Festivali i Gazetarisë “PYET”, një platformë e re për gazetarinë cilësore. 55 figura të medias u bashkuan brenda dy ditëve me audiencën dhe studentët

Në fund të marsit, për herë të parë në Shqipëri u zhvillua Festivali i Gazetarisë “Pyet”, nën idenë e Kristi Gongos. Brenda dy ditëve 55 figura të rëndësishme mediatike u bënë bashkë me audiencën dhe studentët e gazetarisë në edicionin e parë të Festivalit, një ngjarje që synon të kthehet në një platformë të përvitshme në shërbim të gazetarisë cilësore, etikës profesionale dhe luftës kundër dezinformimit.

Në periudhën 30- 31 mars te piramida u mblodhën personalitete nga fusha e medias, akademisë, institucioneve e dhjetëra të rinj e publik i interesuar, duke krijuar një hapësirë të hapur dialogu dhe shkëmbimi idesh mbi rolin e medias në demokraci.

Aktiviteti u çel në mbrëmjen e 30 marsit me një program artistik dhe reflektues. Pas interpretimit poetik “Fuqia e Fjalëve” nga Heidi Baçi dhe fjalës hapëse nga drejtuesja e Festivalit Kristi Gongo, ku u prezantua edhe studimi i punuar prej saj dhe Agida Koçit e Jona Cenamerit, në bashkëpunim me AMA “Rritja e standardeve të gazetarisë në rajon”, programi vijoi me fjalën e kryetares së AMA-s dhe gazetares nga Kosova Ardiana Thaçi. Emra të njohur si Artan Fuga, Grida Duma, Sonila Meço, Rudina Xhunga, Ledion Liço lartësuan Festivalin, teksa trajtuan shumëllojmëri tematikash. Në fokus të mbrëmjes ishin sfidat e gazetarisë në epokën digjitale, evolucioni i radios, rëndësia e komunikimit publik dhe verifikimit të fakteve si edhe temat mbi fuqizimin apo gjykimin e grave në media.

Dita e dytë e festivalit solli një program intensiv panelesh dhe diskutimesh me pjesëmarrjen e një game të gjerë profesionistësh. Paneli i hapjes mbi gazetarinë në epokën e inteligjencës artificiale u shtjellua me mendimet e Lutfi Dervishit, Ethem Rukës, Altin Shollës, Marjana Skendulit dhe Blerjana Binos. Diskutimet vijuan me kontributin e Mirela Milorit për temën “Si ndryshon narrativa kur një debat 60 minuta reduktohet në 30 sekonda?” dhe një panel i zgjeruar u realizua mbi “fake news” me Robert Rakipllari, Enio Civici, Aldor Nini, Dritan Muça, Erion Braçe dhe Elvin Luku.

Whatsapp Image 2026 04 01 At 13.44.01
Whatsapp Image 2026 04 01 At 13.44.01

Në vijim, çështjet e zhvillimit profesional dhe trajnimit të gazetarëve u trajtuan nga Artan Fuga dhe Zefina Hasani. Teksa Alda Shabani lancoi programin më të ri për zhvillimin profesional të gazetarëve shqiptarë “Pena”. Ndërsa Blendi Salaj dhe Alban Dudushi sollën reflektime mbi transformimin e përmbajtjes mediatike dhe ndikimin e audiencës. Një panel i rëndësishëm mbi rolin e medias në zgjedhje përfshiu Ilirian Celibashi, Ervin Koçi, Erjon Tase dhe Alban Dudushi.

Programi i pasdites vijoi me diskutime mbi gazetarinë ekonomike dhe informalitetin nga Jorida Tabaku, Sherif Bundo dhe Edvin Peçi, si dhe mbi raportimin për sigurinë ushqimore me Fatbardh Sallaku, Rudina Muça, Xhensil Shkëmbi dhe Romina Radoshiqi. Perspektiva të ndryshme mbi lajmin dhe transmetimin sollën Genta Popa, Nisida Tufa, Esmeralda Mulaj, Doris Sallaku dhe Bes Jaçaj.

Në fokus ishte edhe puna në terren dhe verifikimi i lajmit me Danjela Maloku, Merin Maçi, Denada Kola dhe Anisa Krraba, si dhe roli i organizatave në mbrojtjen e gazetarëve, i trajtuar nga Juxhin Mustafaraj, Koloreto Cukali dhe Aleksandër Çipa. Diskutimet u zgjeruan më tej me temat e bashkëpunimit në media nga Alban Musa dhe Julka Gramo, zhvillimit të talenteve në epokën digjitale nga Dalina Buzi dhe përvojën e transmetimit të drejtëpërdrejtë gjatë pandemisë nga Bieta Sulo.

Festivali u mbyll me shpërndarjen e certifikatave për studentët pjesëmarrës dhe me një mesazh të qartë se gazetaria cilësore mbetet një shtyllë themelore e demokracisë dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm për të përballuar sfidat e kohës.

Festivali i parë i Gazetarisë “Pyet” synon të konsolidohet si një platformë e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, ku fjala e lirë jo vetëm mbrohet, por edhe fuqizohet përmes dialogut, profesionalizmit dhe inovacionit.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×