
Antidroga e Tiranës ka goditur një rast të dyshuar të trafikimit të lëndëve narkotike përmes shërbimit postar, duke arrestuar në flagrancë një shtetase amerikane 48-vjeçare, me inicialet Sh. I.
Sipas burimeve, gruaja, e cila banonte në Shqipëri, ishte pritëse e një pakoje të ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë kontrollit në doganë, autoritetet konstatuan se dërgesa përmbante karamele në formë xhelatine me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me një peshë totale prej rreth 572 gramësh.
Pas zbulimit të rastit, policia organizoi një dorëzim të kontrolluar për të identifikuar marrësin e dërgesës. Një agjent i Antidrogës, i infiltruar si postier, ia dorëzoi pakon 48-vjeçares, e cila u arrestua menjëherë pasi e mori në dorëzim.
Gjatë marrjes në pyetje, shtetasja amerikane ka mohuar të ketë porositur lëndë narkotike, duke deklaruar se pakoja e sekuestruar nuk ishte porositur prej saj.
Antidroga e Tiranës vijon hetimet për të verifikuar rrethanat e ngjarjes, për të zbuluar nëse e arrestuara ka lidhje me ndonjë grup kriminal që merret me trafikimin ose shpërndarjen e lëndëve narkotike, si dhe për të dokumentuar të gjithë skemën e këtij rasti.
and then