Humbën kontaktet me familjarët, shpëtohen dy turistë çekë të bllokuar në Kanionet e Gradecit

Dy turistë çekë, të moshës 43 dhe 76 vjeç, janë shpëtuar nga forcat e kërkim-shpëtimit pasi mbetën të bllokuar në Kanionet e Gradecit, në një zonë me terren të vështirë malor.

Operacioni nisi menjëherë pasi Policia mori njoftim se dy turistët kishin humbur kontaktet me familjarët e tyre, ndërsa ndodheshin në kanione.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësinë Alpine Fier dhe Ekipin Canyoning Skrapar, organizuan një operacion kërkim-shpëtimi për lokalizimin e tyre.

Gjatë kontrollit të zonës, efektivët përdorën edhe dronë, duke bërë të mundur gjetjen e dy turistëve, të cilët për shkak të terrenit të thyer nuk mund të vazhdonin lëvizjen.

Falë ndërhyrjes së koordinuar të strukturave të angazhuara në operacion, dy turistët u nxorën në mënyrë të sigurt nga kanionet dhe u transportuan jashtë zonës së rrezikshme.

Pas shpëtimit, turistët çekë falënderuan efektivët e Policisë dhe ekipet e tjera të përfshira në operacion, duke vlerësuar reagimin e shpejtë, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar për t’u ardhur në ndihmë.

Policia e Shtetit bëri të ditur se mbetet e angazhuar për garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe turistëve, duke reaguar me shpejtësi në çdo situatë emergjente në të gjithë territorin e vendit.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×