Sadushi ndal fokusin te çështjet e prapambetura: Pa vlerësim në kohë nuk ka meritokraci e karrierë të drejtë

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, mori pjesë në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, me temë vlerësimet etiko-profesionale të magjistratëve dhe masat për uljen e backlog-ut.

Në fjalën e tij, Sadushi theksoi se vlerësimi etik dhe profesional i magjistratëve nuk është një procedurë formale, por një mekanizëm thelbësor për meritokracinë, karrierën dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë.

Ai nënvizoi se vlerësimi në kohë ndikon drejtpërdrejt në emërimet, ngritjet në detyrë, lëvizjet paralele, transferimet, komandimet dhe delegimet e magjistratëve. Sipas tij, vonesat në këtë proces nuk janë thjesht problem administrativ, por ndikojnë në plotësimin e vakancave, në funksionimin e gjykatave dhe prokurorive, si dhe në uljen e çështjeve të prapambetura. Kryetari i Gjykatës së Lartë u shpreh se reforma në drejtësi nuk synoi vetëm krijimin e institucioneve të reja, por ndryshimin e mënyrës se si sistemi vetëqeveriset, promovon, kontrollon dhe mban përgjegjësi. Në këtë kuptim, ai theksoi se institucionet e reja nuk mund të përsërisin dobësitë që karakterizuan sistemin para reformës.

Në fjalën e tij, Sadushi evidentoi edhe vonesat në plotësimin e dy vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, duke theksuar se një gjykatë më e lartë e paplotësuar në kohë humbet kapacitet vendimmarrës dhe e ka më të vështirë të vijojë me ritmin e uljes së backlog-ut.

Në përfundim, Kryetari i Gjykatës së Lartë bëri thirrje që vlerësimi etiko-profesional të trajtohet si prioritet strategjik nga KLGJ dhe KLP, përmes një plani konkret veprimi, me afate të qarta, objektiva të matshme, përgjegjësi të përcaktuara dhe raportim periodik publik.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×