Gazetari italian Nello Trocchia: Mafia shqiptare sot në raport “mes të barabartësh” me Ndraghetan dhe Camorran

Gazetari investigativ italian Nello Trocchia, i ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, ka folur për fuqizimin e grupeve kriminale shqiptare dhe lidhjet e tyre me organizatat mafioze në Itali.

Sipas Trocchia-s, mafia shqiptare ka ndërtuar ndër vite një strukturë të organizuar dhe fleksibile, që i ka mundësuar të zgjerohet shpejt dhe të krijojë marrëdhënie të forta me grupet kriminale italiane.

“Mafia shqiptare ka një strukturë shumë të mirë, të paktën nga sa e njohim ne në Itali. Janë grupe që kanë aftësinë të shkrihen dhe të përhapen menjëherë”, u shpreh gazetari italian.

Ai theksoi se sot ekziston një ndërthurje e fortë mes mafias shqiptare dhe organizatave kriminale italiane si Ndragheta dhe Camorra, veçanërisht në aktivitetet që lidhen me trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.

Sipas Trocchia-s, bashkëpunimi mes tyre shtrihet në bizneset ilegale, rrjetet e furnizimit me lëndë narkotike dhe aktivitetet financiare të paligjshme.

Gazetari investigativ deklaroi gjithashtu se Italia ka shërbyer si një “palestër” për grupet kriminale shqiptare që prej viteve ’90, periudhë gjatë së cilës shumë trafikantë shqiptarë krijuan lidhje të drejtpërdrejta me botën e krimit italian.

“Mafia shqiptare ka gjetur në Itali një palestër në vitet ’90 dhe ka bërë stërvitje. Kolona shumë të rëndësishme dhe trafikantë të rëndësishëm kanë kaluar në Itali, kanë pasur lidhje me krimin italian”, tha ai.

Sipas Trocchia-s, pas më shumë se tre dekadash bashkëjetese dhe bashkëpunimi kriminal, raporti mes mafias shqiptare dhe organizatave italiane nuk është më i njëanshëm.

“Raporti i tyre është sot mes të barabartësh”, deklaroi gazetari italian.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×