Pas braktisjes së sallës nga PD, Bardhi akuza nga jashtë Kuvendit: Deputetet gra u kërcënuan, Taulant Balla s’ka guxim të merret me burrat!

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka dalë në një deklaratë për mediat nga jashtë Kuvendit, ku ka denoncuar tensionet dhe, sipas tij, shkeljet e rënda të rregullores gjatë seancës plenare.

Bardhi akuzoi përfaqësues të mazhorancës për provokim ndaj deputetëve të opozitës, duke e lidhur situatën me përkujtimin e ngjarjeve të 2 Prilli 1991 në Shkodër.

“Sot në një akt provokimi, përfaqësues i partisë që vrau 4 qytetarë në 2 prill 1991 provokoi deputetët e opozitës duke fyer familjet e tyre dhe duke kërkuar 1 minutë heshtje kur në sallë nuk kishte më shumë se 10 deputetë,” deklaroi Bardhi.

Ai shtoi se kishte kërkuar fjalën në bazë të rregullores për t’iu përgjigjur dhe për të propozuar që minuta e heshtjes të zhvillohej në një moment kur të ishin të pranishëm të gjithë deputetët.

“Në shkelje të rregullores, kryetari i Kuvendit nuk na dha fjalën. Kërkova që heshtja solemne në nderim të 4 dëshmorëve të demokracisë të bëhej në një orar kur të 140 deputetët të ishin prezentë,” u shpreh ai.

Bardhi ngriti akuza edhe për sjelljen në sallë ndaj deputeteve të opozitës, duke deklaruar se ato janë kërcënuar.

“Deputete femra të opozitës u kërcënuan nga një njeri që për shkak të frikës që ka, nuk ka guximin të merret me burrat në Kuvend dhe është e disata seancë që merret me gratë,” tha ai.

Në vijim, ai përmendi edhe emrin e Taulant Balla, duke theksuar se sjellja e tij është e njohur publikisht, ndërsa kritikoi edhe drejtimin e seancës nga Niko Peleshi.

“Çfarë përfaqëson Taulant Balla e kanë të qartë të gjithë, por mungesa e kurajës nga kryetari i Kuvendit është shqetësuese. Duhet të nxjerrë përjashta një njeri që nuk njeh etikë dhe norma në atë seancë,” deklaroi Bardhi.

Ai shtoi gjithashtu se gjatë seancës janë miratuar disa projektligje pa debat parlamentar.

“Miratuan 7-8 projektligje pa asnjë diskutim, pa kuptuar çfarë po voton Kuvendi. Në mënyrën si po e katandis parlamentin Niko Peleshi, nuk do jetë e largët dita kur Kuvendi të mos funksionojë më,” përfundoi Bardhi.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×