Premier League/ Spurs mbetet në rrezik, londinezët frenohen nga Leeds, garë e hapur për mbijetesë

Tottenham shpërdoron një tjetër mundësi të artë në garën për mbijetesë. Në sfidën e javës së 36-të të Premier League, Spurs-at nuk shkojnë më shumë se një barazim 1-1 në shtëpi ndaj Leeds, në një mbrëmje plot tension dhe emocione deri në sekondat e fundit.

Skuadra londineze e nisi takimin me ritëm të lartë dhe krijoi rastet e para me Richarlison, ndërsa Leeds provoi të godiste në kundërsulm pas një gabimi të Mathys Tel. Portieri Kinsky u tregua vendimtar me një pritje spektakolare ndaj Rodon, duke mbajtur Tottenhamin në lojë.

Në fillimin e pjesës së dytë erdhi edhe momenti magjik i ndeshjes. Mathys Tel realizoi një gol spektakolar me një goditje të fortë nga kënd i vështirë, duke kaluar Tottenhamin në avantazh në minutën e 51-të. Spurs-at morën kontrollin e lojës dhe Richarlison shkoi shumë pranë golit të dytë, por skuadra e De Zerbit ndëshkoi vetveten.

Në minutën e 74-t, Tel shkaktoi penallti pas ndërhyrjes ndaj Ampadu dhe, pas një kontrolli të gjatë nga VAR-i, Calvert-Lewin u tregua i saktë nga pika e bardhë për të barazuar rezultatin në 1-1. Goli ndryshoi ritmin e sfidës, me Leeds që besoi deri në fund te përmbysja.

Minutat shtesë u kthyen në një dramë të vërtetë sportive. Për shkak të ndërprerjeve të shumta, loja vazhdoi deri në minutën e 105-të dhe protagonisti absolut u bë portieri Kinsky, që shpëtoi Tottenhamin nga humbja me dy pritje fantastike ndaj Longstaff. Në fund, Spurs-at detyrohen të kënaqen me një pikë që vlen pak në luftën për mbijetesë. Tottenham mbetet me 38 pikë, vetëm dy më shumë se West Ham, ndërsa Leeds siguron matematikisht qëndrimin në Premier League me 44 pikë.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×