
Në Tiranë është finalizuar sot në 4 shtator operacioni policor i koduar “Premtimi”, pas dyshimeve për një skemë mashtrimi lidhur me çështjet e pronave.
Një 58-vjeçare është arrestuar, ndërsa një 27-vjeçare, e dyshuar si bashkëpunëtore e saj, është proceduar në gjendje të lirë. Sipas policisë, dy gratë mashtronin qytetarët duke u premtuar se do të ndërhynin pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për zgjidhjen e problemeve pronësore.
Në këmbim të këtyre premtimeve, ato dyshohet se kanë përvetësuar mbi 100 mijë euro nga persona të ndryshëm. Gjatë operacionit janë sekuestruar një shumë eurosh e dyshuar se rrjedh nga kjo veprimtari, disa certifikata të dyshuara të falsifikuara dhe dy telefona celularë.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë për të dokumentuar raste të tjera dhe për zbardhur të plotë aktivitetin e dyshuar kriminal.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Premtimi”.
Dyshohet se kanë përvetësuar mbi 100 000 euro, duke mashtruar qytetarë, se do të ndërhynin në AShK, për t’iu zgjidhur rastet pronësore, dhe duke i pajisur me dokumente false, vihet në pranga 58-vjeçarja dhe në hetim bashkëpunëtorja e saj.
Sekuestrohen një shumë eurosh e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale, disa certifikata të dyshuara të falsifikuara dhe 2 celularë.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të gazetarëve të emisionit investigativ “STOP”, se ishin kontaktuar nga shtetas të ndryshëm të pajisur me dokumente false nga një shtetase, e cila i kishte mashtruar se mund t’iu zgjidhte çeshtjet pronësore, pasi kishte të njohur në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në kuadër të operacionit të koduar “Premtimi”, ndaluan dhe vunë në pranga të dyshuarën, shtetasen S. D., 58 vjeçe.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për bashkëpunëtoren e dyshuar të 58-vjeçares, shtetasen S. N., 27 vjeçe.
Këto shtetase dyshohet se nëpërmjet veprimtarive kriminale të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, kanë përfituar mbi 100 000 euro, nga qytetarë të ndryshëm.
Në drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimi për të zbardhur dhe dokumentuar raste të tjera të kësaj veprimtarie kriminale, të kryera nga shtetasja S. D. dhe bashkëpunëtorja e saj.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”.
and then