
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ironizuar kryeministrin Edi Rama për takimet e fundit me Asambletë e Partisë Socialiste në njësitë e Tiranës, duke theksuar se ai po shmang përballjen me qytetarët.
Gjatë fjalës së mbajtur në Foltoren para Kryeministrisë, Berisha u shpreh se procesi i integrimit në Bashkimin Europian mbetet i paarritshëm nën drejtimin e Ramës. Sipas tij, numri i vendeve që kanë bllokuar raportin IBAR është rritur dhe pritet të shtohet edhe më tej, si pasojë e politikave të qeverisë aktuale.
Ai deklaroi se kryeministri po zhvillon vazhdimisht mbledhje partie, pasi, sipas tij, nuk mund të dalë më përballë qytetarëve, ndërsa vijon të përcjellë mesazhe optimiste për integrimin që, sipas Berishës, nuk përputhen me realitetin.
“Ai po del para shqiptarëve dhe botës si armik i egër. Në vendimet e fundit, çdo ditë kalon nga një mbledhje PS se popull nuk takon dot më, në një mbledhje tjetër të PS. Çfarë iu thotë, gati është integrimi, po ecim. Me të vërtetë integrimi me Ramën ka qenë dhe mbetet një horizont i pakapshëm, që largohet. Dy javë më parë, ishin 4 vende ato që bllokuan votimin e raportit IBAR, dy javë më vonë janë 9 vende. Ju garantoj se pas dy javësh të tjera do të jenë 15. Dhe sa më shumë do ta njohë Evropa dhe bota Edi Ramën, aq më shumë do ta neverisin atë dhe do të ngrihen kundër tij.Ndaj edhe 17 prilli është ditë e shqiptarëve, kryengritjes më të madhe paqësore. Le të mblidhemi me besim të plotë se fitorja është e qytetarëve, se shqiptarët nuk do të pranojnë, dhe s’do të pajtohen kurrë me një regjim që i bllokon, vjedh e plaçkit ditën e natës, që i përzë të rinjtë nga Shqipëria, që e ka bërë Tiranën qytet të pajetueshëm nga të rinjtë.”, u shpreh Berisha.
Në vijim, Berisha paralajmëroi se sa më shumë të njihet Rama në arenën ndërkombëtare, aq më shumë, sipas tij, do të rritet kundërshtimi ndaj tij.
Në fund, Berisha theksoi se rruga drejt Bashkimit Europian nuk është e mbyllur për shqiptarët, por për drejtuesit aktualë të qeverisë, të cilët ai i akuzoi për korrupsion dhe keqqeverisje, duke bërë thirrje për vazhdimin e përpjekjeve për integrimin dhe të ardhmen europiane të vendit.
“Do të vazhdojmë betejën për çeljen e rrugës së integrimit në BE. Nuk të hap kush derën kur do të hysh si hajdut. Derën nuk ua kanë mbyllur shqiptarëve, por Ramës, Lubi Ballukut, Lindave te AKSHIT e Surrelit, dhe anëtarëve të organizatës kriminale, por jo qytetarëve të ndershëm. Ndaj edhe ne t’u japim përgjigjen e merituar këtyre hajdutëve dhe ta kthejmë Shqipërinë në rrugën e integrimit dhe të ardhmes”, shtoi ai.
and then