EKSKLUZIVE/ U rrëmbye dhe u torturua për vdekje, “Në Shënjestër” zbardh emrin e personit të zhdukur 11 vjet më parë! Çfarë dëshmuan në polici babai dhe e dashura?

Emisioni “Në Shënjestër” në News24, me autore Klodiana Lalën, publikon për herë të parë ekskluzivisht, emrin e personit të zhdukur 11 vjet më parë, më 19 janar 2015, eshtrat e të cilit u gjetën në malet e Librazhdit, në fund të vitit 2015.

Ekspertiza e eshtrave dhe analiza e AND-së e cila u përputh edhe me atë të prindërve, treguan se i përkasin Enton Janushit i cili njihej dhe me gjeneralitet Taulant Janushi apo edhe Taulant Maze.

“Nga mostra biologjike e ekzaminuar me analizën e ADN-së përgatitur nga materiali kockor, marrë gjatë zhvarrosjes së kufomës së paidentifikuar në fshatin Babje Librazhd, më datë 2 Nëntor 2022, u përftua një profil gjenetik i seksit mashkull i vlefshëm për identifikim.

Nga krahasimi i kryer midis profilit gjenetik të shtetasit Namik Janushi, ekzaminuar nga ana jonë me akt të veçantë, me profilin gjenetik të përftuar nga materiali kockor marrë gjatë zhvarrosjes së kufomës së paidentifikuar në fshatin Babje, Librazhd, më datë 2 Nëntor 2022, arrin në përfundimin se këto dy profile paraqesin lidhjen gjenetike babë e bir.

Po kështu nga krahasimi i kryer midis profilit gjenetik të shtetases S. Janushi, ekzaminuar nga ana jonë me akt të veçantë, me profilin gjenetik të përftuar nga materiali kockor marrë gjatë zhvarrosjes së kufomës së paidentifikuar në fshatin Babje, Librazhd, më datë 2 Nëntor 2022, arrijmë në përfundimin se këto dy profile paraqesin lidhjen gjenetike nënë e bir”, thuhet në përgjigjen e AND-së.

Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, shkaku i vrasjes së tij thuhet se ishte thyerja e kafkës.

Enton Janushi, atë kohë 28 vjeç,  humbi gjurmët mesditën e datës 19 Janar 2015, ku për herë të fundit u pa pranë Liqenit të Thatë në zonën e Koopshtit Zoologjik në Tiranë.

Dhe që nga ai moment askush nuk pati më informacion rreth fatit të tij.

Ndërsa personat e fundit që u takuan me të para se të zhdukej, ishin prindërit , me të cilët sapo ishte ndarë.

Një histori e cila tashmë nuk ka më dyshime jo vetëm rreth fatit të tij, por edhe se çfarë ndodhi me të.

Dyshimet duken tashmë të vërtetuara, se Enton Janushi pasi u rrëmbye, u torturua dhe më tej u vra në mënyrë barbare, për t’u groposur, atje ku në bindjen e pengmarrësve të tij askush nuk do e gjente më trupin e tij.

Gjë e cila mesa duket vonoi por nuk harroi. Pasi rastësia bëri që eshtrat të dalin në dritë dhe të bien në sytë e barinjve të zonës, të cilët kryen edhe denoncimin në polici

Në analizën mjeko-ligjore thuhet se, pas informacioneve të para të marra se në një zonë malore në Librazhd, në fshatin Babje, janë gjetur eshtra humane, policia e Elbasanit, pasi ka shkuar në vendngjarje, ka zhvarrosur disa eshtra që në fillim u menduan se i përkasin këngëtarit të njohur të tallavasë Renato Hamza, ose siç njihej ndryshe ‘Reni i Elbasanit’.

Por për të arritur në këtë vendim fillimisht eshtrat do të krahasoheshin me nënën e këngëtarit të zhdukur, nga ku nuk u gjetën përputhshmëri.

Por kush ishte Enton Janushi dhe përse ai pati një fat të tillë mizor?

Cila është lidhja e tij me një tjetër vrasje makabër që tronditi Hollandën në Janarin e vitit 2015, vetëm disa ditë para se ai të linte Hollandën dhe të kthehej në Shqipëri.

Pjesë nga dokumentari

Para se të shkojmë te ajo çfarë kishte ndodhur me Enton Janushin, që mbante edhe gjeneralitetet Taulant Janushi, apo Taulant Maze, le të mësojmë diçka më shumë mbi rrethanat se si ai u zhduk më datë 19 Janar 2015 në Tiranë.

Cila ishin bisedat e fundit që ai bëri me babain e tij dhe me të dashurën.

Dhe pse ai ishte aq shumë i shqetësuar pas kthimit nga Hollanda, ku më pas rezultoi se ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Kush ishin dy emrat që sipas tij e kishin pritur në aeroportin e Shkupit, menjëherë pas fluturimit që kishte bërë nga Hollanda.

Deklarime që në fakt u bënë në polici nga babai i tij më 26 Shkurt 2015, vetëm disa javë pasi 28 vjeçari ishte zhdukur në rrethana të paqarta në Tiranë.

“Më datë 26 Shkurt 2015 rreth orës 20.00 në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë, është paraqitur dhe ka bërë kallëzim penal shtetasi Namik Janushi, i cili pretendon se më datë 19 Janar 2015, ka humbur kontaktet me të birin, shtetasin Enton Janushi,

Dhe sipas denoncimit që ai ka bërë Entoni është larguar nga banesa pa adresë dhe ka lënë në banesë Kartën e Identitetit dhe Pasaportën. Ku dyshimet e tij janë se i biri mund të jetë rrëmbyer”, thuhet në dosjen hetimore.

Gjithmonë sipas dëshmisë së dhënë nga babai i tij në polici, para se të largohej në mënyrë të papritur, Enton Janushi, po kaq papritur ishte kthyer edhe në banesën e tij në Tiranë.

Gjë që kishte ndodhur më datë 17 Janar 2015, vetëm dy ditë para se të zhdukej pa gjurmë. Gjatë bisedave me të birin, ai tha se e pa atë tejet të shqetësuar, por pa i shprehur arsyet e vërteta të këtij trazimi.

“Djali im Entoni u kthye në Shqipëri më datë 17 Janar 2015, rreth orës 15.00. Ai gjatë kësaj kohe kishte qëndruar në Hollandë.

Nga biseda me të unë mësova që ai kishte mbërritur në Shqipëri në linjë ajrore deri në aeroportin e Shkupit,  bashkë me një shokun e tij që më tha se quhet B. (M). Sh. Këtu ku i ka pritur një person me emrin Miri, dhe të tre së bashku më pas po sipas tij kanë ardhur në drejtim të Tiranës”, mësohet të ketë thënë I jati në dëshminë e tij në polici.

Sipas të atit atë natë të kthimit nga jashtë, Entoni kishte fjetur në banesën e prindërve. Por pavarësisht insistimit të tyre, ai nuk kishte rrëfyer mbi shqetësimin që e mundonte.

Të nesërmen ai ka dalë nga banesa dhe është drejtuar për në zonën e Koopshtit Zoologjik në kryeqytet, aty ku ka takuar motrën e tij. Por pa u kthyer më të kalojë natën në banesën e prindërve të tij. Dita e fundit kur ata u panë në të gjallë, ishte pikërisht data 19 Janar 2015.

“Më datë 18 Janar 2015, Entoni doli nga banesa dhe shkoi të takojë motrën e tij që banon pranë zonës së Koopshtit Zoologjik.

Më datë 19 Janar 2015, rreth orës 10. 30 aty shkova dhe unë së bashku me bashkëshorten dhe më pas u larguam për në banesën tonë. Po atë ditë, disa orë më vonë në telefonin e bashkëshortes sime erdhi një sms nga djali Entoni më këtë përmbajtje: ‘Do të dal, kur të vini dhe mos më gjeni, kur të kthehem do ju shkruaj”, ka dëshmuar babai i Enton Janushit.

Ky ishte mesazhi dhe kontakti i fundit që Enton Janushi pati me familjen e tij. Që pas këtij momenti ai humbi të gjitha lidhjet me familjen e cila mesa duket e mësuar me ikjet dhe ardhjet e tij, priti më kot me shpresë së ai do të kthehej në banesën e tyre.

Ndërkohë që babai i tij, Namik Janushi, filloi të krijonte dyshimet e para se ai mund të ishte rrëmbyer. Kjo edhe për faktin se Entoni ishte larguar nga banesa pa marrë mjetet e tij të identifikimit.

“Që pas sms-së që dërgoi në telefonin e nënës së tij, deri më sot që po bëj denoncimin për zhdukjen e tij, nuk kemi asnjë kontakt me Entonin dhe po kështu nuk kam asnjë dijeni për vendndodhjen e tij.

Ndaj dyshoj se djali mund të jetë rrëmbyer”, mësohet të ketë thënë ai.  Menjëherë pas këtij denoncimi, grupi hetues, nisi verifikimin e të dhënave mbi Enton Janushin dhe aktivitetin e tij jashtë Shqipërisë.

Ku fillimisht u bë kqyrja e sistemit TIMS, nëse të dhënat e deklaruara nga babai i tij dhe të rrëfyera nga i biri korespondonin me gjetjet e hyrje-daljeve në pikat e kalimit kufitar, të tij dhe të personave që ai kishte thënë se e shoqëronin që nga aeroporti i Shkupit deri në mbërritjen në Tiranë.

Nga verifikimet në sistemin TIMS rezulton se Enton Janushi ka hyrë në Shqipëri më datë 16 Janar 2015, në orën 04.12 min nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Qafë Thanës si këmbësor dhe ka përdorur si mjet dokumenti udhëtimi pasaportën.

Nga verifikimet nuk rezulton që në këtë datë bashkë me të, të kenë hyrë në Shqipëri edhe shtetasi B.(M.)Sh. Po kështu nuk rezulton që në këtë datë të ketë dalë nga Shqipëria as personi me emrin Miri, i identifikuar si shtetasi F. (R). R, siç pretendohet nga shtetasi  Namik Janushi.

Por edhe pse në sistemin TIMS, këta persona nuk rezultonin që të kishin hyrë në Shqipëri me Enton Janushin, grupi hetues mori gjithsesi në pyetje, dy personat që 28 vjeçari kishte rrëfyer me të mbërritur në banesë, se kishin qenë shoqëruesit e tij, pas zbritjes nga aeroporti i Shkupit më datë 16 Janar 2015.

(M.) Sh. dhe F. (R.) R mohuan të kishin shoqëruar Enton Janushin, pas fluturimit të tij nga Hollanda.

“Në lidhje me largimin e Enton Janushit nga banesa janë marrë në pyetje edhe shtetasit B. (M.) Sh. si dhe shtetasi F. (R.) R.

Ky i fundit deklaroi se Entonin e njeh me emrin ‘Labi’ dhe se për herë të fundit është takuar me të në muajin tetor të vitit 2014 dhe e ka kontaktuar në rrugë së bashku me shtetasin B. (M.) Sh.

Ai gjithashtu deklaroi se nuk ka dalë jashtë Shqipërisë më datë 16 dhe 18 Janar”, thuhet në dosjen hetimore për vrasjen e Enton Janushit që disponon emisioni “Në Shënjestër”.

Dhe se nuk është takuar me shtetasin që e thërrasin ‘Labi’. Sipas grupit hetues këto të thëna u vërtetuan edhe nga të dhënat e sistemit TIMS.

Por edhe nga kqyrja e telefonave të dy personave të lartpërmendur, të cilët nuk rezultuan që të kishin patur komunikime me numrin e telefonit të mbajtur në përdorim nga Enton Janushi, nga data 16 Janar dhe në vazhdim.

Apo edhe përpara kësaj date. Por njëkohësisht me prindërit e Enton Janushit, tashmë të zhdukur, grupi hetues mori në pyetje edhe të dashurën e tij, personi i fundit me të cilën ai kishte qëndruar. E cila edhe ajo ashtu sikur prindërit e Entonit, rrëfeu se ai ishte shumë i shqetësuar, por pa treguar se çfarë i kishte ndodhur.

E pyetur në lidhje me zhdukjen e shtetasit Enton Janushi, shtetasja D.T, e cila rezulton të jetë e dashura e tij, deklaron se është takuar me Entonin më datë 17 janar 2015. Dhe se së bashku kanë qëndruar në hotel deri më datë 19 Janar 2015 rreth orës 14.00. Kohë në të cilën është ndarë me të dhe është nisur me makinën e saj në drejtim të Fierit.

Gjatë intervistimit përpara grupit hetues, e dashura e Enton Janushit, rrëfeu se ai i kishte treguar se kishte mbërritur në Shqipëri nga Hollanda, më datë 17 Janar 2015. Dhe duke e parë atë shumë të shqetësuar kishte tentuar disa herë të mësonte se çfarë i kishte ndodhur. Por ai sipas saj i ishte kthyer ashpër duke i thënë se nuk ishin punë për të.

Gjatë marrjes në pyetje e dashura e Enton Janushit, tha se kishte mësuar prej tij që kishte mbërritur nga Hollanda  më datë 17 Janar 2015. Ajo po kështu tha se ai ishte shumë i shqetësuar. Por teksa e kishte pyetur se çfarë kishte ai nuk i kishte treguar gjë.

Vetëm sa i kishte thënë që ta linte rehat pasi nuk ishin punë për të. Në lidhje me ditën e tyre të fundit, e dashura e Enton Janushit, tregoi se ata kishin folur me njëri-tjetrin deri në mesditë. Por më pas çdo komunikim ishte shkëputur midis tyre. E vetmja gjë që ai kishte mundur t’i thoshte ishte se do të dilte me disa shokë.

Në dosjen  hetimore thuhet se, gjatë marrjes në pyetje e dashura e Enton Janushit, tha ndër të tjera se më datë 19 Janar 2015, kishte folur në telefon me të dhe ai i kishte thënë se do të dilte me disa shokë.

Sipas saj, komunikimi i fundit midis tyre kishte qenë në këtë datë rreth orës 14.00, më pas ajo i kishte rënë disa herë telefonit, por edhe pse ishte i hapur, ai nuk iu përgjigj thirrjeve të saj. E shqetësuar për humbjen e kontakteve me të dashurin e saj, ajo tha për grupin hetues se insistoi në telefonatat e saj edhe në dy ditët në vazhdim.

 

 



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×