“Parku Durana, kundër standardeve të BE”/ Enno Bozdo: Kompanitë e çunave të AKSHI-t përftojnë lehtësira fiskale nga Rama

Deputeti Enno Bozdo ka zhvilluar një komunikim për mediat. Ai ka akuzuar qeverinë për krijimin e një “parajse fiskale” që sipas tij favorizon një grup të caktuar kompanish të lidhura me pushtetin.

Gjithashtu Bozdo shton se kjo skemë u mundësua përmes një sërë lehtësish të paprecedent fiskale.

Deklarata e plotë:

“Tatim fitimi 0% për 15 vite. Tatim mbi pagat 0% për 10 vite. TVSH 0% për mallra, pajisje dhe shërbime.

Përjashtim nga taksat doganore, lehtësira për sigurimet shoqërore. Përjashtim nga taksat vendore për 10 vjet.

Taksa e pasurisë së paluajtshme, si për shembull taksa e ndikimit në infrastrukturës për ndërtimet, gjithashtu përjashtohet. Rimbursim i pjesshëm për trajnimin e stafit.

Procedura të thjeshtuara doganore.

Të gjitha këto benefica, përfitime, ndërtonin praktikisht një parajsë fiskale.

Ky model, që nuk haset në asnjë vend tjetër të Bashkimit Evropian, u ofrohet kompanive të lidhura me qeverinë, të cilat praktikisht janë në pronësi dhe komandohen nga i njëjti grup kriminal që mori peng Akshin.

Por ata që e ndërtuan këtë skemë, me katër vite vonesë, kuptuan se kishte një problem të vogël, në thonjëza.

As ligji për parkun teknologjik Durana i vitit 2022 dhe as VKM-të në dalje të tij, nuk njihnin konceptin e regjistrimit virtual të kompanive dhe për rrjedhojë, as përfitimin nga kompanitë të këtyre beneficave përrallore fiskale.

Prandaj, ky problem i vogël ligjor, në thonjëza, duhej ndrequr sa më parë.

Për këtë arsye, me nxitimin e hajdutëve të kapur me vjedhje, mazhoranca socialiste miratoi me nxitim, pa asnjë debat publik, ndryshime në këtë ligj, duke përligjur me katër vite vonesë konceptin e regjistrimit dhe të operimit virtual

Sigurisht që kjo procedurë kaq e nxituar nuk e mbulon dot vjedhjen. Madje e nxjerr atë më në pah.

Sepse edhe sikur parimi i virtualitetit të ishte një parim logjik dhe i pranuar, përsëri fakti është që kompanitë e çunave të Akshit kanë përfituar lehtësitë më të mëdha fiskale në kohën e Edi Ramës.

Sigurisht, në kurriz të taksapaguesve shqiptarë.

Por kjo aferë nuk mbaron me kaq. Këtu kemi dhe një problem tjetër, i cili nxjerr zbuluar gjithë retorikën e mazhorancës përsa i përket integrimit Evropian.

Modelet e parqeve me regjistrim virtual dhe aktivitet diku tjetër, janë të palejuara në vendet e Bashkimit Evropian.

Madje në 15-20 vitet e fundit, Bashkimi Evropian ka implementuar standarde të cilat kërkojnë të çrrënjosin këtë model, sepse ai është burim kryesor i evazionit fiskal dhe i minimit të konkurrencës së lirë dhe të ndershme, të cilat janë dy shtylla shumë të rëndësishme të politikave evropiane në fushën e biznesit, konkurrencës dhe klimës së biznesit.

Më poshtë po rreshtoj disa argumente pse parku virtual i Durana bie ndesh me standartet e OECD-së, standarti BEPS, dhe direktivat e Bashkimit Evropian.

Së pari, shkëput tatimin nga krijimi real i vlerës ekonomike. Standarti BEPS i OECD-së kërkon që fitimi të tatohet atje ku krijohet vlera reale ekonomike. Çka do të thotë aktiviteti, stafi dhe ku ndodhet vendimmarrja. Parku virtual lejon përfitime tatimore pa prani fizike dhe pa aktivitet real, duke e kthyer tatimin në formalitet dhe jo në pasqyrim të ekonomisë reale.

Së dyti, shkel parimin e aktivitetit real ekonomik. BEPS-i dhe Bashkimi Evropian kërkojnë që lehtësirat fiskale të lidhen me punësimin real, shpenzime reale në kërkim dhe zhvillim, infrastrukturë funksionale.

Modeli virtual i Duranës nuk garanton asnjërën prej tyre, duke lejuar që aktiviteti real të kryhet jashtë vendit ose jashtë parkut Durana, ndërsa fitimi deklarohet në Shqipëri me 0%.

Së treti, krijohet regjim fiskal preferencial i dëmshëm sipas OECD-së. Regjimet me taksim 0%, akses selektiv, mungesë aktiviteti real ekonomik, klasifikohen nga OECD-ja si regjim fiskal preferencial i dëmshëm.

Vetëm një grup i kufizuar kompanish përfitojnë një regjim ekstremisht të favorshëm, ndërsa kompanitë identike jashtë parkut tatohen normalisht.

Kjo bie ndesh me standardin e OECD-së dhe me parimin e konkurrencës së ndershme të Bashkimit Evropian.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×