Uji i pijshëm në fshatin Paulesh jashtë standardeve! ISHSH Elbasan ndalon konsumin dhe urdhëron dezinfektim emergjent

Uji i pijshëm në fshatin Paulesh rezulton jashtë standardeve :ISHSH Elbasan ndërhyn menjëherë, ndalohet përdorimi për konsum dhe urdhërohen masa emergjente dezinfektimi

Në fshatin Paulesh të Njësisë Administrative Panjovë të bashkisë së Peqinit janë konstatuar probleme në cilësinë e ujit të pijshëm, pas rezultateve të monitorimit laboratorik që kanë nxjerrë tregues mikrobiologjikë jashtë standardeve të lejuara.

Kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor Rajonal të Elbasanit, Madrit Sula, bëri me dije se menjëherë pas njoftimit të përcjellë nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Peqin, janë ndërmarrë të gjitha veprimet e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për mbrojtjen e shëndetit publik.

Sipas tij, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 379, datë 25.05.2016 “Për cilësinë e ujit të pijshëm”, është kryer inspektimi pranë operatorit përgjegjës të furnizimit me ujë, ku janë evidentuar problematika që lidhen me parametrat e sigurisë së ujit.

Si pasojë, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka vendosur masa të menjëhershme administrative, duke kërkuar ndalimin e përdorimit të ujit për pirje deri në daljen e rezultateve të reja laboratorike që konfirmojnë sigurinë e tij për konsum.

Gjithashtu, është urdhëruar kryerja e menjëhershme e pastrimit dhe dezinfektimit të vendburimit, stacionit të pompimit dhe depos së shpërndarjes, si dhe forcimi i procesit të klorinimit të sistemit të furnizimit me ujë, në përputhje me standardet ligjore në fuqi.

Autoritetet kanë kërkuar gjithashtu monitorim të vazhdueshëm laboratorik pas përfundimit të ndërhyrjeve teknike, me qëllim verifikimin e plotë të rikthimit të parametrave brenda normave të lejuara për konsum njerëzor.

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor thekson se mbrojtja e shëndetit publik mbetet prioritet kryesor dhe se situata do të vijojë të monitorohet në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse deri në normalizimin e plotë të cilësisë së ujit në fshatin Paulesh.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×