
Gjykata e Strasburgut vendosi në favor të Eugen Papandiles, duke konsideruar joproporcional vendimin e organeve të vetingut që i ndaloi atij të drejtën për të kandiduar për postet e larta në sistemit të drejtësisë për një periudhë prej 15 vitesh. Çështja lidhet me procesin e vettingut ndaj Papandiles, i cili në 2017 dorëzoi deklaratën për rivlerësimin kalimtar, por në janar të 2018 u emërua sekretar I përgjithshëm I gjykatës Kushtetuese.
Teksa priste të përballej me procesin e vettingut, në 2020, Papandile kandidoi për anëtar të gjykatës Kushtetuese, por u skualifikua për shkak të probleme me kriterin e figurës. Në 2021 Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nisi procesin e vettingut për të, por Papandile argumentoi se, që prej vitit 2018, ishte Sekretar i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese, funksion që nuk përfshihej në kategorinë e subjekteve që i nënshtroheshin vettingut. Komisioni i ndërpreu procesit për Papandilen dhe i ndaloi për një periudhë prej 15 vite të drejtën për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror në çdo nivel, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor apo Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm.
Strasburgu gjeti shkelje të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që garanton të drejtën për respektimin e jetës private. Sipas Gjykatës, qëllimi i këtij mekanizmi është legjitim, pra synon të të pengojë personat që largohen nga një detyrë për t’iu shmangur vettingut dhe më pas tentojnë të rikthehen në sistem. Por, në rastin e Papandiles, zbatimi i këtij rregulli përfundoi duke penalizuar një person që, sipas vlerësimit të Strasburgut, në mirëbesim kishte kërkuar të avanconte karrierën e tij brenda vetë sistemit të drejtësisë. Gjykata vlerësoi gjithashtu se 15 vjet përbëjnë një periudhë shumë të gjatë, që prek një pjesë të konsiderueshme të jetës së mbetur profesionale të subjektit. Në vendimin e Strasburgut një tjetër element rëndësishëm ka të bëjë me mundësinë e rihapjes së procesit të vettingut, nëse Eugen Papandile e kërkon një gjë të tillë. Në përfundimin, GJEDNJ urdhëroi shtetin shqiptar t’i paguajë Eugen Papandiles 3,000 euro dëmshpërblim për dëmin jopasuror, brenda tre muajve.
and then