
Me sytë nga Messi, Argjentina ëndërron edhe në këtë Botëror, me shumë gjasa i fundit për “pleshtin”. Me stofin e kampionit në fuqi, Argjentina i lëshoi një mesazh të qartë të gjithë atyre që synojnë ta zbresin nga froni, teksa triumfuan me rezultatin e pastër 3-0 përballë Islandës. Trajneri Scaloni kishte lënë thuajse pushim të gjithë titullarët e tij të rëndësishëm, por pavarësisht këtij detaji gjetën golin e avantazhit që në minutën e 8-të me Barco.
Me fillimin e pjesës së dytë, Scaloni bëri 5 zëvendësime të menjëhershme, ndërsa në të 70-të hodhi në fushë edhe Leo Messin. 88 mijë tifozë brohoritën emrin e tij, ndërsa dy minuta më pas Argjentina fitoi një 11-metërsh. Nga pika e bardhë, Messi u tregua i saktë duke dyfishuar shifrat. Ky ishte goli i tij i 117 në 199 ndeshje me fanellën e përfaqësueses argjentinase. Në të 86-të ishte Thiago Almada që hipotekojë rezultatin në 3-0.
Pas ndeshjes, Messi u shfaq i kënaqur për golin dhe atë që ekipi dha në fushë: “Jam i lumtur, po shijoj çdo moment dhe si gjithnjë kam besim. U ndjeva shumë mirë, kisha nevojë të largoja frikën që kisha për shkak të një shqetësimi që kam pasur këtë periudhë. Kemi dhe një javë kohë që të shkojmë në Botëror në kushte optimale. A është Argjentina favorite për të fituar në Botëror? Kemi një grup fitues që kërkon gjithnjë e më shumë. Do ta provojmë, si gjithnjë. Tifozët nuk duhet të kenë asnjë dyshim, do të japim gjithçka. Për një gjë të jeni të sigurt, për çdo rival do të jetë e vështirë të na mposht, jemi një përfaqësuese shumë e fortë”, u shpreh Messi.
Argjentina do të debutojë në Botëror më 16 qershor në sfidën kundër Algjerisë. Argjentina bën pjesë në Grupin J së bashku me Austrinë, Algjerinë dhe Jordaninë.
and then