Morina përballet me fluksin rekord të pushuesve/ Në një javë, mbi 200 mijë shtetas kosovarë hynë në Shqipëri

Pika e Kalimit Kufitar të Morinës vijon të përballet me një fluks të jashtëzakonshëm udhëtarësh dhe automjetesh, teksa ditët e fundit të gushtit kanë sjellë kthimin gradual të pushuesve nga Kosova, para nisjes së vitit të ri shkollor. Sipas të dhënave të Drejtorisë për Kufirin dhe Emigracionin, vetëm nga ora 05:00 e 29 gushtit deri në orën 08:00 të 30 gushtit, përmes Morinës kanë hyrë në Shqipëri 51.278 qytetarë të Kosovës, me gjithsej 14.692 automjete dhe autobusë.

Fluksi ka qenë i lartë edhe gjatë ditëve të mëparshme. Në periudhën 24–28 gusht, në territorin shqiptar kanë hyrë përmes kësaj pike 152.694 qytetarë të Kosovës dhe 46.870 mjete.

Në total, nga 24 deri më 30 gusht, numri i qytetarëve të Kosovës që kanë hyrë në Shqipëri përmes Morinës ka arritur në 203.972, ndërsa automjetet kanë qenë 61.562. Lëvizjet e shumta lidhen kryesisht me ditët e fundit të sezonit veror, ndërsa qytetarët e Kosovës po shfrytëzojnë pushimet e fundit për të kaluar disa ditë në bregdetin shqiptar, përpara rikthimit në Kosovë dhe nisjes së vitit të ri shkollor më 1 shtator.

Fluksi në Morinë ka qenë i lartë gjatë gjithë sezonit. Vetëm gjatë muajve maj, qershor dhe korrik, rreth 1.43 milionë qytetarë të Kosovës kanë hyrë në Shqipëri, shumë prej tyre me destinacion zonat bregdetare.

Në këtë shifër përfshihen edhe pjesëtarë të diasporës së Kosovës, të cilët gjatë vizitave në vendlindje kanë zgjedhur Shqipërinë për pushimet verore. Me afrimin e 1 shtatorit, pritet që fluksi në Morinë të vijojë të jetë i lartë, por këtë herë kryesisht në drejtim të Kosovës, për shkak të kthimit të pushuesve dhe përgatitjeve për nisjen e vitit të ri shkollor.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×