LIVE/ A do të ndryshojnë kriteret për “arrestin në burg”? Gjykata e Lartë shprehet për njësimin e praktikës

Gjykata e Lartë shprehet sot për njehsimin e praktikës gjyqësore lidhur me kushtet dhe kriteret për aplikimin e masës së sigurisë “arrest në burg”. Kolegjet e Bashkuara nisi seancën, ku do të vendoset nëse do të ndryshohet apo jo vendimi unifikues i vitit 2011, i cili aktualisht shërben si referencë për organet gjyqësore në caktimin e kësaj mase.

Për miratimin e një vendimi të ri kërkohet vota pro e shumicës së gjyqtarëve, në kuadër të iniciativës së ndërmarrë nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Në arsyetimin e tij, ai sjell në vëmendje disa vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mes të cilëve edhe rasti i Thoma Gëllçit, ish-drejtor i përgjithshëm i televizionit publik shqiptar, ku mbajtja në arrest me burg u konsiderua shkelje e të drejtave themelore.

Në dokumentin e firmosur prej Sadushit theksohet se privimi nga liria duhet të mbështetet në disa kushte thelbësore, si: ekzistenca e dyshimeve të arsyeshme për kryerjen e një vepre penale, rrezikshmëria që paraqet personi, mundësia e shmangies nga drejtësia, si dhe rreziku për prishjen e provave apo intimidimin e dëshmitarëve.

Kolegjet e Bashkuara do t’i japin përgjigje një pyetjeje thelbësore: a mund të nxirret “rrezikshmëria e veçantë e veprës dhe e të pandehurit” si kriter për caktimin e masës “arrest në burg”, vetëm ose kryesisht nga natyra e veprës penale, rëndësia e saj apo marzhi i dënimit, pa një vlerësim konkret dhe të individualizuar të rrethanave të rastit dhe të personit? Pikërisht në këtë pikë qëndron edhe thelbi i debatit, pasi një ndryshim i mundshëm mund të krijojë hapësira që në të ardhmen zyrtarë të lartë të pretendojnë mungesë rrezikshmërie dhe, për rrjedhojë, të kërkojnë lirimin nga paraburgimi.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×