
Ish-ministri Genc Ruli, ka dëshmuar në GJKKO lidhur me hetimet që po kryhen për privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”. Gjatë marrjes në pyetje nga prokurorët, Ruli ka sqaruar rolin e institucionit që ai drejtonte në vitin 2005, marrëdhëniet me Ministrinë e Mbrojtjes dhe takimet e zhvilluara në zyrën e tij me palët e interesuara.
Ruli u shpreh se në vitin 2005, Ministria e Ekonomisë kishte rol mbikëqyrës dhe përgatitor në procesin e privatizimit. Ai theksoi se programi qeverisës i Partisë Demokratike në atë kohë kishte si synim parësor mbrojtjen e interesave të ish-pronarëve, duke u dhënë atyre të drejtën e parablerjes për pronat shtetërore.
Ish-ministri pranoi se kishte dijeni që objekti ishte pronë private dhe tregoi se kishte pritur në zyrë palët për t’i dëgjuar. Ndër të tjera, ai zbardhi edhe bisedën e bërë me ish-drejtuesin e klubit, Albert Xhani.
“Dy herë i kam thënë Albert Xhanit që ky proces do të shkojë në favor të pronarëve. Siç i kam thënë se edhe ju që doni ta merrni, për ndërtime në fund keni për ta dhënë. Këta persona i kam takuar në zyrë. Korrespondencë kam pasur vetëm me ministrin e Mbrojtjes,” deklaroi Ruli, duke shtuar se fillimisht nuk kishte dëgjuar emra konkretë, por vetëm emrin e klubit sportiv Partizani.
Sipas dëshmisë së Rulit, në tetor të vitit 2005 ai u kishte dërguar një shkresë ministrave të linjës për të bërë një inventar të pronave shtetërore dhe për të parë nëse kishte kërkesa nga ish-pronarët. Ai veçoi se ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, kishte qenë ndër të parët që ishte përgjigjur për pronat që ishin jashtë planit të përhapjes së ushtrisë.
I pyetur nga SPAK për vonesat në kthimin e përgjigjeve (ku prokurorët konstatuan se kërkesa e Ministrisë së Mbrojtjes ishte bërë në nëntor 2005 dhe përgjigjja e Ekonomisë kishte shkuar në vitin 2007), Ruli u mbrojt me vështirësitë e administratës së asaj kohe.
“Në kohën tonë nuk mund të përmirësohej brenda dy vjetëve legjislacioni. Po ashtu edhe administrata nuk ishte kështu. Unë i kam kthyer përgjigje shumë shpejt, brenda 7-8 muajve,” sqaroi ai.
Ruli dëshmoi gjithashtu se kishte mësuar mbi bazë dokumentesh se edhe Bashkia e Tiranës kishte bërë ndryshimin e destinacionit të asaj prone.
Ai pranoi se bashkëpunimi mes agjencive të ndryshme shtetërore ishte i vështirë dhe se privatizimi zgjaste shumë në kohë për shkak të institucioneve të shumta që përfshiheshin. Për të përshpejtuar procedurat, ai kujtoi se i kishte propozuar Ministrisë së Ekonomisë caktimin e punonjësve specifikë pranë këtyre institucioneve.
and then