Premier League/ Manchester City beson ende te titulli, mund pastër 3-0 Brentford, barazim në supersfidën mes Liverpool dhe Chelsea

Premier League vazhdon të dhurojë emocione në javët vendimtare të sezonit dhe Manchester City mbetet fuqishëm në garë për titullin kampion. Skuadra e Pep Guardiola fitoi pastër 3-0 ndaj Brentford në “Etihad”, duke iu afruar në vetëm dy pikë Arsenal në krye të renditjes.

Megjithatë, sfida nuk ishte aspak e lehtë për kampionët në fuqi. Brentford rezistoi mirë gjatë pjesës së parë dhe arriti të bllokonte manovrat sulmuese të vendasve, duke e mbyllur fraksionin e parë me porta të paprekura. City rriti ritmin pas pushimit dhe në minutën e 60-të gjeti më në fund golin e avantazhit. Protagonist ishte Jérémy Doku, i cili pas një aksioni të shpejtë dhe një devijimi të pafat të mbrojtjes mike, goditi saktë në trekëndësh për 1-0.

Pasi zhbllokoi rezultatin, skuadra e Guardiolës mori kontrollin total të lojës. Në minutën e 75-të erdhi edhe momenti i Erling Haaland. Sulmuesi norvegjez realizoi golin e tij të 26-të sezonal në kampionat me një goditje elegante me thembër, duke ndezur entuziazmin në “Etihad”. Brentford provoi të reagonte, ndërsa portieri Kelleher mbajti gjallë shpresat e miqve me disa pritje të rëndësishme ndaj Phil Foden. Por në kohën shtesë, Omar Marmoush vulosi gjithçka me golin e tretë që mbylli përfundimisht sfidën në shifrat 3-0.

Me këtë sukses, Manchester City vazhdon presionin ndaj Arsenalit në garën për titullin.

Emocione pati edhe në “Anfield”, ku Liverpool dhe Chelsea ndanë pikët pas barazimit 1-1. Vendasit kaluan shpejt në avantazh me Ryan Gravenberch që në minutën e gjashtë, por londinezët reaguan mirë dhe barazuan me Enzo Fernández në minutën e 35-të, duke i dhënë fund serisë negative në kampionat.

Ndërkohë, Manchester United zhgënjeu sërish, duke mos shkuar më shumë se një barazim pa gola në transfertë ndaj Sunderland. Pas tre fitoreve radhazi kjo ishte ndalesa e pare për skuadrën e drejtuar nga Michael Carrick.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×