
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ka dhënë vendim kundër shtetit shqiptar, për rastin e shkarkimit të prokurorit Gentian Osmani, duke konstatuar shkelje të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që garanton të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare. Osmani ishte shkarkuar nga detyra në vitin 2019 nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pas ankimit të Komisionerit Publik, i cili kishte kundërshtuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që më herët e kishte konfirmuar atë në detyrë. Osmani ka shërbyer si prokuror në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe ka qenë gjithashtu pjesë e listës së kandidatëve për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Autoritetet shqiptare kishin konstatuar mungesë të burimeve të ligjshme financiare për disa vite (2011 dhe 2013), duke arritur në përfundimin se familja nuk kishte justifikuar plotësisht shpenzimet dhe kursimet e deklaruara.
Megjithatë, Gjykata e Strasburgut vlerësoi se shkarkimi i tij ishte joproporcional, duke theksuar se problemi kryesor lidhej me mënyrën formale të deklarimit të kursimeve dhe jo me prova të mjaftueshme për pasuri të paligjshme apo fshehje të aseteve. Gjykata vuri në dukje gjithashtu se bashkëshortja e tij, e cila iu nënshtrua një vlerësimi të ngjashëm, u konfirmua në detyrë, çka ngriti pyetje mbi konsistencën dhe proporcionalitetin e vendimeve të autoriteteve shqiptare.
Në vendimin e saj, GJEDNJ konstatoi se shkarkimi i prokurorit kishte pasoja të rënda në jetën e tij private dhe profesionale dhe nuk ishte i justifikuar në mënyrë të mjaftueshme në raport me qëllimet e procesit të vettingut. Si rezultat, gjykata vendosi se Shqipëria ka shkelur nenin 8 të Konventës dhe urdhëroi dëmshpërblim në vlerën 6,000 euro për dëme jopasurore dhe 5,000 euro për shpenzime ligjore. Gjykata gjithashtu rekomandoi që, nëse kërkohet nga pala paditëse, autoritetet shqiptare të shqyrtojnë rihapjen e procedurave të vettingut në përputhje me standardet e Konventës Evropiane.
and then