Debatet e brendshme në Partinë Socialiste nuk janë më thjesht zëra korridoresh, por një realitet që po merr formë gjithnjë e më shumë në publik. Episodet e fundit, me qëndrimet e Elisa Spiropalit dhe heshtjen e një pjese të deputetëve, kanë nxjerrë në pah një klimë të mbushur me pasiguri, mosbesim dhe, mbi të gjitha, me frikë. Frika nuk është më vetëm perceptim.
Ajo reflektohet në mënyrën se si komunikojnë deputetët mes tyre, në biseda të mbyllura, tavolina të vogla, shmangie e deklarimeve publike dhe një kujdes i shtuar për çdo fjalë që mund të regjistrohet. Ka një ndjesi të përgjithshme se çdo qëndrim mund të përdoret më pas, duke i bërë shumë prej tyre të zgjedhin heshtjen për mbijetesë politike. Dhe kjo heshtje, më shumë se çdo deklaratë, flet për gjendjen reale brenda shumicës.
Disa nga ata që dikur shfaqeshin të fortë dhe agresivë në mbrojtje të pushtetit, sot janë të tërhequr, pothuajse të padukshëm. Figura që në kohën kur Erion Veliaj drejtonte Bashkinë e Tiranës konsideroheshin “tigra” politikë, sot duken të stepur, të përmbajtur, madje në disa raste të zhdukur nga debati. Ndërkohë që Veliaj përballet me situatën e tij, mbështetja publike ndaj tij është minimale, çka e bën edhe më të dukshme këtë transformim të sjelljes. Në këtë panoramë bie në sy grupimi pranë Belinda Ballukut, i cili duket se ruan një prani më të fortë në mbështetje të saj. Pjesa tjetër e partisë, në të kundërt, qëndron në një neutralitet të ftohtë, pa marrë përsipër asnjë qëndrim të qartë, as në mbështetje dhe as në distancim.
Ndoshta problemi më i madh nuk është përplasja mes individëve apo grupimeve, por kultura që reflektohet. Një kulturë politike që të qëndron pranë kur je i fortë dhe të braktis sapo dobësohesh. Një raport i kushtëzuar nga interesi dhe jo nga bindja, që në momente të vështira kthehet në indiferencë ose në heshtje.
Ndaj qëndrimet e fundit të Elisa Spiropalit perceptohen si akt guximi. Në një ambient ku shumë burra zgjodhën të mos flasin, ajo artikuloi një pozicion, duke dalë nga rreshti i heshtjes. Nga ana tjetër, figura si Erion Braçe mbeten të veçuara, me një profil të konsoliduar dhe kritik. Ai shihet si një politikan me rrënjë në terren dhe me një lloj autenticiteti që u mungon shumë të tjerëve. Mbështetja që gëzon nuk është vetëm politike, por edhe qytetare, duke e bërë një figurë që potencialisht mund të kapërcejë kufijtë tradicionalë të elektoratit.
E gjithë kjo situatë krijon përshtypjen e një tensioni të brendshëm që nuk është shfryrë ende. Një proces që “zien” në heshtje, në korridore dhe biseda të mbyllura, por që në çdo moment mund të dalë në sipërfaqe me më shumë forcë. Kjo do të ndodhë, është vetëm çështje kohe!
Gazeta Panorama
and then