Mes frikës dhe interesave, kur ‘përballja e hapur’ kthehet në heshtje të detyruar

Premtimi i Taulant Ballës për një mbledhje dhe përballje të hapur, për të diskutuar mungesën e Elisa Spiropalit në seancën parlamentare ku do të votohej kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, nuk u reflektua realisht këtë të shtunë në mbledhjen e grupit parlamentar të PS.

Mbledhja e deputetëve socialistë në Pallatin e Brigadave, me ndërhyrjen e ashpër të Edi Ramës ndaj Elisa Spiropalit, konfirmoi një klimë kontrolli të fortë në parti.

Në vend të një diskutimi parimor mbi arsyet e mungesës së Spiropalit në votimin e 12 marsit, ajo që ndodhi ishte një komunikim i tipit disiplinor nga kryeministri, si mësuesi në një klasë: “Mos fol”, “Mos ndërhy”!

Kjo nuk është përballje politike, por një formë menaxhimi e grupit, që zëvendëson argumentin me autoritetin.

Në këto kushte, edhe ata deputetë që në thelb ndajnë të njëjtat rezerva me Spiropalin, nuk i artikulojnë. Jo nga mungesa e bindjes, por nga mungesa e hapësirës. Dhe kur çështja lidhet me figura si Balluku, që po mbrohet hapur dhe vazhdimisht nga Edi Rama, kjo mbyllje bëhet edhe më e fortë.

Madje, paradoksi është se sa më shumë shtohen skandalet dhe çështjet që kërkojnë sqarim e debat, aq më shumë ngushtohet hapësira për diskutim brenda grupit. Në vend që të ketë më shumë transparencë dhe ballafaqim, rritet presioni për rreshtim dhe heshtje.

Problemi nuk është vetëm incidenti i sotëm, por modeli i krijuar. Një grup i rreshtuar deputetësh, nën presion të vazhdueshëm e që s’guxojnë të flasin. Dhe kjo nuk shpjegohet vetëm me frikën nga Njëshi, apo me paaftësinë për të argumentuar. Është edhe produkt i mpleksjes së interesave, ku heshtja bëhet më e leverdishme se fjala, dhe ku mbrojtja e njëri-tjetrit zëvendëson përgjegjësinë publike.

Në këtë pikë, nuk flitet më thjesht mungesë debati, por një deformim të thellë të funksionimit demokratik brenda shumicës!



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×