Tendera, pengmarrje dhe fshehje pasurie/ BKH dhe SPAK kontrolle 8 orë në vilat luksoze të Ergys Agasit në jug, hetime për banesën me qira që prindërit e Karçanajt ia dhanë biznesmenit në arrati

Me urdhër të SPAK, në një kompleks luksoz në jug të vendit, konkretisht në Palasë, është ushtruar kontroll nga BKH, ku në shënjestër ishin pronat e Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit, dy biznesmenë të shpallur në kërkim për skandalin e AKSHI-t.

Bëhet fjalë për kontrolle në kuadër të një hetimi penal që SPAK po bën për një grup kriminal që vepronte brenda AKSHI-t. Gazetarja Klodiana Lala në një lidhje live për News24, një ditë pasi raportoi lajmin ekskluziv, tregoi detaje nga aksioni në fjalë. Lala raportoi se krahas hetimit penal që lidhet me paracaktimin e tenderave apo dhe marrjen peng të biznesmenëve, SPAK po bën dhe një hetim pasuror, për këta persona dhe ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.

“Dje News24 ekskluzivisht raportoi se kontrollet u ushtruan në dy vila luksoze, që janë në pronësi të biznesmenit Agasi. Kontrollet kanë zgjatur 8 orë, ku janë marrë materiale, që pritet të verifikohen nga SPAK. Një tjetër vilë që ishte në përdorim nga Ermal Beqiri, i është nënshtruar kontrollit, vila është regjistruar në emër të prindërve të Mirlinda Karçanajt, që ia kishin dhënë me qira Ermal Beqirit. Mund të jetë një pasuri e fshehur dhe mund të jetë një konflikt interesi. Janë marrë të dhëna dhe materiale nga ky ambient. Burime nga SPAK bëjnë me dije se janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe vila, që mund të jenë pasuri të fshehura të personave të dyshuar. Emrat e personave që kanë vilat, mbahen në top-secret, që mos të identifikohen personat e tretë. Nën masë sigurie u vendos Mirlinda Karçanaj, dhe ish-zëvendësja e saj, Hava Delibashi, e cila është liruar nga masat, pasi është shtatzënë. Masat mbeten në fuqi për disa biznesmen dhe zyrtarë të policisë. Hetimet për AKSHI-n po vijojnë me dy drejtime, pasi po hetohet dhe pengmarrja e Daniel Shimës dhe Geron Meçes, por nuk përjashtohen dhe raste të tjera.
Janë duke u hetuar dhe po kalojnë në filtër shumë kompani dhe pasuritë e zyrtarëve që përfshihen në këtë aferë. Prokuroria po heton dhe zyrtarë policie që mund të jenë përfshirë në këtë aferë.”, pohoi Lala.

MASAT
Prokurorinë e Posaçme lëshoi masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’, për ish-drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Karçanaj. Mbi të ka dyshime për abuzime me tenderat e zhvilluar nga institucioni që ajo drejton.

SPAK po heton 12 procedura tenderuese që dyshohet se janë paracaktuar, me vlera të larta që lidhen kryesisht me mirëmbajtjen e serverave të institucioneve të rëndësishme shtetërore. Hetimet kanë zbuluar se kriteret e tenderave dyshohet të jenë diktuar nga kompanitë pjesëmarrëse, duke krijuar terren për fitime të garantuara me miliona euro.

Në hetim është edhe biznesmeni Ermal Beqiri, pronar i kompanisë “Soft & Solution”. Ndaj tij SPAK ka caktuar masën ‘arrest me burg’. Sipas SPAK, dyshohet se Beqiri ka përfituar shuma të konsiderueshme nga procedurat e kontestuara. Masa e arrestit në burg është dhënë nga SPAK dhe GJKKO edhe për biznesmenin tjetër, Ergys Agasi i cili gjithashtu ndodhet në arrati.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×