
Llapi ka lëshuar pikë të rëndësishme në garën për mbijetesë, pasi ka barazuar pa gola ndaj Dukagjinit, në kuadër të javës së 33-të në Albi Mall Superligë.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë u karakterizua me raste të shumta nga të dyja skuadrat, por portierët mbetën të pamposhtur. Mysafirët ishin afër golit në pjesën e parë, kur Hekuran Berisha nuk arriti të realizojë nga afërsia, ndërsa një tjetër rast përfundoi në shtyllë.
Pas këtij barazimi, Dukagjini mbetet në pozitën e shtatë me 42 pikë, derisa Llapi renditet në vendin e tetë me 40 pikë, pozitë që dërgon në barazh për mbetje në elitë.
Ndërkohë, pa fitues, por me gola është mbyllur edhe sfida ndërmjet Ferizajt dhe Malishevës, e zhvilluar në Ferizaj, 1:1.
Ferizaj kaloi në epërsi në minutën e 38-të me golin e Ruben Silva-Richards, duke e mbyllur pjesën e parë në avantazh minimal. Në fundin e pjesës së parë, Malisheva mbeti me një lojtar më pak në fushë, pasi Robert Mathieu Ndjigi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.
Megjithatë, përkundër këtij fakti mysafirët reaguan në pjesën e dytë dhe arritën të barazojnë rezultatin në minutën e 63-të me anë të Diatta Assane, i cili vulosi rezultatin përfundimtar 1:1.
Pas këtij takimi, Ferizaj mbetet në pozitën e nëntë me 35 pikë, ndërsa Malisheva vazhdon në vendin e tretë me 53 pikë, duke qenë shumë pranë sigurimit të pjesëmarrjes në garat evropiane.
and then