Misteri i 2 makinave në atentatin ndaj Kreshnik Mujecit/ “Në Shënjestër”: Njëra u mor me qira në Rinas, makina e dytë e ngjashme u mor për të konfuzuar policinë

Gjatë emisionit “Në Shënjestër” në News24, u publikuan të reja nga dosja hetimore e vrasjes së Kreshnik Mujecit dhe gruas së tij, ku vrasësit përdorën 2 automjete.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi Florin Mhillaj ka marrë automjetin tip ‘Volksëagen Polo’, të cilin motra e tij e kishte marrë me qira në Rinas, dhe pasi i ka hequr targat në bashkëpunim me njërin nga 2 shtetasit e shpallur në kërkim, e kanë përdorur këtë automjet për t’i prerë rrugën dhe për të qëlluar në drejtim të automjetit me të cilin lëviznin shtetasit Kreshnik Mujeci dhe Gentiana Mujeci.

Po kështu sipas dinamikës së zbardhur nga grupi hetues rezulton se pasi Florin Mhillaj ka kryer kryer krimin në bashkëpunim me Adriano Mhillaj dhe Renato Mhillaj, e ka çuar këtë automjet në banesën e shtetasit B. K.

Aty ku e ka fshehur duke e mbuluar me bar, kjo me qëllim humbjen e gjurmëve.

Por plani mesa duket ka qenë i tillë, që për të krijuar konfuzion te policia, që mund të binte sakaq në gjurmët e këtij automjeti, autorët kanë zgjedhur që të marrin edhe një makinë të ngjashme, por që kjo ndryshe nga ajo e krimit, të ishte me letra të rregullta si edhe e pajisur me targa.

E njëjta, identike që u gjet po në banesën e shtetasit 22 vjeçar, B. K.

I cili si alibi do të përdorte faktin që automjetin e kishte identik me të autorëve dhe të rregullt, ndërkohë që automjeti i krimit fshihej po aty i mbuluar me bar.

Në vijim të veprimeve, u shpall në kërkim shtetasi B. K., 22 vjeç, banues në fshatin Torovicë, për veprat penale ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’ dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, për babain e 22-vjeçarit, shtetasin N. K, 79 vjeç, banues në fshatin Torovicë, për veprën penale ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë vijojnë kërkimet në terren, për lokalizmin dhe kapjen e autorëve, si dhe të shtetasit të shpallur në kërkim.

Por kush janë autorët e dyshuar të krimit që tronditi Lezhën?

Krim që siç thamë krijoi edhe një precedent të rrezikshëm, të padëgjuar më parë.

Atë të vrasjes së një gruaje, që shënon një thyerje edhe të normave dhe zakoneve shoqërore.

Sipas organit hetues, autorët që morën pjesë në këtë vrasje janë Renato Mhillaj, që rezulton të jetë djali i Genc Mhillaj.

Shtetas ky i ekzekutuar në vitin 2016, në malin e Jushit në Lezhë.

Si dhe dy nipat e tij Adriano dhe Florin Mhillaj.

Genc Mhillaj që siç thamë u ekzekutua në vitin 2016, në dyshimet e para nga Jozef Mujeci dhe kushërinjtë e tij vëllëzerit Kreshnik dhe Lin Mujeci.

Një konflikt që nisi për motive të dobëta dhe përfundoi me vrasjen e Mhillaj, i cili dyshohet se u qëllua në ballë me armë zjarri nga njëri prej të dyshuarve.

Ngjarje të cilës pak ditë më parë i kishte prirë një debat i ashpër midis Jozef Mujecit dhe 49-vjeçarit Genc Mhillaj.

Ku në përballjen e radhës në Torovicë, në urën e Malit të Jushit, Jozef Mujeci thuhet se qëlloi me armë zjarri ndaj Genc Mhillaj.

Jozef Mujeci që u arrestua menjëherë pas krimit, ndërsa dy kushërinjtë e tij, në këtë rast Kreshnik Mujeci, i shpallur në kërkim, u arrestua vetëm një vit më pas.

Konkretisht në vitin 2017.

Ndërsa Lin Mujeci nuk u procedua kurrë.

Por ndërsa mesa duket familja Mhillaj priti drejtësi, ajo sipas tyre nuk erdhi.

Pasi të gjithë auorët e dyshuar të vrasjes së Genc Mhillaj, më pas dolën të pafajshëm në lidhje me vrasjen e tij.

Vendim i drejtësisë që duket se la të pakënaqur të afërmit e viktimës Genc Mhillaj.

Në këtë rast edhe djalin e tij, i cili ishte vetëm 14 vjeç kur babai u ekzekutua në vitin 2016.

Si edhe dy nipërit e tij, që thuhet se u bënë pjesë e hakmarrjes për gjakun e humbur të xhaxhait të tyre.

Tre të rinjtë të cilët tashmë janë në kërkim nga policia lidhur mbi vrasjen e çiftit të bashkëshortëve Kreshnik dhe Gentiana Mujeci, në fshatin Balldre të Lezhës.

Kreshnik Mujeci që ndërsa u arrestua në vitin 2017 për vrasjen e Genc Mhillaj në Malin e Jushit, më datë  6 tetor të vitit 2016, më pas mori pafajësinë nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër lidhur mbi këtë ngjarje.

Viktima një personazh që thuhet se ishte tejet problematik në zonë dhe ishte përfshirë në ngjarje të ndryshme.

E fundit vetëm dy javë përpara se të vritej.

Ku ai ishte proceduar penalisht për kanosje për shkak të detyrës.

Kjo pasi kishte kërcënuar një punonjës të Policisë Lezhë.

Ndërkohë që Mujeci mbante edhe rekorde për dhunë në familje

Shfaqja e tij e fundit publike ishte në organizimin e festës së Shën Markut në fshatin Koljakaj.

Vetëm një ditë përpara se të ekzekutohej.

Në këto pamje ku Kreshnik Mujeci, dallohet teksa feston midis banorëve të zonës.

Po përse familja e Genc Mhillaj, i ekzekutuar më datë 6 Tetor 2016, në urën e Malit të Jushit në Torovicë të Lezhës, nuk u bind asnjëherë nga verdikti i drejtësisë, që i shpalli të pafajshëm Kreshnik Mujecin dhe kushëririn e tij Jozef Mujeci, në lidhje me vrasjen e të afërmit të tyre.

Çështje e cila shkoi deri në Gjykatën e Lartë.

E ankimuar nga Prokuoria Shkodër, e cila nuk pranonte dy vendimet e dhëna nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër si edhe ajo e Apelit, të cilat kishin shpallur të pafajshëm Kreshnik Mujecin dhe Jozef Mujecin,

Si dhe kishin kërkuar lirimin e tyre të menjëhershëm nga paraburgimi.

Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër me vendimin nr. 1975 (5636), datë 27 Nëntor 2018, ka vendosur: ‘Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Jozef Mujeci për kryerjen e veprës penale ‘Vrasja me paramendim’ dhe ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake’, pasi nuk provohet të ketë kryer veprat penale për të cilat akuzohet.

Ndaj urdhërohet  shuarja e masës së sigurimit personal ‘arrest me burg’ të vendosur me vendimin nr.1236 (4290) datë 10 Tetor 2016, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Kreshnik Mujeci për kryerjen e veprës penale ‘Vrasja me paramendim’, pasi nuk provohet ta ketë kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Për këtë arsye urdhërohet shuarja e masës së sigurimit personal ‘arrest me burg’, të vendosur me vendimin nr. 869 (4072), datë 10 Tetor 2017 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Po përse Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër kishte rrëzuar pretendimet e prokurorisë në lidhje me fajësinë e Kreshnik Mujecit dhe kushëririt të tij Jozef Mujeci, përsa i përket ekzekutimit të Genc Mhillaj.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×