
Kreu i Grupit Parlamentar të Partia Demokratike e Shqipërisë, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar këtë të fundit për fushatë denigruese ndaj opozitës në lidhje me procesin e integrimit europian.
Në një reagim publik, Bardhi thekson se opozita nuk ka kërkuar asnjëherë ndalimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimi Europian, duke ia atribuar përgjegjësinë për vonesat vetë Ramës, si në periudhën kur ishte në opozitë, ashtu edhe tani në qeverisje.
“Ne kurrë nuk kemi kërkuar për asnjë sekondë dhe askund që të ndalet procesi. Edi Rama e ka bërë këtë, kur ishte në opozitë, duke vonuar për tre vjet marrjen e statusit të vendit kandidat, dhe tani si kryeministër,” shprehet Bardhi.
Ai solli në vëmendje edhe atë që e cilësoi si një rast që ka dëmtuar besimin e vendeve anëtare ndaj Shqipërisë, duke përmendur çështjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
“Ky është rasti famëkeq i Belinda Ballukut. Në vend që të sillej si kryeministër që vë përpara interesat e shqiptarëve, Edi Rama u soll si kukull e saj,” deklaroi Bardhi.
Sipas tij, kërkesat e opozitës në raport me integrimin përkojnë me standardet e Bashkimit Europian, duke përfshirë barazinë para ligjit, zgjedhje të lira dhe të ndershme, ekonomi pa oligarkë, tendera transparentë dhe përdorim të drejtë të fondeve europiane.
Në vijim, ai argumentoi se hezitimet e disa vendeve anëtare lidhen me problematika të brendshme si korrupsioni, presioni ndaj drejtësisë dhe, sipas tij, mbrojtja politike që u bëhet zyrtarëve të pushtetit.
“Kryeministri, kur sulmon drejtësinë dhe mbron figura të caktuara, shndërrohet në pengesë për integrimin,” deklaroi Bardhi.
Në përfundim, ai theksoi se rruga drejt anëtarësimit në BE kalon përmes një qeverisjeje të pakorruptuar dhe rikthimit të besimit të vendeve anëtare, duke shtuar se “anëtarësimi nuk zgjidhet duke shpallur armiq të brendshëm apo të jashtëm”.
Reagimi i plotë:
KUSH PO E DËMTON REALISHT INTEGRIMIN?
Edi Rama ka ndërmarrë një fushatë denigruese shpifjesh në raport me sjelljen e opozitës ndaj anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian. Ne kurrë nuk kemi kërkuar për asnjë sekondë dhe askund që të ndalet procesi. Edi Rama e ka bërë këtë, kur ishte në opozitë, duke vonuar për tre vjet marrjen e statusit të vendit kandidat, dhe tani si kryeministër.
Nuk po i hyj rekordeve të tjera të errëta të Edi Ramës për të vonuar integrimin që meritat të mos i merrte Partia Demokratike, e cila kreu reforma rekord për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në NATO, por më duhet të theksoj vetëm një rast të freskët sesi Edi Rama minoi besimin e vendeve anëtare tek Shqipëria.
Ky është rasti famëkeq i Belinda Ballukut!
Në vend që të sillej si kryeministër që vë përpara interesat e shqiptarëve, Edi Rama u soll si kukull e Belinda Ballukut. Kjo është e vetmja e vërtetë pse sot ne kemi vende anëtare që nuk kanë besim tek qeveria e Shqipërisë.
Çfarë kemi kërkuar ne si opozitë në raport me integrimin?
Të njëjtat standarde që kërkon Bashkimi Europian:
– të gjithë të jenë të barabartë para ligjit, të mos ketë Belindë dhe Edi Ramë që dalin mbi ligjin
– zgjedhje të lira dhe të ndershme
– ekonomi pa oligarkë
– tendera pa paracaktim
– përdorim eficient dhe jo vjedhje të fondeve të BE
Këto nuk janë kërkesa të opozitës. Janë kushtet e Europës për anëtarësim.
300 milionë euro nga IPARD nuk i hoqi opozita. I pezulloi Bashkimi Europian, pasi u zbuluan abuzime të rënda me fondet nga qeveria e Edi Ramës.
Dhe sot, hezitimet e disa vendeve anëtare nuk kanë të bëjnë me opozitën,
por me pyetjet që ngre vetë Europa:
– për korrupsionin
– për presionin ndaj drejtësisë
– për mbrojtjen politike që i bëhet njerëzve të pushtetit në urdhër të kryeministrit
Kur kryeministri sulmon drejtësinë dhe mbron Belinda Ballukun apo kur do që të përdorë veglat e veta në Gjykatën e Lartë për të zhbërë SPAK-un, ai është shndërruar në armikun më të madh të Shqipërisë për anëtarësimin në BE.
Opozita ka të njëjtin qëndrim si studentët që pyetën sot Edi Ramën për integrimin dhe, në vend të një shtetari, panë një avokat të korrupsionit. 👇
Anëtarësimi në BE nuk zgjidhet duke shpallur armiq të jashtëm dhe të brendshëm.
Shansi real që ne të rikthejmë besimin e vendeve anëtare është një qeveri e pakorruptuar, që vendos të parin interesin e qytetarëve dhe jo pushtetin personal.
and then