
Gjyqi për vdekjen e legjendës së futbollit, Diego Maradona, ka vijuar në gjykatën e San Isidro në Argjentinë, ku tre të pandehur të tjerë dhanë dëshmitë e tyre lidhur me rrethanat e ndarjes nga jeta të ish-kampionit të botës. Maradona ndërroi jetë më 25 nëntor 2020 në moshën 60-vjeçare si pasojë e edemës pulmonare. Shtatë anëtarë të ekipit mjekësor që kujdeseshin për të në shtëpi po përballen me akuza për neglizhencë kriminale, një vepër që mund të dënohet deri në 25 vjet burg. Një nga kujdestarët e afërt të Maradonës, Carlos Cotaro, deklaroi para gjykatës se stafi mjekësor ushtronte kontroll të plotë mbi komunikimet e ish-futbollistit, duke kufizuar kontaktet e tij edhe me vajzat.
Sipas tij, sekretari personal i Maradonës, Maximiliano Pomargo, vendoste se kush mund ta vizitonte atë. Cotaro pretendoi gjithashtu se telefonatat e Maradonës shpesh mbeteshin pa përgjigje dhe se kushtet në shtëpinë ku ai po trajtohej nuk ishin të përshtatshme për gjendjen e tij shëndetësore. Ai shtoi se, pavarësisht marrëdhënies së ngushtë me futbollistin, u pushua nga puna disa javë para vdekjes së tij.
Mes dëshmitarëve ishte edhe nefrologu Pedro Di Spagna, i cili tregoi se kishte vizituar dy herë rezidencën e Maradonës dhe kishte konstatuar një situatë tepër të vështirë për pacientin. Sipas tij, mjeku përgjegjës për trajtimin e Maradonës e kishte penguar të kryente vizita të mëtejshme mjekësore. Ai vlerësoi gjithashtu përpjekjet e vajzave të futbollistit për t’u kujdesur për të gjatë muajve të fundit të jetës.
Dëshmia prekëse e Dalma Maradonës
Një nga momentet më emocionale të procesit ishte dëshmia e vajzës së madhe të Maradonës, Dalma Maradona. Ajo akuzoi drejtpërdrejt neurokirurgun Leopoldo Luque, si dhe psikiatren Agustina Cosachov dhe psikologun Carlos Díaz, duke i konsideruar përgjegjës për dështimin e trajtimit të babait të saj. Dalma deklaroi se familja kishte pranuar trajtimin në shtëpi vetëm pasi mjekët kishin premtuar monitorim 24-orësh, pajisje të specializuara dhe një ambulancë në gatishmëri të vazhdueshme. Sipas saj, asnjë prej këtyre kushteve nuk u respektua.
“Askush nuk e mori situatën nën kontroll”, tha ajo para gjykatës. Nga ana tjetër, mbrojtja argumenton se vdekja e Maradonës ishte pasojë e gjendjes së rënduar shëndetësore dhe sëmundjeve kronike nga të cilat ai vuante prej vitesh. Megjithatë, prokuroria këmbëngul se trajtimi në shtëpi nuk ishte në përputhje me gjendjen e tij dhe se neglizhenca e stafit mjekësor mund të ketë ndikuar drejtpërdrejt në vdekjen e ikonës së futbollit botëror. Seanca e fundit u mbyll me dëshminë dyditore të kryeinfermierit Mariano Perroni, i cili mohoi kategorikisht të gjitha akuzat ndaj tij dhe refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve shtesë të avokatëve mbrojtës. Gjykata pritet të vazhdojë shqyrtimin e çështjes në seancat e ardhshme.
and then