi të largohej përfundimisht nga jeta duke shfrytëzuar të drejtën për eutanazi që ligji spanjoll e njeh. Dhe kjo nuk është thjesht një zgjedhje individuale. Është fundi i një rruge, ku çdo derë tjetër ishte mbyllur.
Po sa “Noelia” ka në Shqipëri?
Sa njerëz jetojnë në mizerje pa trajtim dinjitoz?
Sa të tjerë mbijetojnë në varfëri ekstreme, pa ilaçe, pa mbështetje, pa zë?
Ne i shohim çdo ditë në kronikat televizive. I dëgjojmë si lajme që na prekin dhe harrojmë pas pak minutash. Por pas çdo rasti, është një njeri që shtyhet drejt humnerës, jo vetëm nga fati, por më së shumti nga neglizhenca, nga mungesa e politikave, nga indiferenca institucionale dhe e shoqërisë.
Çfarë duhet të bëjë një njeri kur shteti nuk ekziston për të? Kur nuk ka para për kurim? Kur nuk ka shërbim social? Kur dhimbja bëhet e përditshme dhe e padurueshme? Kur dinjiteti i nëpërkëmbur dhemb më shumë se plagët?
Në një botë ku askush nuk kujdeset për dhimbjen e të tjerëve, vdekja nuk është më zgjedhje por pasojë e indiferencës.
Dhe është e vështirë ta thuash, por është e vërtetë: një shtet që nuk kujdeset për më të dobëtit, që nuk garanton minimumin jetik, dhe njerëzit rrëzohen pa barrierë sigurie, është një shtet që i shtyn ata drejt fundit.
Tragjedia nuk fillon në momentin kur dikush vendos të largohet nga jeta. Ajo fillon shumë më herët, aty ku sistemi nuk funksionon si të mos kishte ekzistuar.
Nëse nuk flasim për këtë, nëse nuk kërkojmë përgjegjësi, atëherë kemi të bëjmë me një realitet të normalizuar, ku jeta humbet vlerën e saj. Kjo është ndoshta pjesa më e frikshme nga të gjitha.
Në fund, nuk është vetëm historia e Noelias. Është pasqyrimi i një shoqërie që lejon vuajtjen të bëhet normale dhe indiferencën e ka rutinë. Deri sa të ndryshojë sistemi, çdo humbje jete bëhet një thirrje për të gjithë: A do të jemi pjesë e ndryshimit, apo thjesht dëshmitarë të heshtur të një tragjedie të paracaktuar?
and then