
Tek Milan është rikthyer qetësia pas ditëve të trazuara. Tre humbje në katër ndeshjet e fundit kishin ngritur pikëpyetje të forta mbi ecurinë e skuadrës dhe të ardhmen e projektit teknik. Në qendër të kritikave përfunduan jo vetëm disa prej lojtarëve kryesorë si Rafael Leão dhe Christian Pulisic, por edhe trajneri Massimiliano Allegri.
Zërat për një largim të mundshëm të teknikut drejt stolit të kombëtares italiane kanë qarkulluar gjerësisht, me emrin e Giovanni Malagò që është përmendur si mbështetës i kësaj ideje. Megjithatë, vetë Malagò ka mohuar çdo kontakt në këtë drejtim.
Ndërkohë, nga drejtuesit kuqezi vjen një sinjal i qartë: besimi ndaj Allegrit mbetet i fortë. Në “Casa Milan” po merr formë një projekt i ri që synon vazhdimësinë me trajnerin italian, duke i dhënë atij një rol edhe më të rëndësishëm në ndërtimin e skuadrës.
Fokusi tashmë zhvendoset te merkatoja e verës. Problemi kryesor i këtij sezoni ka qenë thellësia e skuadrës, ku alternativat nuk kanë qenë në lartësinë e titullarëve. Për këtë arsye, priten ndërhyrje të rëndësishme për të zgjeruar dhe forcuar organikën.
Objektivi është i qartë: afrimi i lojtarëve me eksperiencë, në profilin e Adrien Rabiot, të aftë për të rritur menjëherë cilësinë dhe konkurrencën brenda ekipit.
Drejtuesit synojnë ta shndërrojnë Allegrin në një figurë menaxheri në stilin anglez, me ndikim të drejtpërdrejtë në strategjinë e merkatos. Një lëvizje që jo vetëm konsolidon projektin sportiv të Milanit, por edhe largon përfundimisht “sirenat” e kombëtares italiane.
and then