
Emisioni investigativ TakFak në News24 ka depozituar kallëzim penal për masakrën pyjore në fshatin Slabinjë, duke dorëzuar pranë autoriteteve prova filmike dhe fotografike nga terreni.
Gazetari i emisionit, së bashku me denoncuesin Alban Çela, kanë trokitur fillimisht në zyrat e njësisë administrative për të raportuar situatën. Drejtuesi vendor është shprehur se zona i përket bashkisë së Pogradec dhe se prerjet e pyjeve nuk lejohen pa urdhër përkatës.
Më pas, grupi i “TakFak” është paraqitur në bashki, por sipas tyre, kryetari nuk ka pranuar t’i takojë, pavarësisht insistimit. Në Drejtorinë e Pyjores, zyrtarët kanë deklaruar se janë hartuar dy procesverbale për rastin dhe janë dërguar në bashki, por ende nuk ka një përgjigje.
Ndërkohë, roja i pyllit ka mohuar përgjegjësinë për ruajtjen e pyjeve, duke theksuar se ka detyrë mbrojtjen e kullotave. Nga ana tjetër, anëtari i Këshillit Bashkiak, Arbër Male, është shprehur se e ka ngritur vazhdimisht këtë problem si në rrjete sociale ashtu edhe në mbledhjet e këshillit, por pa marrë reagim nga institucionet.
Ai u bëri thirrje autoriteteve dhe banorëve që të ndërhyjnë urgjentisht për të ndalur shkatërrimin e pyjeve, duke paralajmëruar se rikuperimi i zonës do të kërkojë vite.
Në vijim, gazetarët dhe denoncuesi janë paraqitur në komisariatin e policisë në Pogradec, ku kanë bërë kallëzimin pranë oficerit të OPGJ-së. Sipas tyre, edhe pse denoncime të mëparshme nuk janë marrë në konsideratë, këtë herë u është konfirmuar se materiali i dorëzuar do t’i përcillet prokurorisë për hetime të mëtejshme.
and then