Rekorde dhe shifra top, si Siner e kaloi Alkarazin

Fushat e dheut apo ato me çemento nuk bëjnë asn jë ndryshim për Janik Sinerin. Në këtë fazë të sezonit, tenisti italian po dominon në çdo sipërfaqe. Triumfi në turneun Masters të Monte Karlos është Mastersi 1000 i tretë i fituar prej tij në vitin 2026, pas “Indian Uells” dhe “Miami Open”. Vetëm Novak Xhokoviç, në vitin 2015, kishte arritur një treshe të tillë.

Për Sinerin, ky është titulli i katërt radhazi në Masters 1000, duke përfshirë edhe Parisin, të fituar në fillim të nëntorit 2025. Para tij, një seri e tillë ishte arritur vetëm nga Xhokoviç dhe Rafael Nadal. Në këta turne, Siner ka bërë edhe më mirë sa i përket përqindjes së seteve të fituara: 44 nga 45 (97,78%). I vetmi set i humbur erdhi kundër çekut Tomas Machac në çerekfinalet e Monte Karlos.

Për krahasim, Xhokoviç mes viteve 2015- 2016 kishte një përqindje 95,65% (44-2), ndërsa Nadal ishte ndalur në 86,9% (40-6) mes Madridit dhe Cincinatit 2013. Tani në shënjestër të Sinerit është Madridi dhe pikërisht aty, në “shtëpinë” e Alkaraz, mund të vijë një rekord i ri unik. Nëse fiton në tokën spanjolle, ai do të bëhej tenisti i parë në histori që fiton pesë Masters 1000 radhazi.

RIKTHIMI NR.1 DHE MË SHUMË – Nëse kampioni italian do të ishte i apasionuar pas statistikave, shifrat pas fitores në Monte Karlo do t’i jepnin edhe më shumë motivim. Së pari, ai ka rimarrë vendin e parë në renditjen ATP nga Alkaraz, si për pozicionin, ashtu edhe për javët në krye: 67 kundrejt 66. Aktualisht, Siner ka një avantazh prej 440 pikësh, pasi Alkaraz ka humbur pikët e fituara në Barcelonë 2025 (ku ishte mposhtur në finale nga Holger Rune).

Megjithatë, spanjolli do të rikthehet në fushë në Barcelonë, ku nëse fiton, mund të rikthehet në krye. Siner është ende pas në përballjet direkte (10-7 në favor të spnajollit), por ka fituar më shumë pikë në total (1739 ndaj 1730) dhe më shumë game (266 ndaj 264). Fitorja në Monte Karlo i dha atij epërsinë edhe për numrin e titujve në turnetë kryesore (27 ndaj 26). Italiani gjithashtu ka një përqindje më të lartë fitoreje në vitin 2026: 24 fitore në 26 ndeshje (92,3%), ndërsa Alkaraz ka 21 fitore në 24 ndeshje (87,5%).

KRAHASIMI ME “BIG THREE” – Për të arritur nivelin e brezit të mëparshëm, të dominuar nga Xhokoviç, Nadal dhe Federer, si Siner ashtu edhe Alkaraz kanë ende rrugë për të bërë. Edhe pse Alkaraz është lojtari më i ri që ka fituar katër turnetë Grand Slam dhe të dy kanë kaluar shifrën 13,000 pikë ATP, statistikat e “Big Three” mbeten në një nivel tjetër. Nga viti 2003 deri në 2023, ata fituan 66 nga 84 tituj Grand Slam (79%).

Xhokoviç mban rekordin absolut me 24 Grand Slam, i ndjekur nga Nadal (22) dhe Federer (20). Ndërkohë, Alkaraz dhe Siner kanë respektivisht 7 dhe 4 tituj madhorë. Treshja legjendare fitoi 18 Grand Slam radhazi nga Roland Garros 2005 deri në Uimbëlldon 2009. Ndërkohë, Siner dhe Alkaraz janë në një seri prej 9 titujsh radhazi, e nisur nga italiani me fitoren në Australian Open 2024 dhe ende në vazhdim.

Xhokoviç dhe Federer mbajnë edhe dy rekorde të rëndësishme në renditjen ATP: serbi ka kaluar 428 javë në total si numri një në botë, ndërsa zvicerani ka qëndruar 237 javë radhazi në krye (310 në total). Në anën tjetër, Siner dhe Alkaraz kanë avantazhin e moshës (24 dhe 22 vjeç) dhe një konkurrencë që nuk duket se mund t’i sfidojë seriozisht. Për këta dy “alienë” të tenisit modern, që dominojnë në çdo sipërfaqe, asgjë nuk duket e pamundur…



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×