
Dinamo po vijon me përgatitjet për ndeshjen e së dielës, ku përballë do të ketë Elbasanin në garën për “Final 4”. Të besuarit e Dajës do të synojnë të marrin një tjetër fitore dhe të mbajnë gjallë shpresat për titullin kampion, gjithmonë nëse edhe Egnatia do të fitojë sfidën e nesërme ndaj Vllaznisë. Nga kampi blu, ka lajme të mira për sa i përket rikuperimeve, duke qenë se në ditët e fundit, Andre Teikseira dhe Klevi Qefalija janë stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës. Të dy lojtarët kanë lënë pas dëmtimet dhe duket se janë gati për të dhënë kontributin e tyre në skuadër.
Teikseira ka munguar prej rreth 1 muaji duke qenë se pësoi dëmtim që në gjysmëfinalen e Kupës ndaj Vllaznisë, duke humbur finalen, javët e fundit të kampionatit dhe ndeshjen e parë në “Final 4”. Sa i përket Qefalisë, mesfushori ka pasur shqetësime në javët e fundit.
ALDO TEQJA- Lajmi më i mirë në kampin blu, është padyshim rikthimi i portierit Aldo Teqja. Blutë luajtën ndaj Vllaznisë me portierin e tretë, Tomas Kiri, i cili e mbajti portën e paprekur. Teqja ka qenë dje në stërvitje me skuadrën dhe një ditë më parë, kishte hequr penjtë teksa duket se do të jetë gati për Elbasanin. Gjasat janë që të luajë nga stoli, megjithatë gjendja e tij do të vlerësohet në ditët në vijim për të ditur nëse mund të jetë gati apo jo.
and then