
20 vite pritje për t’u rikthyer sërish në një finale të Champions League. Arsenal është finalisti i parë i këtij edicioni, me “topçinjtë” e Artetas që triumfuan 1-0 në sfidën e kthimit ndaj Atletico Madrid. As në “Emirates” nuk kishte spektakël, por kjo është gjëja e fundit që ka rëndësi në këtë pikë, Arsenal thjesht po përjeton një fund sezoni fantastik ku janë vetëm një hap larg realizimit të një ëndrre shumë të madhe, kanë realisht shumë shanse për të bërë “dopjetë” pasi janë në garë në Premier dhe Champions League.
Ashtu si në sfidën e parë në Madrid, edhe në Londrës, u zhvillua një sfidë e luftuar për çdo top me pak raste për shënim. Në fundin e pjesës së parë, një goditje e fortë e Trossard nuk e devijua si duhet nga Oblak, me topin që ngeci në zonë, aty ku Saka arriti në kohë duke e devijuar në rrjetë. I gjithë stadiumi shpërtheu në festë për këtë gol jashtëzakonisht të rëndësishëm.
Me fillimin e pjesës së dytë, Atletico Madrid flirtoi me golin, ku Giuliano Simeone u shkëput shpejt, bëri gjithçka mirë deri në momentin final, por pa mundur të godas kuadratin, duke shpërdoruar një rast të pastër. Spanjollët shtuan presionin në zonë e Arsenal, me Griezmann që tentoi me një goditje të fortë, por portieri Raya në pozicion mbajti portën të paprekur.
“Topçinjtë” u përpoqën të kapnin “mat” Atletico-n me disa zbritje të shpejta në sulm, i shkuan shumë pranë golit të dytë në minutën e 66-të, por Gyokeres i pa shqetësuar në zonë dërgoi topin pak mbi traversë. Në mënyrë befasuese, edhe pse ishte në dizavantazh, Simeone ndërhyri në formacion duke ulur në stol dyshen e sulmit Alvarez-Griezmann, një lëvizje kjo që nuk pati asnjë efekt pasi Atletico nuk arriti të ishte kërcënuese në sulm duke bërë që rezultati të mos ndryshonte deri në fund, me Arsenal që feston me të drejtë për këtë sukses të madh, sigurimin e një biletë për në finalen e Champions League.
Në Spanjë, mediat pranojnë atë që dha fusha, ku të përditshmet sportive bashkohen në një pikë: Game Over, loja mbaroi, apo Historia duhet të pres, ishin disa nga titujt kryesorë.
and then