
Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, ka folur në prag të ndeshjes miqësore që kuqezinjtë do të zhvillojnë nesër në orën 14:30 ndaj Uzbekistanit në Antalia. Në prononcimin e dhënë për fshf.org, Bushi u ndal te përgatitjet e ekipit, integrimi i lojtarëve të rinj dhe vlerësimi për kundërshtarin.
Trajneri theksoi se skuadra ka pasur një periudhë të gjatë përgatitore në këtë grumbullim, gjë që ka ndihmuar ekipin të punojë më qartë në aspektin taktik dhe të përmirësojë bashkëpunimin mes lojtarëve.
“Është hera e parë që grumbullohemi kaq ditë stërvitje për të kryer një ndeshje. Mendoj që kemi një grup shumë të mirë. Na kanë ardhur lojtarë të rinj për herë të parë që vijnë nga jashtë siç është Asani, Gojani dhe Dibrani që janë lojtarë goxha cilësor dhe do e ndihmojnë shumë këtë ekip. Janë përshtatur mirë me grupin, do të kemi ide shumë të qarta, do të jemi shumë të saktë në ndeshjen me Uzbekistanin sepse janë shumë ditë që stërvitemi dhe e njohim shumë mirë njëri tjetrin, i kanë kuptuar shumë qartë skemat, taktikat dhe idetë tona dhe për këtë jam shumë i kënaqur”, u shpreh Bushi.
Duke folur për kundërshtarin, trajneri i U-21 vlerësoi skuadrën e Uzbekistanit, duke theksuar se pavarësisht se Shqipëria konsiderohet favorite, ndeshja duhet marrë me seriozitet maksimal.
“Uzbekistani është një ekip i mirë që duhet vlerësuar dhe respektuar. Ne e pamë pardje ndeshjen me Rusinë në Antalia, u mundën 2-1, por gjithë kohës ishin në lojë, barazuan rezultatin 1-1, ishte një ekip shumë i fortë, ne e kemi vlerësuar shumë. Nuk diskutohet që ne jemi favoritë në këtë ndeshje, do ta kemi lojën në kontroll. Do mundohemi të bëjmë ato gjëra që i kemi bërë gjithë javës në stërvitje dhe jam shumë i sigurt që do të dalim me shumë sukses”, përfundoi trajneri i Kombëtares U-21.
and then