
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar në Kuvend ndaj projektligjit për portet turistike, duke akuzuar qeverinë për mungesë transparence dhe nxitim të pajustifikuar në miratimin e tij. Gjatë fjalës së tij, Këlliçi theksoi se ligji po kalon me procedurë të përshpejtuar, ndërsa ngriti pikëpyetje mbi arsyet e këtij vendimi. Sipas tij, qeveria nuk ka treguar të njëjtin angazhim për çështje që prekin drejtpërdrejt qytetarët, si ulja e çmimit të naftës, mbështetja për fermerët apo furnizimi me ilaçe në spitale.
Ai deklaroi se projektligji synon t’i japë portet turistike investitorëve strategjikë pa garë dhe pa transparencë, duke e cilësuar këtë si një veprim në kundërshtim me interesin publik. “Ky nuk është interes publik, por grabitje,” u shpreh ai. Më tej, deputeti demokrat argumentoi se nisma bie ndesh me rrugën e integrimit europian të vendit dhe përmendi si shembull raste të mëparshme, përfshirë çështjen e portit të Durrësit. Ai shtoi se vendime të tilla sjellin kosto për qytetarët dhe dobësojnë pozicionin e Shqipërisë në rajon.
Në përfundim, Këlliçi akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama se po sillen me vendin si me pronë personale.
“Sa herë në këtë sallë shtrohen pyetjet në interes të qytetarëve, t’i jepet një minutë kohë deputetëve që shtrojnë këto pyetje. Sot në këtë sallë po kërkohet që të miratohet me procedurë të përshpejtuar një ligj për portet turistike në Republikën e Shqipërisë. Pyetja që shtrojmë sot; përse po nxiton dhe për kë po nxiton kjo qeveri? Se për shqiptarët nuk është nxituar për të ulur çmimin e naftës, apo për ndihmë për fermerët, apo për ilaçet nëpër spitale. Kjo qeveri nxiton sa herë që vjen puna te klientët e saj strategjikë, grupet kriminale. Sot kërkohet që portet të jepen pa garë dhe pa transparencë investitorëve strategjikë. Ky nuk është interes publik, por është grabitje. Dhënia e tyre pa garë cenon interesin publik. Këtu qëndron problemi më i madh, pasi ky projektligj bie ndesh me rrugën drejt BE. Në një kohë kur u ngrit kartoni i kuq kur nuk u dha autorizimi për arrestimin e Ballukut, u mbyll rruga e integrimit. E kemi parë aferën te porti i Durrësit apo afera të tjera. Këto janë kosto të reja për qytetarët, dhe dobësim i pozicionit tonë në rajon. Kjo qeveri dhe Rama po ashtu sillet me Shqipërinë sikur e ka tokë të babës.”, tha ai.
and then