
>Talenti i ri i futbollit francez dhe një nga lojtarët kyç të Paris Saint-Zhermen (PSG), Desire Due, ka vendosur synimin e madh, të shkëlqejë në Kupën e Botës 2026, kompeticion i cili do të mbahet në tre shtete të Amerikës Veriore, SHBA, Meksikë dhe Kanada
PSE DUE MUND TË JETË ZBULIMI I BOTËRORIT – Pas humbjes dramatike të Francës me penallti ndaj Argjentinës në finalen e Botërorit Katar 2022, vëmendja e vendit u përqendrua menjëherë te viti 2026, duke kërkuar pasardhësit e figurave si Rafael Varane, Olivier Zhirud dhe Antuan Grizman. Në atë kohë, Due ishte vetëm 17 vjeç dhe sapo kishte nisur te “Stade Rennais FC”, por kishte treguar mjaftueshëm për t’u përfshirë në diskutimet për yjet e ardhshëm të Francës. Katër vite më vonë, ai është shndërruar pikërisht në atë që pritej, një yll i vërtetë.
Sot një pjesë thelbësore e makinerisë së PSG-së, Due po magjeps tifozët në Francë dhe më gjerë me aftësinë e tij për të bërë diferencën në momentet më të rëndësishme. Ai pasoi paraqitjen e tij të jashtëzakonshme me dy gola në fitoren 5-0 të PSG-së ndaj Interit në finalen e Ligës së Kampionëve 2024-2025, duke fituar më pas çmimin “Lojtari i Ri më i Mirë” në Kupën e Botës për Klube 2025.
Megjithëse ka vetëm gjashtë ndeshje me kombëtaren franceze, në paraqitjen e tij më të fundit në mars, ai tregoi rëndësinë e tij për skuadrën e Didier Deshamp, duke shënuar dy gola në fitoren 3-1 ndaj Kolumbisë në “Maryland”. Tashmë, ish-lojtari i Renes synon të pushtojë botën me Francën, ku pritet të luajë përkrah emrave si Ousmane Dembele, Bradlei Barkola, Mikael Olise dhe superyllit Kilian Mbape.
ÇFARË ËSHTË THËNË PËR DUE
“Ai ka aftësinë të mbajë topin dhe ta bëjë driblimin të duket i lehtë. Është i fortë në këmbë dhe në duele. Ka një të ardhme të madhe dhe ne po përpiqemi ta mbështesim sa më shumë. Jam një fans i madh i tij”, Benjamin Bourigeaud
“Te Rene pamë cilësitë e tij kudo që luante, teknikën, forcën fizike dhe karakterin. Sot po korr frytet e punës së tij. Ka ende shumë për të përmirësuar, por është në klubin e duhur për t’u rritur”, u shpreh trajneri i PSG-së Luis Enrike.
“Ai është një djalë dhe lojtar i shkëlqyer, të gjithë e dimë cilësinë e tij”, deklaroi kapiteni i PSG-së Markinjos.
“Është kënaqësi të luash me të, ai i jep spektakël të gjithëve dhe shpresoj të vazhdojë të na ndihmojë”, u shpreh Vitinja.
“Të gjithë e shohin teknikën dhe finalizimin e tij, por ajo që më habit është aftësia për të krijuar fuqi edhe kur shtyhet gjatë goditjes”, deklaroi ish-sulmuesi i “Gjelave”, Tierri Henri.
“Ai është përmirësuar shumë. Mund të kalojë kundërshtarët, luan në të dy krahët dhe edhe në mesfushë”, u shpreh trajneri i kombëtares franceze, Didier Deshamp.
“Për mua ai është ende vëllai im i vogël. Ishte frymëzim ta shihja të shkëlqente dhe më motivoi të bëja të njëjtën gjë”, pohoi Guela Due, i cili luan me Strasburgun në Francë.
Me talentin, guximin dhe rritjen e shpejtë, Desire Due duket gati të jetë një nga protagonistët më të mëdhenj të Kupës së Botës 2026.
and then