Vetting ‘zbërthen’ aferat e Erilinda Lalës: Falsifikim dokumentesh për të grabitur tokën në Borsh, hotel pa leje dhe fshehja e resortit miliona euro në Qerret (VIDEO)

Prej disa vitesh, konflikti i pronave në bregdet po mban peng zhvillimin e zonës së Borshit, që prej një dekade pas reformës territoriale ka kaluar si pjesë e Bashkisë Himarë.

Në qendër të konfliktit është ish Shtëpia e Pushimit të Fëmijës Borsh, e cila dikur mbushej nga gjallëria dhe energjia, që sillnin jetimët e Sarandës.

Dokumentet zyrtare të siguruara nga “Vetting” dhe dëshmia ekskluzive nga ish pronarja e kësaj prone me sipërfaqe 5400 metër katrorë Diana Bilali kanë ekspozuar ndërtime të paligjshme, falsifikim dokumentesh nga komuna Lukovë dhe indiferencë totale nga të gjitha institucionet.

Sipas ish pronares Bilali, në procesin për privatizimin e këtij territori nuk janë zbatuar procedurat sipas ligjit të asaj kohe.

“Ka ndonjë gjë normale në këtë mes? Me këto objekte është bërë një pazar i pisët dhe prapë nuk janë vendosur në punë e di pse? Sepse ata i dinë që të gjitha këto që ne po flasim bashkë”, tha Diana Bilali për “Vetting”.

Në fakt, një pjesë e godinave janë privatizuar ndërsa njërën prej këtyre sipas ish pronares është bërë në mënyrë të kundraligjshme, duke ju referuar pronës së Tajar Lalës, babait të Drejtoreshës së Tatimeve Erilinda Lala.

“Ky truall është ndarë në tre pjesë, marrësit e AMTP-ve kanë qenë tre persona. Dy prej tyre kanë pasur dokumente (AMTP), ndërsa Tajar Balil Lala nuk ka AMTP për këtë pronë”, shprehet Bilali duke ekspozuar padrejtësinë që i është bërë nga shteti shqiptar, por edhe nga personi në fjalë.

Toka e familjes Lala pa AMTP dhe hoteli e restoranti pa leje ndërtimi
Një nga pronat që ka ngritur pikëpyetje për procesin e privatizimit sipas denoncimeve të ardhura në redaksinë “Vetting” është hotel-restoranti Take i familjes Lala, ku bashkëshorti i Drejtoreshës së Tatimeve Tiranë, Erilinda Lala, Taulant Godroli, ka punuar si menaxher në vitin 2025.

“Tani çfarë ka shfrytëzuar ai atje Tajar Lala? S’po flas për dy të tjerët më para, por po flas për atë (i referohet Tajar Lalas).

Ky truall ka pasur 9 objekte mbi sipërfaqen e tij. Njëri nga objektet ka qenë rreth 300–350 metra katrorë, është diku në pjesën e tretë, s’po them në qoshe por diku aty. Këto 350 metra katrorë unë e kam gjetur për herë të parë në shkresën që ka bërë ish Zyra e Regjistrimit të Pasurive në Sarandë, në momentin që ju kërkua privatizimi i truallit dhe objekteve mbi truall në vitin 2010.Në vitin 2010, unë kam parë që Tajar Balil Lala kishte rreth 600 metra katrorë”, deklaron Diana Bilali.

Denoncimi i zonjës Bilali si pasardhëse e ish pronarit të tokave në Borsh, Delvinë dhe Sarandë Mehdi Hila Borshi ka hedhur dritë mbi një fakt të pazbuluar më parë. Familja e Erilinda Lalës, bazuar në ligjin 7501 rezulton se ka përfituar rreth 2500 metra katrorë tepër në Borsh.

Këto gjetje për fryrje fiktive të sipërfaqeve janë zbuluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por edhe nga Gjykata. Por çfarë ka ndodhur?

Tajar Lalës i është dhënë 10 500 metra katrorë sipas ligjit 7501, ku toka ndahej sipas standartit 2000 metra katrorë për frymë në familje. Familja Lala rezulton me 4 anëtarë, pra i takonte 8 dynym ose 8 mijë metra katrorë në një kohë që komuna asokohe, por edhe vetë Tajar Lala ka pranuar 2.5 dynym më shumë tokë.

Sipas avokatit Redi Ramaj, këto raste janë të dyshimta.

“Në përcaktim të ligjit dhe të ndryshimeve ligjore që janë bërë më vonë, të udhëzimit të Këshillit të Ministrave, nuk mundet që të jepet ose të ndahet me AMTP, pra me ligjin 7501, një tokë, e cila ka patur godina shtetërore apo është tokë truall dhe të shpërndahej nëpërmjet këtij ligji. Pra, është e ndaluar referuar parashikimeve ligjore”, tha për “Vetting” avokati Ramaj.

Shkeljet do të zbuloheshin nga vendimi i Prokurorisë të vitit 2015 për pushim çështje, ku kanë ndodhur shkeljet në mënyrën se si është ndarë dhe regjistruar toka në zonën e Ish Shtëpisë së Pushimit të Fëmijëve. Por këto shkelje nuk janë ndjekur penalisht sepse kanë kaluar shumë vite dhe ndjekja penale është parashkruar.

Megjithatë ajo që ngelet mister është fakti se pse Prokuroria nuk mori masat, që edhe pse ishin parashkruar shkeljet, të rregulloheshin pasojat për pronën. Shkeljet kanë prodhuar pasoja për ish pronarët dhe në dëm të tyre kanë përfituar në shkelje të ligjit persona të tjerë.

Në vitin 2015, Gjykata Adminstrative e Apelit Tiranë do të nxirrte vendimin për çështjen e sipërfaqes së tokës së marrë nga familja Lala.

Procedurat tregojnë se çështja ka nisur në Gjykatën e Gjirokastrës, në dhjetor të vitit 2014, e cila fillimisht ua kishte pranuar kërkesën familjes Lala, duke argumentuar se ata nuk kishin pasur dijeni për procesin gjyqësor pasi njoftimet nuk u ishin dorëzuar në dorë.

Mirëpo, ky vendim i Gjirokastrës u kundërshtua me ankim të veçantë nga personat e tretë në proces, Prefekti i Qarkut Vlorë dhe Komuna Lukovë, të cilët kërkuan prishjen e tij dhe rrëzimin e kërkesës së familjes Lala. Gjykata e Apelit Administrativ Tiranë doli në përfundimin se Gjykata e Gjirokastrës kishte gabuar në vlerësimin e fakteve dhe zbatimin e ligjit. Apeli argumentoi se njoftimi i palëve ishte kryer në përputhje me ligjin, pasi procesi i njoftimit kishte kaluar të gjitha shkallët ligjore, nga dërgimi i fletëthirrjes e deri te afishimi publik në komunë kur palët nuk u gjetën në banesë. Në brendësi të vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë do të theksohej se Erilinda Lala, e cila është juriste me profesion, supozohej t’i njihte mirë procedurat dhe se nuk mund të pretendonte mosdije, pasi ata kishin pasur dijeni për ekzistencën e konfliktit gjyqësor dhe kishin ndjekur seanca të mëparshme përpara se çështja të kalonte për kompetencë në Gjirokastër.

Për këto arsye, trupa gjykuese vendosi ndryshimin e plotë të vendimit të Gjirokastrës dhe rrëzimin e kërkesës për rivendosje në afat, duke u hequr përfundimisht kërkuesve Tajar, Teuta, Dervish dhe Erilinda Lala mundësinë për të ankimuar vendimin e vitit 2014.

Nga informacionet e siguruara nga ”Vetting” rezulton se Tajar Lala mund të ketë shtuar një kat tjetër gjatë pandemisë, gjë e cila ngre pikëpyetje për ligjshmërinë, jo vetëm për faktin se kemi një proces gjyqësor për pronën, por edhe për faktin se Plani i Përgjithshëm Vendor i Himarës është ndryshuar në 2023.

”Vetting” i bëri një kërkesë për informacion Bashkisë Himarë për lejen e ndërtimit të për hotelin dhe restorantin Take. Mbas ankesës te Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Bashkia Himarë do të zbulonte detaje të rënda mbi këto godina.

“Drejtoria e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit pranë Bashkia Himarë ka kryer verifikime në dokumentacionin e administruar në arkivin institucional lidhur me subjektin e referuar. Nga verifikimi i kryer deri në këtë fazë, nuk rezulton e regjistruar leje ndërtimi në dokumentacionin e administruar nga Bashkia Himarë për objektet e referuara”, do të shkruante në përgjigjen zyrtare Bashkia.

Sipas këtij informacioni, mungesa e një lejeje ndërtimi për hotelin Take në arkivën e Bashkisë Himarë, jo vetëm që e vendos objektin në kushtet e paligjshmërisë, por ngre dyshime serioze mbi dështimin e qëllimshëm të institucioneve të tjera.

Dokumenti me firmë të falsifikuar, Bilali: Nëna ime nuk ishte gjallë
Zona e Borshi në Himarë është një nga brigjet më të lakmuara në jug të rivierës shqiptare sepse ka vijën e gjatë bregdetare dhe është larg presionit të betonit dhe ndërtimeve. Deri në vitin 2016 Borshi ka qënë pjesë e komunës Lukovë të rrethit Sarandë ndërkohë që tashmë prej gati një dekade i ka kaluar Bashkisë Himarë.

Afërsia me detin e kristaltë dhe bregdeti i virgjër janë një mundësi e artë për investim, në një tokë sic ishtë ish Shtëpia e Pushimit të Fëmijës Borsh, cila dihet që është truall, por pasojat që është trajtuar si tokë bujqësore kanë ngelur pa u rregulluar në dëm të ish pronarëve.

Do të ishte kjo mënyra se si Tajar Lala do të merrte tokën aty, duke ngritur një sërë pikëpyetjesh se pse kjo çështje nuk është zgjidhur kurrë. Sipas ish pronares Diana Bilali ngelet mister se si janë marrë këto prona nga persona që nuk plotësonin kriteret për ti privatizuar.

“Objekti ishte objekt shtetëror, pra ky nuk figuronte me AMTP, ky nuk figuronte me dokumente pronësie sepse është përfitues nga reforma, atëhere si u gjend objekti në emrin e Tajar Balil Lalës?

Objekti ishte objekt i këtij ansambli që ndodhet brenda truallit të shtëpisë së fëmijës dhe kanë qenë 9, biles për saktësi i bie të kenë qenë 12 objekte, nja 2-3 prej tyre nuk dihet çfarë funksioni kanë pasur. Këtu janë të pasqyruara. Unë ndoshta po të kem mundësi ta tregoj në kamera, për të cilën më kanë “torturuar” me vite për ato 700 metra katrorë, e di cfarë ka përpara, që më thoshin është tokë bujqësore? Ka dy objekte, dy troje, që janë më të vogla nga objekti që është 140 metra katrorë.

Atëhere unë kërkoj të di, ç’ne Tajar Balil Lala këto 600 metra katrorë? Dhe ndërkohë unë bëj një kërkesë në vitin 2011, duke e parë që kjo situatë ishte shumë e veshtirë për tu zbërthyer, bëj një kërkesë jo vetëm për Tajar Lalën, por edhe për dy personat e tjerë që kanë marrë tokë me AMTP nga KNT Borsh, që quhen Gazmor Ferit Hizmo dhe Ramadan Mahmut Lala”, tregon Bilali.

Diana Bilali do të merrte 700 metra katrorë, nëpërmjet privatizimit, por nuk do t’i jepej e drejta për parablerjen e të gjithë ish Shtëpisë së Pushimeve të Fëmijës Borsh, e cila rezultonte si pronë e familjes së saj.

“Ikën Genc Ruli dhe vjen Dritan Prifti, i kalon materiali Dritan Priftit. Dritan Prifti bën një shkresë në të cilën thuhet, që pronarët e truallit, pa u cilësuar ne si emër, domethënë si familje, pronarët e truallit kanë të drejtën e parablerjes. Prifti, ka bërë një vendim të tillë, i cili nuk mund të rrëzohet sepse ai ka pranuar që është e gjitha truall.

Pra, në momentin kur ai ka marrë shkresën nga Z.R.R.P-ja ai ka kuptuar që këtu ka të bëjë me një truall dhe nga i gjithë konfigurimi, nga e gjithë planimetria dhe nga mënyra se si është ndërtuar e gjitha, është e vërtetë që është truall”, shprehet me bindje ish pronarja Bilali.

Pra, sic e shpjegon ish gazetarja tashmë në pension, në letra dhe kudo është specifikuar që zona është truall dhe jo tokë e një natyre tjetër. Por këtu qendron dhe marifeti sepse nëse rezultonte si tokë bujqësore, mund të kalohej me AMTP të vlefshme.

Por gjërat do të komplikoheshin pasi gjatë kësaj kohe sipas Bilalit, ajo do të përballej me një tentativë për vrasje nga një person me mbiemër Abazi.

“Në 2010 ikën Dritan Prifti, vjen për pak kohë Ilir Meta mos gaboj dhe vjen Nasip Naço. Në atë kohë unë kam bërë një kërkesë, domethënë gjërat ndodhën shumë shpejt, patëm një ngjarje jo të mirë unë dhe vajza, 3 herë një person tentoi të na bënte një aksident me makinë. Hera e tretë ishte shumë e shprehur dhe ne kemi shpëtuar, do thonë për mrekulli të zotit siç thonë njerëzit. Dhe në atë kohë unë kërkova të di kush ishte personi, kush ishte targa dhe më del një person me mbiemrin Abazi, se të gjitha këto janë gjëra që kanë ardhur me radhë”, tregon e shqetësuar Diana Bilali.

Ish pronarja Bilali tregon se pas kësaj ngjarje, ajo do të vazhdonte me procesin e privatizimit pavarësisht se i ishte rrezikuar jeta.

Por asaj do ti dilnin pengesa të shumta dhe kësaj radhe nga ish Ministria e Energjitikës, Tregtisë dhe Ekonomisë, si edhe nga ish Zyra e Regjistrimit të Pasurive Sarandë.

”U bë një shkresë të cilën, Nasip Naco e quajti saktësim të privatizimit. Domethënë nëse unë kisha kërkuar të gjithë privatizimin e të gjithë objekteve sepse e njihja si truallin tim atë, ai tha ( i referohet Nasip Nacos):

“Përderisa nuk kemi një vendim të kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose të AKP-së”.

Por ka një gjë, unë kisha kërkesën në AKP dhe kur ke kërkesën në AKP, problemi quhet i hapur. Pra, çmund të bënte Nasip Naco në atë kohë mendoj unë?

Sepse Nasip Naco ka qenë një burrë i aftë në fushën e ligjit, nuk ka qenë një njeri i radhës. Ai mund të bënte këtë, kur unë i kam shkruar dhe i kam thënë, mund të bënte kërkesën në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.”

Dokumentet zyrtare të nxjerra nga institucionet publike në lidhje me pronat e ish pronares Diana Bilali zbulojnë të verteta tronditëse. Njerëz që nuk jetojnë më bëjnë kërkesa, ndërkohë që ish Komuna Lukovë, ku Borshi ka qenë pjesë ka pranuar kërkesën dhe ka realizuar një genplan të falsifikuar. Sipas dokumenteve, kërkesën e ka bërë nëna e Diana Bilalit pas komunizmit, ndërkohë që e ndjera ishte ndarë nga jetë në vitin 1987.

”Nëna ime nuk ka qenë gjallë në atë kohë. Nëna ime ka vdekur shumë kohë më përpara në vitin 1987 dhe këtu jemi në vitin 1996 ( i referohet genplanit që ka në dorë Diana) është dhënë vendimi i Komisionit dhe ky është genplani shoqërues, por jo genplani im. Nuk e kam kërkuar unë dhe nuk kam marrë pjesë në bërjen e tij dhe kur e kam parë, kam qenë e detyruar ta pranojë sepse ka qenë institucion përfaqësues. Domethënë komuna Lukovë ishte mbajtësja e hartave në sektorin e urbanistikës dhe e tokave bujqësore dhe kam qenë e detyruar ta dërgojë në organe ligjzbatuese edhe në Gjykata”, tha Bilali duke ju referuar dokumentit të ish komunës Lukovë.

Sipas avokatit Ramaj, dokumente të tilla nuk mund të merren për kryerjen e këtyre veprimeve.

“Në momentin që ky person ka ndërruar jetë dhe është firmosur në emër të tijin, një dokument shumë vite pasi ai ka ndërruar jetë, normalisht efektet e atij dokumentacioni ose i atij dokumenti konkret, Genplani janë nul.

Normalisht duhet të ishte bërë një akt ekspertimi për të provuar ose për të parë një hetim më të saktë nga ana e prokurorisë, për të kontrolluar se kush e ka prodhur atë dokument dhe kush ka përfituar nga prodhimi i këtij dokumenti, pasi nuk mundet që një person i cili ka ndërruar jetë shumë më herët, të lëshojë dokumenta pas këtij fakti, dokumenti juridik”, u shpreh avokati Ramaj.

Komisionerja Lleshi ia ngec përgjegjësinë DAP-it, Erilinda Lala pa eksperiencë drejtuese kalon provimin

Në 29 maj 2025, në krye të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Tiranë do të emërohej Erilinda Lala pa patur statusin e nëpunësit civil si drejtuese e komanduar. Nga analiza e “Vetting” shkelja e mundshme rëndon mbi Departamentin e Administratës Publike, i cili ka shërbyer si institucioni që ligjëroi emërimin e Drejtoreshës Lala përmes një procedure që anashkaloi konkurrimin e hapur për postin e Drejtoreshës së Tatimeve Tiranë.

Pesha bie mbi DAP-in sepse ka përgjegjësi për pranimin e Lalas në konkursin e Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues (TND) në gusht-nëntor 2025, pa kryer një verifikim të saktë të kriterit ligjor prej 5 vitesh përvojë në pozicione drejtuese. Nga korrespondenca me këtë institucion rezulton se DAP-i ka vepruar me një shpejtësi të pazakontë, duke nxjerrë aktin e emërimit më 19 shkurt 2026, vetëm 24 orë pas kërkesës së Ministrit të Financave Petrit Malaj në 18 shkurt 2026. Të gjitha këto janë indicie për një proces të paracaktuar që i jepte formë ligjore një situate ku Drejtoresha Lala ushtronte detyrën si e komanduar që prej majit 2025.

Departamenti i Administratës Publike ka përgjegjësi për mungesën e transparencës, duke u mjaftuar me përgjigje të pjesshme derisa u detyrua nga ankesat e emisionit “Vetting” dhe ndërhyrja e Komisionerit për të Drejtën e Informimit për të vënë në dispozicion dosjen e plotë.

Megjithatë përgjegjësi nuk ka vetëm DAP-i, por edhe Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil që drejtohet nga Lefterije Luzi Lleshi, e cila pavarësisht fuqisë ligjore për të inspektuar çdo parregullsi, ka mbajtur një qëndrim pasiv.

Në përgjigjen ndaj “Vetting” për rastin e Drejtoreshës Erilinda Lala, Komisionerja Lleshi deklaroi se institucioni nuk kishte administruar informacion për verifikimin e ligjshmërisë së emërimit deri në momentin e kërkesës nga redaksia, duke shmangur rolin mbikëqyrës mbi procedurën e komandimit të vitit 2025, e cila ishte kryer përpara se subjekti të fitonte statusin e nëpunësit civil.

Në këtë rast, Komisionerja Lefterije Lleshi ia ka deleguar përgjegjësinë e rekrutimit DAP-it. Por Komisioneri për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil ka dështuar të veprojë si filtër kontrolli për një emërim që ekspertët ligjorë e konsiderojnë jashtë kritereve të ligjit “Për nëpunësin civil”.

Nga analiza e CV-së që ka dorëzuar pranë Departamentit të Administratës Publike, Erilinda Lala rezulton se ka si përvojë drejtuese pozicione që nuk përputhen me kriteret e shërbimit civil.

Drejtoresha Lala ka shërbyer si juriste në Komisionin e Prokurimit Publik (2013-2018) dhe si Avokate Shteti (2018-2023), pozicione këto të përfaqësimit ligjor dhe jo të drejtimit administrativ në institucionet publike. Eksperienca e saj e mirëfilltë si drejtuese në një institucion publik rezulton në janar 2024 në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore. Ky fakt vërteton se në momentin e hyrjes në TND, Drejtoresha Lala kishte vetëm rreth 21 muaj përvojë drejtuese nga janari 2024, duke dështuar të plotësojë kriterin prej 5 vitesh eksperiencë si drejtuese.

Kjo skemë, ku institucionet si DAP-i dhe Komisioneri i Mbikqyrjes së Shërbimit Civil kanë qendruar mënjanë, kanë lejuar që një zyrtare të marrë një nga postet më të rëndësishme të financave publike.

“Vetting” i bëri një kërkesë për koment Komisionerit të Mbikqyrjes së Shërbimit Civil për faktin se tashmë është në dijeni të këtyre procedurave dhe cilat ishin arsyet që nuk ka marrë masa për të verifikuar procedurat për Drejtoreshën Lala. Deri në publikimin e këtij materiali, nga Komisioneri për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil nuk pati asnjë reagim.

Edhe DAP-i nuk reagoi, edhe pse u vu në dijeni që Komisioneri i ngarkoi një pjesë të përgjegjësisë përsa i përket çështjes së Erilinda Lalas.

ILDKPKI-ja fillon hetimet ndaj Drejtoreshës Lala dhe bashkëshortit pas denoncimit nga “Vetting”
Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ka filluar hetimet ndaj pasurisë së Drejtoreshës Rajonale të Tatimeve Tiranë, Erilinda Lala dhe bashkëshortit të saj Taulant Godroli pas denoncimeve nga emisioni “Vetting”. Ky informacion zyrtar konfirmohet nga korrenspondenca e “Vetting” me zyrën e informacionit në ILDKPKI.

Tashmë nuk jemi më në një verifikim të zakonshëm, por në një hetim ku çdo deklaratë pasurie nga Drejtoresha Lala do të ballafaqohen me mosdeklarimin e kompanisë “2D Construction 2025” ish Gea Construction dhe burimet financiare të saj. Në fakt, “Vetting” ka konfirmuar se Erilinda Lala nuk ka deklaruar dhurimin e aksioneve që ka patur te kjo kompani dhe se pas saj mund të fshihet ajo së bashku me bashkëshortin Taulant Godroli. Këto indicie vijnë për faktin se një ditë pasi kishte bërë dhurimin e aksioneve të kompanisë “2D Construction 2025” te Marsida Dedej, i shoqi Godroli kishte paguar një gjobë të kompanisë te sporteli ndërkohë që nuk ishte as pronari, as person i autorizuar.

Ligji i detyron zyrtarët e lartë të bëjnë transparencë për çdo qindarkë dhe çdo pasuri që ndikon te të ardhurat, ndaj çdo mospërputhje mes deklarimeve zyrtare në Tiranë mund të çojë në shkarkimin e menjëhershëm ose ndjekje penale të Erilinda Lalas.

Ekzistojnë indicie të forta se Drejtoresha Lala dhe bashkëshorti i saj mund të kenë interesa të fshehura në resortin gjigant në Qerret, ku kompania ‘2D Construction 2025’ ka marrë leje ndërtimi mbi një truall që ka kaluar në Agjencinë e Zhvillimit të Territorit në shkelje të ligjit.

Erilinda Lala nuk ka deklaruar NIPT-et dhe emrat e biznesit që ka siguruar, rreth 40 mijë euro të ardhura në disa muaj të vitit 2023. Problemi tjetër është se Taulant Godroli nuk ka deklaruar edhe kompaninë që dikur ka qenë në pronësi të tij, si edhe rolin e tij në kompaninë tjetër ALKO IMPEX CONSTRUCTION (ish KLEDOR ALBANIA-09), e cila është në pronësi të Arbër Abazit.

Sipas avokatit Redi Ramaj, në çdo rast ku ka situata të mosdeklarimit apo të deklarimit të rremë, mund të vendoset vërejtje ose gjobë në fillim.

“Më pas, nëse ka shkelje të rënda, ky institucion është i detyruar, që gjetjet e tij t’ia paraqesi kryesisht për deklarime të rreme, t’ia paraqesi zonës se ku ndodhet prona ose zyrtari”, tha për “Vetting” avokati Ramaj.

Në vitin 2009 Taulant Godroli do të themelonte kompaninë Electral shpk si aksioner i vetëm dhe disa vite më pas ai do të bëhej administrator i një shoqërie koncesionare, HEC Hotolisht, e cila në vitin 2015 do të fitonte kontratën nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë për ndërtim, operim dhe transferim të hidrocentraleve të Hotolishtit me vlerë investimi 567 milionë lekë.

Problemi lidhet me faktin se Godroli nuk ka deklaruar në formularin e ILDKPKI-së se ka qenë administrator në këtë kompani koncesionare nga viti 2015 deri në vitin 2017.

Madje ai ka fshehur edhe aktin e transferimit të aksioneve të “Electral” shpk, pasi kjo nuk është e deklaruar në formularin fillestar të deklarimit të pasurisë si person i lidhur me Drejtoreshën Erilinda Lala.

Nëse hoteli në Borsh ka ngritur pikëpyetje, mesa duket punimet mund të kenë filluar edhe në zonën e Qerretit në Kavajë për kompaninë “2D Construction 2025”. Pamjet nga terreni tregojnë për ndërtime dhe ndërhyrje në këtë zonë, duke vërtetuar se ndërtimi në shkelje të ligjit po kthehet në një standard të rrezikshëm dhe askush nuk mund të bëjë asgjë.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×