“U lamë jashtë procesit të integrimit dhe po na mohohen interpelancat”/ PD letër ambasadave në vend: Mazhoranca e trajton kuvendin si njëpartiak

Është zbardhur raporti i plotë që Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi i ka dërguar të gjitha selive diplomatike në Shqipëri, në lidhje me atë që PD e quan asgjësimin e të drejtave kushtetuese të opozitës në Kuvend dhe degradimin e standardeve në funksionimin e Kuvendit.

Raporti i detajuar përmban të dhëna specifike për secilin mekanizëm kontrolli që opozita pretendon se i është refuzuar opozitës në këto 6 muaj të Legjislaturës së re të
Kuvendit. Aty listohet se gjatë këtyre gjashtë muajve, shumica në Kuvend ka refuzuar një numër të konsiderueshëm të Komisioneve Hetimore, interpelancave, mocioneve me debat apo kërkesave për informacion.

Në raport theksohet se shqetësim për opozitën mbetet edhe përjashtimi i saj nga çdo transparencë për procesin e integrimit europian, apo moszbatimi nga mazhoranca i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Qëndrimi politik i shumicës për të bllokuar çdo të drejtë kushtetuese të opozitës, refuzimi i çdo iniciative ligjore, përjashtimi i saj nga procesi i emërimeve në institucionet e pavarura, apo përjashtimi i saj nga procesi i integrimit, e bën rolin e deputetëve të opozitës në Parlament jo vetëm të papërfillshëm, por mbi të gjitha një fasadë të një normaliteti të rremë, që minon vetë parimet dhe standardet minimale të parlamentarizmit demokratik. Kjo situatë vë seriozisht në pikëpyetje vetë qëllimin e vazhdimit të pranisë së opozitës në Parlament. Nëse opozita nuk mund të diskutojë çështje me interes publik, nuk mund të ushtrojë mbikëqyrje mbi qeverisjen, nuk mund të propozojë ligje apo amendamente në dobi të qytetarëve, dhe nëse të drejtat e saj kushtetuese shpërfillen, atëherë roli i saj bëhet thjesht formal, duke dështuar në përmbushjen e përgjegjësive demokratike”, thuhet ndër të tjera në Raportin e Grupit Parlamentar të PD.

Raporti i Grupit Parlamentar të PD i është dërguar zyrtarisht edhe Kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi.

Letra e plotë:

KUVENDI
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike

PËR PAMUNDËSIMIN E ROLIT TË OPOZITËS PARLAMENTARE DHE DEGRADIMIN E VAZHDUESHËM TË STANDARDEVE DEMOKRATIKE NË FUNKSIONIMIN E KUVENDIT

Drejtuar: Z. Niko PELESHI
Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë
Për dijeni: Ambasadave të vendeve partnere/organizatave të akredituara në Shqipërisë

I nderuar z. Kryetar i Kuvendit,

Shqipëria ndodhet në një moment kyç në procesin e integrimit europian, që duhet të shërbejë edhe si një mundësi për të forcuar demokratizimin e institucioneve shqiptare, përfshirë funksionimin demokratik të Kuvendit të Shqipërisë. Për fat të keq, kjo jo vetëm nuk po ndodh, por mazhoranca në Kuvend, me veprimet dhe mosveprimet e saj, po synon asgjësimin e rolit të opozitës në Parlament.

Qartësisht ka një përpjekje për të bashkuar shtetin me partinë në pushtet dhe shumica parlamentare, dita-ditës, e trajton Parlamentin si një institucion njëpartiak, ku vendimet diktohen jo nga forca e arsyes, jo nga përgjegjësia kushtetuese dhe të drejtat ligjore, por nga forca e numrave të tyre në Kuvend. Shumica vazhdon t’u mohojë deputetëve të opozitës ushtrimin e të drejtave të tyre parlamentare, duke i penguar në përmbushjen e detyrave për të mbrojtur interesin publik. Deri më sot, kërkesat tona për “mocion debat”, “interpelancë me Kryeministrin apo ministrat”, “seanca dëgjimore” në komisionet parlamentare, apo ngritjen e “komisioneve hetimore”, janë refuzuar në shumicën dërrmuese të tyre .
Nga ana tjetër, propozimet ligjore të deputetëve të opozitës (përfshirë projektligje apo amendamente) refuzon pa asnjë arsyetim, thjesht për faktin se janë propozime të një deputeti të opozitës. Madje, në disa raste është vërejtur që pas refuzimit të iniciativës ligjore të deputetëve të opozitës, i njëjti propozim është bërë nga një deputet i mazhorancës apo Këshilli i Ministrave dhe ai miratohet nga Kuvendi. Ky është tregues i qartë se mazhoranca nuk është e interesuar për dialog politik konstruktiv në Kuvendin e Shqipërisë.

Gjithashtu, me veprime të paprecedenta, në një numër të kosiderueshëm të seancave plenare, votimi i projektligjeve është kryer pa iu nënshtruar procesit të debatit parlamentar, duke i hedhur projektligjet në votim, pa u diskutuar më parë nga deputetët dhe pa garantuar transparencën për qytetarët tanë.

Z. Kryetar i Kuvendit,

Raporti për vitin 2025 për Shqipërinë i Komisionit Europian, thekson ndër të tjera se: “Parlamenti mundi t’i ushtrojë kompetencat e tij në një mënyrë pjesërisht efektive. Polarizimi politik, mungesa e dialogut të vërtetë politik dhe përplasjet midis shumicës qeverisëse dhe pjesëve të opozitës vazhduan të ndikojnë në veprimtarinë e Parlamentit, ndërsa proceset e konsultimit publik mbetën të kufizuara. Parlamenti gjithashtu pengohet nga mbikëqyrja e kufizuar ndaj ekzekutivit, ndërkohë që politizimi i emërimeve parlamentare në pozita të larta në organet kushtetuese apo institucionet e pavarura të krijuara me ligj mbeten një çështje serioze.”.

Ndërkohë, në një reagim publik të Delegacionit të Bashkimit Europian të datës 24 Mars 2026, ndër të tjera, nënvizohet se: “Delegacioni i BE-së rikujton se opozita ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në parlament dhe në jetën demokratike të vendit, përfshirë dhe veçanërisht në kontekstin e reformave themelore.”.

Në përgjigje të këtij detyrimi në kuadër të procesit të integrimit europian, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe opozita në tërësi, që në nisje të Legjislaturës së XI, është e angazhuar në mënyrë kontruktive në Kuvendin e Shqipërisë, por dita-ditës mazhoranca po na pamundëson ushtrimin e përgjegjësive tona, duke synuar shndërrimin në fasadë të rolit të opozitës parlamentare.

Në çdo vend demokratik, një nga funksionet kyçe të Parlamentit — që zakonisht ushtrohet nga opozita — është roli i tij mbikëqyrës. Duke mbajtur në konsideratë edhe konstatimet e Raportit për vitin 2025 të Komisionit Europian, ku nënvizohet se “Parlamenti gjithashtu pengohet nga mbikëqyrja e kufizuar ndaj ekzekutivit”, ne kemi bërë gjithcka për të përmbushur këtë përgjegjësi, duke përdorur disa nga mekanizat e kontrollit që lejon Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit. Mirëpo, të drejtat tona janë mohuar në mënyrë konstante. E njëjta sjellje e përsëritur dëshmon se kemi të bëjmë me një strategji afatgjatë të shumicës socialiste për të kufizuar të drejtat e opozitës deri në asgjësimin e tyre të plotë.

Më konkretisht:

I. Në 6 muaj të funksionimit të Kuvendit të Shqipërisë në Legjislaturën e XI, ju keni refuzuar ngritjen e 5 Komisioneve Hetimore të kërkuara nga jo më pak se 35 deputetë, duke mos pranuar asnjë kërkesë për ngritjen e një Komisioni Hetimor, në kundërshtim flagrant me nenin 77 të Kushtetutës. Sipas nenit 77, paragrafi 2 i Kushtetutës së Shqipërisë, Parlamenti ka të drejtën dhe, me kërkesë të një të katërtës së anëtarëve të tij (35 deputetë), ka detyrimin të ngrejë një komision hetimor për të shqyrtuar një çështje të caktuar. E njëjta e drejtë garantohet edhe nga neni 25 i Rregullores së Kuvendit.

Sipas Kushtetutës dhe disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë: (1) Komisionet hetimore parlamentare janë një mekanizëm efektiv mbikëqyrës që funksionon ekskluzivisht brenda kompetencës mbikëqyrëse të Parlamentit dhe ngrihen për çështje të veçanta që lidhen funksionalisht me pushtetin legjislativ. Ngritja e tyre, kur kërkohet nga një e katërta e deputetëve, është e detyrueshme. (2) Në një demokraci parlamentare, nuk është shumica ajo që mbikëqyr qeverisjen — kjo është detyrë e opozitës. Prandaj, kjo e drejtë kushtetuese e pakicës për të ngritur komisione hetimore duhet të mbetet e pacenueshme. (3) Është e vërtetë që Gjykata Kushtetuese ka theksuar se e drejta për të zhvilluar hetime parlamentare nuk është e pakufizuar; kufizimi i saj qëndron në garantimin që objekti i hetimit të respektojë parimet dhe standardet kushtetuese. Megjithatë, Gjykata ka theksuar gjithashtu se, kur shumica pretendon se objekti i hetimit shkel këto standarde, ajo është e detyruar të propozojë formulime alternative, duke i mundësuar pakicës të riformulojë kërkesën e saj në përputhje me to.

Në të gjitha rastet, opozita ka shprehur gatishmërinë të mirëpresë cdo formulim alernativ të shumicës parlamentare mbi objektin e hetimit, dhe nga ana juaj është refuzuar të bëhet. Për pasojë, mazhoranca me votim politik ka refuzuar të drejtën kushtetuese të opozitës, për ngritjen e këtyre Komisioneve Hetimore (5 refuzuar dhe 0 pranuar):

1. Kërkesë për ngritjen e Komisionit Hetimor Nr. 2892 Prot., datë 13.10.2025 – mbi kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve të organeve të pushtetit qëndror e lokal, për përdorimin e burimeve shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit 2025.
2. Kërkesë për ngritjen e Komisionit Hetimor nr. 2991 prot., datë 20.10.2025 – mbi verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve publikë shqiptarë në raportet me ish-agjentin special të FBI Charles McGonigal.
3. Kërkesë për ngritjen e Komisionit Hetimor nr. 3117 Prot., datë 28.10.2025 – mbi kontrollin e ligjshmërisë në administrimin e fondeve europiane të programit IPARD II.
4. Kërkesë për ngritjen e Komisionit Hetimor nr. 1404 Prot., datë 01.04.2026 – mbi kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve/mosveprimeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) për realizimin e investimeve në infrastrukturën rrugore.
5. Kërkesë për ngritjen e Komisionit Hetimor nr. 1440 Prot., datë 03.04.2026 – mbi kontrollin e ligjshmërisë në funksionimin e AKSHI-t, masat e marra për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve dhe rreziqet për sigurinë kombëtare si vend anëtar i NATO-s.

II. Në 6 muaj të funksionimit të Kuvendit të Shqipërisë në Legjislaturën e XI, ju keni refuzuar 7 kërkesa për interpelancë me Kryeministrin dhe 2 kërkesa për interpelancë me Zëvendëskryeministrin. Ndërkohë kërkesa për interprelancë me Ministrat apo seanca të pyetje-përgjigjeve me to janë jashtë afatit kushtetues të realizimit të tyre (për ilustrim: 3 kërkesa për interprelancë me Ministrin e Shëndetësisë apo 2 kërkesa për seancë pyetje – përgjigje po me të).

Ky veprim është në kundërshtim me nenin 80 pika 1 të Kushtetutës, ku përcaktohet se: “Kryeministri dhe çdo anëtar tjetër i Këshillit të Ministrave është i detyruar t’u përgjigjet interpelancave dhe pyetjeve të deputetëve brenda tri javëve.”. Po kështu, ky veprim bie ndesh me nenet 90, 92, 95, 96 dhe 97 të Rregullores së Kuvendit.

Sipas nenit 90 të Rregullores së Kuvendit, “1. Çdo deputet ka të drejtë t’i bëjë pyetje Kryeministrit ose çdo anëtari tjetër të Këshillit të Ministrave. Deputetët ia paraqesin pyetjet Kryetarit të Kuvendit, i cili vë në dijeni anëtarin e Këshillit të Ministrave, të cilit i drejtohet pyetja.”. Nga ana tjetër, neni 92 parashikon se: “1. Në fillim të çdo seance plenare, të paktën 45 minuta i kushtohen seancës së pyetjeve, me përjashtim të rastit kur në kalendarin e punimeve është përcaktuar ndryshe. Anëtari i Këshillit të Ministrave është i detyruar t’u përgjigjet pyetjeve në fillim të çdo seance plenare. Kryeministri, një herë në javë, është i detyruar t’u përgjigjet pyetjeve për 30 minuta.”.

Gjithashtu, neni 96 i Rregullores së Kuvendit, parashikon se: “1. Interpelancë është kërkesa me shkrim drejtuar Kryeministrit, Zëvendëskryeministrit ose çdo anëtari tjetër të Këshillit të Ministrave për të marrë shpjegime për motivet, synimet dhe qëndrimin e Këshillit të Ministrave ose lidhur me aspekte të rëndësishme të veprimtarisë së tyre. Interpelanca i paraqitet Kryetarit të Kuvendit, i cili vë në dijeni menjëherë anëtarin e Këshillit të Ministrave, të cilit i drejtohet kërkesa për interpelancë. 3. Ato parashikohen të zhvillohen në seancë plenare, si rregull, në tri të hënat pasardhëse nga data e paraqitjes.”.

Llogaridhënia në Kuvend e Kryeministrit, Zëvendëskryeministrit dhe ministrit nuk është opsionale, por një detyrim sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, në përputhje me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Llogaridhënia nuk është proces i delegueshëm, qoftë kur ndodh përpara organeve të drejtësisë, qoftë kur ndodh përpara Kuvendit. Kjo për faktin se llogaridhënia nuk është e drejtë apo kompetencë (që mund të delegohet), por është një detyrim për funksionarin publik (që nuk mund të delegohet).
Sjellim në vëmendjen tuaj se në 6 muaj të kësaj Legjislature, keni refuzuar këto interpelanca të kërkuara me Kryeministrin (7 refuzuar , 0 pranuar):
1. Kërkesë për interpelancë nr. 2648 Prot., datë 29.09.2025 – mbi ndikimin e krimit të organizuar në ekonomi dhe fuqizimit të tij përmes lejeve, licencave apo fondeve publike të dhëna nga autoritetet qeveritare.
2. Kërkesë për interpelancë nr. 2921 Prot., datë 14.10.2025 – mbi aksionin e prishjes së ndërtimeve pa leje, jashtë procedurave ligjore të parashikuara dhe pa vendim gjyqësor të formës së prerë.
3. Kërkesë për interpelancë Nr. 240 Prot., datë 19.01.2026 – mbi masat e marra nga Qeveria për mbrojtjen e të dhënave personale që administrohen nga AKSHI.
4. Kërkesë për interpelancë Nr. 1046 Prot., datë 09.03.2026 – mbi funksionimin e Koorporatës Shqiptare të Investimeve në administrimin e pronave publike.
5. Kërkesë për interpelancë Nr. 1176 Prot., datë 18.03.2026 – mbi pezullimin e licencës së kompanisë shtetërore ajrore Air Albania.
6. Kërkesë për interpelancë Nr. 1177 Prot., datë 18.03.2026 – mbi anullimin e tenderit për Portin e ri të Durrësit në Porto Romano.
7. Kërkesë për interpelancë Nr. 1439 Prot., datë 03.04.2026 – mbi standardet e verifikimit institucional dhe masat e marra për zbatimin e Ligjit antimafia dhe legjislacionit kundër pastrimit të parave në vendimmarrjet e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU).

Gjithashtu, keni refuzuar këto interpelanca të kërkuara me ZëvendësKryeministren (2 refuzuar , 0 pranuar):
1. Kërkesë për interpelancë nr. 2922 Prot., datë 14.10.2025 – mbi shpjegimet për procedurën e projektit Thumanë-Kashar.
2. Kërkesë për interpelancë nr. 3227 Prot., datë 03.11.2025 – mbi shpjegimet për procedurën e projektit Tuneli i Llogarasë.

Për më tepër, keni tejkaluar afatin kushtetues 3 javor, për këto interpelanca të kërkuara me Ministren e Shëndetësisë dhe Ministrin e Bujqësisë (4 të parealizuara në afat , 0 të pranuara)
1. Kërkesë për interpelancë nr. 531 Prot., datë 06.02.2026 – mbi situatën e rëndë në Spitalin Onkologjik pranë QSUT-së.
2. Kërkesë për interpelancë nr. 772 Prot., datë 20.02.2026 – mbi gjendjen e rëndë të kushteve në Spitalin Rajonal Lushnjë.
3. Kërkesë për interpelancë nr. 926 Prot., datë 02.03.2026 – mbi menaxhimin e sistemit shëndetësor dhe gjendjen me furnizimin me barna në spitale.
4. Kërkesë për interpelancë nr. 4093 Prot., datë 16.12.2025 – mbi keqmenaxhimin e fondeve të IPARD në sektorin e bujqësisë.

III. Në 6 muaj të funksionimit të Kuvendit të Shqipërisë në Legjislaturën e XI, ju keni refuzuar 6 kërkesa për zhvillimin e “mocion me debat” për çështje që kanë interes për qytetarët shqiptarë. Mocioni me debat është një nga format e kontrollit parlamentar që parashikohet nga Rregullorja e Kuvendit.

Konkretisht, në nenin 98 të Rregullores së Kuvendit, parashikohet se: “1. Një kryetar grupi parlamentar ose të paktën 7 deputetë mund të paraqesin një mocion me qëllim zhvillimin e një debati në Kuvend për një çështje të veçantë dhe, në përfundim të tij, mund të propozojnë miratimin e një rezolute ose deklarate, teksti i së cilës i bashkëlidhet kërkesës për zhvillimin e mocionit. 2. Kërkesa për zhvillimin e një mocioni paraqitet te Kryetari i Kuvendit, i cili brenda 3 ditëve mbledh Konferencën e Kryetarëve për të vendosur për datën e zhvillimit të mocionit në seancë plenare. Në rast se data përcaktohet me mirëkuptim në Konferencën e Kryetarëve, ajo i njoftohet Kuvendit në seancën plenare më të parë. Në rast se në Konferencën e Kryetarëve nuk arrihet mirëkuptimi mes kryetarëve të grupeve parlamentare, Kryetari i Kuvendit e paraqet kërkesën në seancë plenare, propozon një datë të mbajtjes së mocionit dhe i kërkon Kuvendit të vendosë me votim të hapur pasi dëgjon një folës pro dhe një kundër për jo më shumë se 10 minuta. Në çdo rast debati nuk mund të zhvillohet më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së mocionit.”.

Sipas Rregullores së Kuvendit është e qartë se kur “mocioni me debat” kërkohet nga një kryetar grupi parlamentar ose të paktën 7 deputetë, zhvillimi i tij është i detyrueshëm. E vetmja çështje që shtrohet për diskutim, në Konferencën e Kryetarëve apo në seancën plenare, është vetëm data e zhvillimit të debatit dhe koha e përgjithshme e diskutimit. Edhe për këtë çështje Rregullorja e Kuvendit ka vendosur kohën maksimale brenda së cilës duhet të zhvillohet debati, që është jo më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së mocionit. Në asnjë rast, Rregullorja e Kuvendit nuk lejon që seanca plenare të vendos nëse duhet apo jo të zhvillohet “mocioni me debat”, sepse ai është një mekanizëm kontrolli i pavarur nga vullneti i shumicës parlamentare. Për pasojë, veprimi juaj i përsëritur në të gjitha rastet e refuzuara për të hedhur në votim nëse duhet apo jo të pranohet kërkesa për zhvillimin e një “mocioni me debat”, është në kundërshtim të hapur me Rregulloren e Kuvendit, sepse ju nuk mund të hidhni në votim nëse duhet të respektohen të drejtat e deputetëve të pakicës .

Konkretisht, gjatë kësaj Legjislature, ku keni refuzuar këto kërkesa për zhvillimin e një “Mocioni me debat” të kërkuara nga opozita (6 refuzuar ; 1 pranuar dhe 1 në proces):
1. Kërkesë për Mocion me Debat nr. 2628 Prot., datë 26.09.2025 – mbi prioritetet e Qeverisë në programin politik të Këshillit të Ministrave mbi avancimin e Shqipërisë në BE.
2. Kërkesë për Mocion me Debat nr. 2659 Prot., datë 29.09.2025 – mbi marrjen e masave nga Qeveria për njohjen e genocidit serb në Kosovë.
3. Kërkesë për Mocion me Debat nr. 2731 Prot., datë 03.10.2025 – mbi masat e marra nga Qeveria për garantimin e menaxhimit korrekt të fondeve europiane të programit IPARD.
4. Kërkesë për Mocion me Debat nr. 2912 Prot., datë 14.10.2025 – mbi disponibilitetin e barnave për trajtimin e sëmundjeve tumorale sipas gjetjeve të raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
5. Kërkesë për Mocion me Debat nr. 3397 Prot., datë 11.11.2025 – mbi mungesën e caktimit të minimumit jetik dhe ndikimit të kësaj tek të drejtat ekonomiko-sociale të qytetarëve, sipas raporteve të Avokatit të Popullit.
6. Kërkesë për Mocion me Debat nr. 3526 Prot., datë 14.11.2025 – mbi masat e marra nga Qeveria për luftë me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar.

IV. Në 6 muaj të funksionimit të Kuvendit të Shqipërisë në Legjislaturën e XI, janë zhvilluar gjithësej 26 seanca plenare, nga të cilat vetëm 10 seanca plenare kanë përfunduar normalisht dhe është kaluar në votim në përfundim të të gjitha diskutimeve të deputetëve të regjistruar për të folur (19 Shkurt, 12 Shkurt, 3 Shkurt, 27 Janar, 22 Janar, 11 Dhjetor, 4 Dhjetor, 19 Nëntor, 30 Tetor, 27 Tetor). Ndërkohë që 8 seanca plenare janë ndërprerë pa mbyllur diskutimet, duke kaluar në votim pa diskutim parlamentar të projektligjeve (2 Prill, 12 Mars, 5 Mars, 18 Dhjetor, 6 Nëntor, 16 Tetor, 9 Tetor, 18 Shtator), ndërsa 8 seanca plenare të tjera kanë qenë pa rend dite të mirëfilltë (nga të cilat 3 për çëshjtet e zgjedhësve – 30 Mars, 2 Mars, 2 Dhjetor; 3 me natyrë organizative – 12 Shtator, 16 Shtator, 24 Shtator; dhe 2 pa rend dite, vetëm njoftim/miratim procesverbali – 29 Shtator; 17 Mars).

Kalimi në votim i projektligjeve pa lejuar deputetët që të diskutojnë mbi përmbajtjen e tyre është një veprim në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, si dhe cenon të drejtën e qytetarëve për transparencë dhe detyrimin e deputetëve për llogaridhënie përpara zgjedhësve të tyre. Sjellim në vëmendjen tuaj, se një veprim i tillë cenon të drejtën kushtetuese të lirisë së shprehjes së deputetëve dhe demokracinë parlamentare në vendimmarrje, duke iu mohuar deputetëve mundësinë për të sqaruar qëndrimin e tyre mbi projektligjin.

Nga ana tjetër, një veprim i tillë është në kundërshtim me nenet 49 dhe 66 të Rregullores së Kuvendit. Neni 49 i Rregullores parashikon se: “Për çështje të procedurës fjala jepet menjëherë. Janë çështje të procedurës kërkesat që kanë të bëjnë me zbatimin e Rregullores, kërkesat që përmbajnë propozime për ndryshime ose plotësime të rendit të ditës të miratuar, kërkesat për ndërprerjen ose shtyrjen e seancës plenare ose të diskutimeve, si dhe kërkesat që kanë të bëjnë me mënyrën e marrjes së vendimeve ose kryerjes së votimit.”.

Qartësisht në këtë dispozitë nuk parashikohet si çështje e procedurës dhe që hidhet në votim, mundësia për të kaluar në votim, pa përmbyllur diskutimet e deputetëve të regjistruar. Mund të votohet propozimi për ndërprerje apo shtyrje të seancës apo diskutimeve, por kurrësesi mundësia që ndërprerja e dsikutimeve të shoqërohet me mundësinë për të kaluar për votim pa përfunduar diskutimi.

Ky rregull përforcohet edhe në nenin 66 të Rregullores, ku parashikohet se: “1. Në rast se në sallën e seancës plenare cenohet seriozisht rendi i punimeve, shkaktohet kaos dhe nuk merren parasysh kërkesat për mbajtjen e rregullit, drejtuesi i seancës plenare lë vendin e tij dhe seanca plenare quhet e pezulluar. 2. Në rast se pas rifillimit të seancës, kaosi vazhdon përsëri, drejtuesi i seancës plenare e pezullon seancën për një periudhë kohe të caktuar ose e mbyll atë. 3. Në rast mbyllje të seancës plenare, Kuvendi mblidhet në seancën plenare më të parë me të njëjtin rend dite.”.

V. Në 6 muaj të funksionimit të Kuvendit të Shqipërisë në Legjislaturën e XI, deputetët e opozitës kanë ndërmarrë 71 iniciativa ligjore (konkretisht: kanë propozuar 18 projektligje dhe 53 amendamente ndaj projektligjeve të depozituara në Kuvend). Nga këto deri më tani janë marrë në shqyrtim dhe kanë kaluar për votim 63 iniciativa ligjore (8 projektligje ende nuk ka nisur procedura e shqyrtimit dhe të miratimit), dhe të gjitha janë refuzuar pa asnjë arsyetim. Konkretisht:
• 10 projektligje të shqyrtuara, por të refuzuara dhe 0 të pranuara.
• 53 Amendamente të shqyrtuara, por të refuzuara dhe 0 të pranuara.

Kjo provon tërësisht që mazhoranca aktuale nxit polarizimin politik dhe përplasjen, dhe është kundër dialogut të vërtetë politik në interes të qytetarëve. Konkretisht, vendimet tuaja për mosmiratimin as në parim të projektligjeve të propozuara nga opozita janë si më poshtë:

1. Vendim “Për mosmiratimin në parim të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 34/2019, datë 17.06.2019 “Për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara”, të ndryshuar””.
2. Vendim nr. 44/2026 “Për mosmiratimin në parim të projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore””, i ndryshuar.
3. Vendim nr. 43/2026 “Për mosmiratimin në parim të projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare””, i ndryshuar.
4. Vendim nr. 20/2026 “Për mosmiratimin në parim të projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë””.
5. Vendim nr. 23/2026 “Për mosmiratimin në parim të projektligjit “Për domosdoshmërinë e kryerjes së analizave laboratorike për ndotësit ushqimorë””.
6. Vendim nr. 21/2026 “Për mosmiratimin në parim të projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë””, i ndryshuar.
7. Vendim nr. 18/2026 “Për mosmiratimin në parim të projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 27/2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë””.
8. Vendim nr. 22/2026 “Për mosmiratimin në parim të projektligjit “Për statusin e minatorit në Republikën e Shqipërisë””.
9. Vendim nr. 7/2026 “Për mosmiratimin në parim të projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kоdi Penal i Republikës së Shqipërisë””, i ndryshuar.
10. Vendim nr. 93/2025 “Për mosmiratimin në parim të projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr.10129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile”, i ndryshuar.

VI. Mazhoranca në Kuvend ka ndërmarrë një sulm të hapur ndaj deputetëve të opozitës për t’i penguar ato që të marrin pjesë në punimet e Kuvendin dhe duke ndjekur një praktikë me dy standarde të ndryshme për deputetët e mazhorancës dhe deputetët e opozitës.

Konkretisht, më 6 muaj funksionim të Legjislaturës së XI, Grupi Parlamentar i Patrisë Socialiste ka paraqitur 7 kërkesa për marrjen e masave disiplinore ndaj deputetëve të opozitës, të cilat janë pranuar të gjitha – duke përjashtuar nga punimet e Kuvendit 15 deputetë të opozitës me një kohë totale përjashtimi prej 295 ditë (përjashtime që shkojnë sipas deputetit nga 10 – 50 ditë në 6 muaj). Ndërkohë që Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka paraqitur 4 kërkesa për marrjen e masave disiplinore ndaj deputetëve të mazhorancës, nga të cilat nuk është pranuar asnjë , edhe pse shkelja ka qenë e njëjtë apo edhe më e rëndë.

VII. Komisioni Europian në Raportin për Shqipërinë për vitin 2025, ka përcaktuar si çështje shqetësuese “politizimin e emërimeve parlamentare në pozita të larta në organet kushtetuese apo institucionet e pavarura të krijuara me ligj”. Në përgjigje të këtij shqetësimi, me qëllim adresimin e tij, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike përmes shkresës nr. 3759 Prot., datë 02.12.2025 ka propozuar një proces transparent të emërimit/zgjedhjes së institucioneve të pavarura, që përfshinte një konsultim kontruktiv të të gjitha grupeve parlamentare në Kuvend, me synim ruajtjen e pavarësisë së këtyre organeve dhe respektimin e parimit të meritokracisë. Kjo do të krijonte premisën e nevojshme për të ruajtur besimin e qytetarëve tek këto organe.

Dëshirojmë të sjellim në vëmendjen tuaj se Kuvendi i Shqipërisë është i përfshirë në procedurat e emërimit/zgjedhjes së organeve të pavarura, me qëllim që të ruhet balanca mes pushteteve dhe që në asnjë rast institucionet e pavarura të mos të jenë të njëhsuara me mazhorancën qeverisëse. Kjo më së shumti garantohet përmes përfshirjes së opozitës në këtë proces. Duke përjashtuar tërësisht opozitën nga procesi i përzgjedhjes/emërimit të institucioneve të pavarura kushtetuese apo të krijuara me ligj, mazhoranca ka arritur të politizojë çdo institucion të pavarur dhe të kontrollojë 100 % të gjitha emërimet në institucionet e pavarura (përfshirë organet kolegjiale, ku rregulli dhe tradita parlamentare ka synuar një ndarje proporcionale të propozimeve për emërim mes mazhorancës dhe opozitës). Kjo nënkupton kapjen totale të shtetit nga mazhoranca qeverisëse, duke cenuar parimin e ndarjes dhe të balancimit mes pushteteve, të sanksionuar në nenin 7 të Kushtetutës.

Për më tepër, që nga publikimi i Raportit për Shqipërinë për vitin 2025 të Komisionit Europian, mazhoranca aktuale nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të adresuar shqetësimin për politizimin e emërimeve parlamentare në pozita të larta në organet kushtetuese apo institucionet e pavarura të krijuara me ligj. Edhe pas publikimit të Raportit, mazhoranca ka vijuar në mënyrë të njëanshme të diktojë/propozojë/votojë e vetme të gjitha emërimet në institucionet e pavarura.

Në 6 muaj të funksionimit të Kuvendit të Shqipërisë në Legjislaturën e XI, janë kryer 11 emërime në institucione të pavarura, ku të gjitha janë realizuar vetëm nga mazhoranca përmes një procesi të njëanshëm, si më poshtë:
• 5 anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë – vendimet 24-27/2026 dhe vendim i pritshëm i datës 9.4.2026;
• Avokati i Popullit – vendimi nr. 111/2025;
• Anëtar i Bordit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Financiare (AMF) – vendimi nr. 102/2025;
• Komisioneri i Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil – vendimi nr. 103/2025;
• Anëtar i Komisionit të Autoritetit të Konkurencës – vendimi i datës 2.4.2026;
• Anëtar i Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) – vendim i datës 2.4.2026;
• Kryetar i Komisionit të Autoritetit të Konkurencës – vendim i pritshëm i datës 9.4.2026.

VIII. Opozita është e përjashtuar nga procesi i integrimit, duke mos patur asnjë informacion mbi axhendën e Kuvendit për projektligjet që nevojiten të miratohen në kuadër të përafrimit të legjislacionit, si dhe asnjë informacion të detajuar mbi zbatimin e detyrimeve, sipas Planit Kombëtar për Integrimin Europian, ecurinë e procesit të bisedimeve për anëtarësim dhe menaxhimin e fondeve nga Bashkimi Europian dhe donatorë të tjerë.

Sipas Ligjit nr. 15/2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”, të ndryshuar, si dhe nenit 103/1 të Rregullores së Kuvendit, Këshilli i Ministrave duhet të informojë Kuvendin mbi procesin e integrimit europian, si një formë e kontrollit parlamentar për procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Këshilli i Ministrave ka refuzuar të përmbush detyrimet e tij ligjore dhe nga ana juaj nuk është marrë asnjë masë.

Konkretisht, sipas pikës 1, të nenit 18 të Ligjit nr. 15/2015, Këshilli i Ministrave, deri më 31 janar të çdo viti, paraqet në Kuvend një raport të detajuar mbi zbatimin e detyrimeve, sipas Planit Kombëtar për Integrimin Europian, ecurinë e procesit të bisedimeve për anëtarësim dhe menaxhimin e fondeve nga Bashkimi Europian dhe donatorë të tjerë, për vitin paraardhës. Raporti shqyrtohet në seancë plenare, në përfundim të së cilës Kuvendi miraton rezolutën përkatëse. Sjellim në vëmendjen tuaj, që edhe pse jemi në muajin Prill, Këshilli i Ministrave nuk e ka përmbushur këtë detyrim.

Nga ana tjetër, sipas pikës 2, të nenit 18 të Ligjit nr. 15/2015, Këshilli i Ministrave, jo më vonë se tre javë nga publikimi i Raportit të Progresit të Komisionit Europian, raporton në Kuvend për gjetjet, rekomandimet, situatën aktuale të zhvillimeve politike, ekonomike dhe sociale të vendit, si dhe për angazhimet konkrete për përmbushjen e rekomandimeve. Raporti shqyrtohet në seancë plenare, në përfundim të së cilës Kuvendi miraton rezolutën përkatëse. Sjellim në vëmendjen tuaj, që edhe pse kanë kaluar më shumë se 4 muaj nga momenti i publikimit të Raportit të Progresit të Komisionit Europian për vitin 2025, Këshilli i Ministrave nuk e ka përmbushur këtë detyrim.

Për më tepër, sipas pikës 3, të nenit 18 të Ligjit nr. 15/2015, Këshilli i Ministrave dhe ministri përgjegjës për negociatat me Bashkimin Europian informojnë në seancë plenare konkluzionet mbi negocimin e një kapitulli ose grup kapitujsh pas zhvillimit të konferencës ndërqeveritare me Bashkimin Europian.

Detyrimi për raportim nga ana e Këshillit të Ministrave detajohet edhe në rregulloren e Kuvendit, ku në nenin 103/1 të saj, parashikohet se:
1. Kuvendi monitoron punën e Këshillit të Ministrave në lidhje me zbatimin e detyrimeve për procesin e integrimit europian dhe të institucioneve të pavarura kushtetuese e të krijuara me ligj, sipas parashikimeve të neneve 18 – 20 të legjislacionit në fuqi për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian. 2. Çdo fillim viti Kuvendi shqyrton raportin e detajuar të Këshillit të Ministrave për procesin e integrimit, sipas Planit Kombëtar për Integrimin Europian. 3. Pas depozitimit të raportit, Kryetari i Kuvendit ia dërgon menjëherë komisionit përgjegjës për shqyrtim. Komisioni organizon seancë dëgjimore për shqyrtimin e raportit dhe në përfundim harton projektrezolutën që ia paraqet seancës plenare. 4. Kuvendi organizon një seancë me debat dhe në fund të saj miraton rezolutën përkatëse. 5. Kuvendi, jo më vonë se dy javë pas depozitimit të raportit të Këshillit të Ministrave për gjetjet dhe rekomandimet e raportit të progresit të Komisionit Europian, organizon një seancë plenare, në përfundim të së cilës miratohet rezoluta përkatëse.

Edhe pse parashikimet ligjore janë të qarta, Këshilli i Ministrave, me mosveprim, ka refuzuar t’i përmbush këto detyrime, duke i pamundësuar Kuvendit në tërësi dhe opozitës në veçanti, rolin e vet mbikëqyrës në kuadër të procesit të integrimit europian. Ky veprim cënon edhe transparencën që duhet të garantojë Këshilli i Ministrave lidhur me procesin e integrimit, duke i pamundësuar edhe qytetarëve shqiptarë dijeninë mbi ecurinë e këtij procesi që mbështetet nga shumica dërrmuese e shqiptarëve.

XI. Gjithashtu, në një akt të paprecedent mazhoranca në mënyrë të njëanshme ndryshojë Rregulloren e Kuvendit dhe pa asnjë konsultim me opozitën ndryshojë strukturën organizative të komisioneve të Kuvendit, duke i diktuar opozitës një porosi të Kryeministrit në Asamblen e Partisë Socialiste. Ky veprim u gjet antikushtetues njëzëri nga Gjykata Kushtetuese më datë 23 Shkurt 2025, por mazhoranca ka dhënë të gjitha shenjat që nuk do ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Është fakt tashmë që Kuvendi ka refuzuar zbatimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese apo opinioneve të Komisionit të Venecias, kur ato nuk kanë qenë në një linjë me vullnetin politik të mazhorancës (kujtojmë këtu rastin e mandatit të deputetes Olta Xhacka, vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe opinioni i Komisionit të Venecias për të cilën mbeten të pazbatuara.). Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është një shkelje e rëndë e nenit 132 të Kushtetutës.
X. Sipas Kushtetutës dhe ligjit për statusin e deputetit, institucionet shtetërore janë të detyruara të informojnë deputetin për çështje që kërkohet prej tyre, brenda 15 ditëve nga dërgimi i kërkesës. Kjo e drejtë e deputetëve në mënyrë të vazhdueshme nuk respektohet nga organet e pushtetit ekzekutiv dhe lokal. Konkretisht, janë mbi 20 kërkesa për marrje informacioni të dërguar nga deputetët e opozitës që nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga institucionet shtetërore. Kjo pamundëson ushtrimin e kontrollit nga ana e deputetëve mbi veprimtarinë shtetërore të pushtetit ekzekutiv dhe lokal .

Konkretisht, rezulton se janë refuzuar kërkesat për informacion të deputetëve si më poshtë:
• 6 kërkesa pa informacion të deputetit Enno Bozdo;
• 6 kërkesa pa informacion të deputetit Albana Vokshi
• 1 këreksë pa informacion të deputetit Xhelal Mziu
• 8 kërkesa pa informacion të deputetit Belind Këllici.

Z. Kryetar i Kuvendit,

Qëndrimi politik i shumicës për të bllokuar çdo të drejtë kushtetuese të opozitës, refuzimi i çdo iniciative ligjore, përjashtimi i saj nga procesi i emërimeve në institucionet e pavarura, apo përjashtimi i saj nga procesi i integrimit, e bën rolin e deputetëve të opozitës në Parlament jo vetëm të papërfillshëm, por mbi të gjitha një fasadë të një normaliteti të rremë, që minon vetë parimet dhe standardet minimale të parlamentarizmit demokratik. Kjo situatë vë seriozisht në pikëpyetje vetë qëllimin e vazhdimit të pranisë së opozitës në Parlament. Nëse opozita nuk mund të diskutojë çështje me interes publik, nuk mund të ushtrojë mbikëqyrje mbi qeverisjen, nuk mund të propozojë ligje apo amendamente në dobi të qytetarëve, dhe nëse të drejtat e saj kushtetuese shpërfillen, atëherë roli i saj bëhet thjesht formal, duke dështuar në përmbushjen e përgjegjësive demokratike.

Dëshirojmë t’ju informojmë se, ndonëse ne mbetemi të përkushtuar për të vepruar brenda kuadrit institucional demokratik, nuk do të pranojmë kurrë asgjësimin e parlamentarizmit apo mohimin e të drejtave tona kushtetuese. Një vend që synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por që shkel rregullat bazë të bashkëjetesës demokratike brenda Parlamentit — ku shumica dhe opozita kanë rolet dhe përgjegjësitë e tyre përkatëse — nuk mund të jetë gjë tjetër veçse një propagandë e një normaliteti të rremë. Ne duam që Shqipëria të ecë drejt Bashkimit Evropian jo përmes propagandës boshe, por përmes standardeve të mirëfillta dhe institucioneve që funksionojnë në mënyrë demokratike, duke nisur nga institucioni që përbën thelbin e Republikës sonë – Kuvendi i Shqipërisë.

Përsa më lart shpjeguar, një pyetje mbetet thelbësore: Duke mbajtur në konsideratë të gjitha pengesat sa më sipër, si mund ta luaj opozita rolin e saj të rëndësishëm në parlament dhe në jetën demokratike të vendit?

Gazment BARDHI



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×