
Como-Inter dhurojnë show në Serie A, 7 gola të shënuar, por në fund festa ishte e gjitha për ekipin zikaltër, me djemtë e Chivu-t që dalin me 3 pikë pas suksesit 4-3 duke hedhur një hap të sigurt drejt titullit kampion. 9 pikë diferencë 6 javë përpara fundit janë një bonus i jashtëzakonshëm, në kushte të tilla duket thuajse e pamundur që t’i ik titulli nga duart.
Como trembi jo pak Inter, në një kohë kur ekipi i Fabregas kaloi dy herë në avantazh në fraksionin e parë. Fillimisht ishte Alex Valle që tundi rrjetën, ndërsa në minutën e 45-të, Nico Paz mori një asist nga portieri duke dyfishuar shifrat. Ende pa u mbyllur pjesa e parë, Thuram u shërbye në zonë dhe me një devijim të saktë ngushtoi shifrat në 2-1.
Ashtu si në fraksionin e parë, edhe me fillimin e pjesës së dytë, ishte sërish Thuram që realizoi duke barazuar rezultatin, me “bomberin” francez që përfitoi nga një keq pozicionim i mbrojtjes së Como-s. Inter tregoi forcë karakteri me zikaltërit që përmbysën rezultatin ku Dumfries bëri protagonistin absolut. Anësori holandez realizoi golin e tij të parë në minutën e 58-të i shërbyer nga Calhanoglu. Në të 71-ën, këtë herë Dumfries me një goditje të saktë brenda në zonë kompletoi “dopietën” e tij dhe “pokerin” zikaltër.
Sfida nuk kishte fund në Como pasi në minutën e 90-të vendasit fituan një 11-metërsh i konvertuar në gol nga Da Cunha. Jo vetëm kaq, por në shtesë, Como ishte e pafat duke goditur dhe traversën. Chivu dhe i gjithë stafi zikaltër shpërthyen në festë pas këtij trepikësh, të vetëdijshëm se kjo ishte një fitore e madhe që i afron gjithnjë e më shumë me titullin në Serie A.

“Përmbysje e Inter në Como, +9 dhe sheh nga titulli”, shkruan La Gazzetta në faqen e parë.
Pas këtij suksesi, trajneri Chivu ishte në humor duke mos kursyer as ironinë ndaj rivalëve të cilët thuajse gjatë gjithë sezonit nuk folën kurrë në lidhje me garën për titull: “Do të bëj edhe unë si kolegët e mi. Mund të them se jam i lumtur që po afrohemi me një vend në Champions League sezonin e ri”, u shpreh Chivu duke shtuar ndër të tjera se kjo nuk ishte një fitore e lehtë kundër një skuadër që po lufton për diçka të veçantë këtë sezon.
and then