
Tensione janë regjistruar këtë të enjte para Parlamentit, ku protestuesit u përplasën me efektivët e Policisë së Shtetit gjatë tubimit teksa zhvillohej seanca plenare. Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të kabinetit të drejtuar prej tij, për t’i hapur rrugë qeverisë tranzitore.
Siç duket nga pamjet që sjell dhe News24, disa protestues tërhiqen zvarrë nga forcat e policisë, ndërsa të tjerë janë goditur gjatë ndërhyrjes së uniformave blu. Në kulmin e tensioneve, policia shoqëroi disa persona, ndërsa protestuesit reaguan me thirrje kundër efektivëve dhe qeverisë.
Përplasjet nisën pasi protestuesit u pozicionuan pranë hyrjeve të Kuvendit, duke kërkuar të pengonin hyrje-daljet e deputetëve. Pas ndërhyrjes së policisë për t’i larguar, situata u përshkallëzua për disa minuta, duke sjellë momente tensioni dhe përleshje fizike.
Kjo bëri që protestuesit të marshonin nga godina e Parlamentit në drejtim të Drejtorisë së Policisë së Tiranës për të kërkuar lirimin e të ndaluarve.
Ndërkohë, protesta vijon me kërkesën për largimin e kryeministrit Rama, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se mobilizimi qytetar do të vazhdojë me të njëjtin intensitet edhe pse kanë kaluar 31 ditë nga nisja e revoltës.
and then