
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali, ku një futbollist amator 25-vjeçar ka humbur jetën pas një përplasjeje të dhunshme që dyshohet se nisi për një konflikt banal lidhur me vjedhjen e disa picave.
Sipas mediave italiane, viktima, Gabriele Vaccaro, i cili kishte luajtur në ekipe të divizioneve të ulëta, po kthehej në orët e para të mëngjesit të së dielës (rreth orës 03:30) së bashku me dy miq, kur u përballën me pesë të rinj në rajonin e Parias.
Dyshohet se të rinjtë u kanë kërkuar t’u dorëzonin picat që kishin me vete, duke shkaktuar një përplasje që degjeneroi në dhunë fizike. Gjatë sherrit, 25-vjeçari u godit me një mjet të mprehtë në qafë dhe bark.
Miqtë e tij fillimisht nuk e kanë kuptuar seriozitetin e plagëve dhe e kanë dërguar në shtëpi, por më pas është kërkuar ndihma e emergjencës. Ai u transportua në spital, ku fatkeqësisht ndërroi jetë nga plagët e marra.
Autoritetet italiane kanë arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në ngjarje, mes tyre dy shtetas shqiptarë me nënshtetësi italiane dhe një 17-vjeçar me origjinë egjiptiane, i cili dyshohet si autori i goditjes fatale. Një nga miqtë e viktimës është plagosur lehtë dhe është trajtuar në spital.
Hetimet po vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
and then