“Peter Magyar tregoi se ekziston hapësira për ndryshim” – Mesazhi i Spiropalit për zgjedhjet në Hungari: Shoqëritë kanë ende fuqinë të korrigjojnë devijimet

Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar pas fitores së  opozitës në zgjedhjet e përgjithshme në Hungari.

Në një mesazh në facebook, Spiropali shkruan se nëse Hungaria hyn në një fazë të re politike, ky nuk është thjesht një ndryshim qeverie. Është një sinjal më i thellë për vetë Europën.

“Fakti që një figurë si Peter Magyar, i dalë në skenë vetëm pak vite më parë, arrin të fitojë masivisht dhe të mobilizojë një shoqëri të tërë, tregon se edhe në sisteme të konsoliduara dhe të inventarizuara në pushtet, ekziston hapësira për ndryshim. Dhe se energjia politike nuk është e mbyllur, por pret momentin për t’u shprehur.

Ky ndryshim madhor në Hungari do të thotë se edhe në zemër të Europës, shoqëritë kanë ende fuqinë të rikthejnë balancën, të korrigjojnë devijimet dhe të kërkojnë institucione që funksionojnë”, shkruan deputetja e PS, Elisa Spiropali.

Mesazhi i plotë.

Nëse Hungaria hyn në një fazë të re politike, ky nuk është thjesht një ndryshim qeverie. Është një sinjal më i thellë për vetë Europën.

Për shumë vite me radhë, modeli i Viktor Orban ka sfiduar një nga parimet themelore të Bashkimit Europian; që demokracia nuk është vetëm votë, por edhe standard, jo vetëm shumicë, por edhe kufizim i pushtetit.

Fakti që një figurë si Peter Magyar, i dalë në skenë vetëm pak vite më parë, arrin të fitojë masivisht dhe të mobilizojë një shoqëri të tërë, tregon se edhe në sisteme të konsoliduara dhe të inventarizuara në pushtet, ekziston hapësira për ndryshim. Dhe se energjia politike nuk është e mbyllur, por pret momentin për t’u shprehur.

Ky ndryshim madhor në Hungari do të thotë se edhe në zemër të Europës, shoqëritë kanë ende fuqinë të rikthejnë balancën, të korrigjojnë devijimet dhe të kërkojnë institucione që funksionojnë.

Por mbi të gjitha, do të thotë se Europa, sot, fitoi një betejë më të madhe; besimin në vetvete. Në një kohë kur ndikimet e jashtme, përfshirë influencën ruse, kanë kërkuar të zbehin këtë besim, një kthesë e tillë tregon se vlerat europiane nuk janë thjesht parime në letër, por forca madhore që mund të rikthehen dhe të mbrohen nga vetë shoqëritë.

Kjo është një kujtesë e rëndësishme për të gjithë: Europa nuk është një gjendje e përhershme. Është një proces i vazhdueshëm për të mbajtur, mbrojtur dhe forcuar demokracinë funksionale.

Në këtë kuptim, Hungaria nuk është vetëm Hungari. Është një provë për të gjithë ne.

Sepse Europa nuk matet nga sa larg shkon pushteti, por nga sa fort funksionojnë kufijtë e tij.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×