
Gazetari Almer Toska ka komentuar ashpër situatën brenda Partisë Demokratike, duke e cilësuar opozitën në një moment të vështirë, mes krizës së lidershipit dhe përplasjeve të brendshme, përfshirë edhe raportet me ish-deputetin Ervin Salianji.
I ftuar në News24, Toska u shpreh se PD po përpiqet të largojë vëmendjen nga problemet e saj të brendshme, duke u fokusuar te çështjet e drejtësisë.
Sipas tij, brenda partisë nuk po lejohet gara dhe po përjashtohen figura aktive, të cilat, sipas tij, mbështesin Salianjin. Ai përdori një gjuhë të fortë, duke e cilësuar funksionimin e brendshëm të PD-së si me “nota enveriste”.
Gazetari ngriti pyetje publike ndaj drejtuesve të opozitës, përfshirë Gazment Bardhi dhe Sali Berisha, lidhur me standardet që, sipas tij, aplikohen në parti për përjashtimet dhe përgjegjësitë politike.
Ai përmendi edhe figura të tjera të PD-së, duke ngritur kritika për mënyrën e drejtimit dhe përzgjedhjes së figurave brenda partisë.
Në deklaratat e tij, Toska pretendoi se drejtues të ndryshëm lokalë nuk po punojnë në funksion të Partisë Demokratike, ndërsa shtoi se mungesa e hapjes ndaj figurave të reja po e dëmton më tej opozitën.
Ai kritikoi gjithashtu mungesën e aktivitetit në terren dhe rënien e interesit për t’u anëtarësuar në parti, duke theksuar se PD nuk po arrin të mobilizojë mbështetësit dhe të ndërtojë një alternativë bindëse për qeverisje.
Sipas Toskës, përplasjet e brendshme dhe përjashtimet e figurave me ambicie po e çojnë partinë drejt dobësimit të mëtejshëm, ndërsa ai sugjeroi se vetëm promovimi i figurave të reja dhe rikthimi te baza mund të ndryshojë situatën aktuale në opozitë.
and then